E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Përkushtimi, trimëria dhe kurajo e forcave të policisë u kanë rikthyer qytetarëve shqiptarë sigurinë e jetës dhe veprimtarisë së tyre

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në analizën e punës 1 vjeçare të policisë së shtetit, ku u evidentuan arritjet për prioritet e policisë në vitin që shkoi , si dhe u shpallën objektivat dhe detyrat për vitin në vijim.

Duke marrë fjalën, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin e tij dhe të qeverisë për punën e çmuar të realizuar nga efektivat e policisë, në vitin që kaloi. “Në qoftë se Shqipëria ka ndryshuar ju keni qenë ndër vektorët kryesore të këtij ndryshimi, me kurajën, ndershmërinë dhe përkushtimin tuaj . Ndaj dhe unë shfrytëzoj këtë rast për tu përshëndetur ju dhe të gjithë inspektorët dhe oficerët e policisë shqiptare kudo që janë.”, u shpreh kryeministri.

Kryeministri theksoi se në dy vjet, Shqipëria ka treguesit më të mirë të luftës kundër kriminalitetit dhe e gjitha kjo në sajë të përkushtimit, trimërisë dhe kurajës së forcave të policisë, të cilët u kanë rikthyer qytetarëve shqiptarë, sigurinë e jetës qe ata meritojne, pronës dhe veprimtarive të tyre të përditshme.

Duke vlerësuar profesionalizmin dhe ndershmërinë e forcave të rendit, kryeministri i përgëzoi ata, për bashkëpunimin e shkëlqyer të vendosur me policinë e vendeve mike, dëshmi e së cilës janë aksionet  e përbashkëta për ndalimin e bosëve të mafies shqiptare kudo që ata ndodhen.

Në këtë kontekst,  Kryeministri falënderoi me mirënjohje qeveritë e vendeve mike si Italisë, Britanisë, Austrisë, ShBA-së, si dhe Komisionit Evropian, të cilët ndihmuan policinë e shtetit për të arritur rezultatet dhe për ta bërë Shqipërinë një vend të sigurtë.

Duke u ndalur në luftën kundër trafiqeve dhe korrupsionit, Kryeministri  vuri në dukje se një punë e lavdërueshme është bërë në drejtim të luftës kundër këtyre fenomeneve brenda radhëve të policisë.

Duke theksuar nevojën e thellimit të këtyre rezultateve, kryeministri theksoi se është e nevojshme të kuptohet se lufta kundër korrupsionit nuk duhet të mbetet vetëm në kryeqytet, por të shtrihet në të gjithë qytetet dhe zonat e përfshira nga fenomeni i ryshfetit.  “Gjendja duhet të ndryshoje me shpejtësi të madhe. Në rast se ju prisni që lufta kundër korrupsionit të bëhet vetëm në Tiranë,  në një kohë kur ryshfeti gëlon edhe aty ku ju drejtoni atëherë jeni larg detyrës.” tha kryeministri

Kryeministri u shpreh se tashmë policia e shtetit funksionon mbi bazën e një ligji të ri, sipas të gjitha standardeve bashkohore.

“U jam shumë mirënjohës atyre që na ndihmuan të hartonim një ligj  të standardeve te tilla. Ligji është ai, të cilit ju i shërbeni, e respektoni dhe tek i cili ju bazoheni.” tha kryeministri.

Në mënyrë të veçantë, kryeministri vlerësoi  kontributin e forcave të policisë në procesin zgjedhor, në dobi të ruajtjes së rendit  dhe mirëfunksionimin e shtetit ligjor. “Ju keni dhënë një kontribut të madh në shtetin ligjor, jo vetëm në zbatimin e përditshëm të ligjit, por në detyrimet që ju keni përmbushur me zgjedhjet në këtë vend, sepse shteti ligjor fillon nga zgjedhjet.”, tha Kryeministri.  Kryeministri ritheksoi se parimi kryesor është dhe duhet të mbetet lufta me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kryeministri kërkoi që në kushtet e liberalizimit të vizave për shqiptarët, policia e shtetit duhet të rrisë eficencën në kontrollin e integruar të kufijve, në mënyrë Shqipëria të mos bëhet eksportues i elementëve të  pasigurisë në vendet fqinje. Në këtë kontekst, kryeministri vlerësoi moratoriumin për skafet dhe ligjin për ndalimin e mbjelljes së kanabisit. “Shqipëria është  një vend i bekuar, që nuk ka nevojë për fitime të tilla, duke mbjellë dhe eksportuar helme për fëmijët e vendeve të tjera.” u shpreh kryeministri.

Ndër të tjera në fjalën e tij, kryeministri vlerësoi si një problem themelor çështjen e të drejtave të njeriut dhe respektimit të tyre nga ana e policisë së shtetit në trajtimin  e rasteve të të paraburgosurve dhe të ndaluarve. “ Nuk mundet që i ndaluari të trajtohet jashtë dinjitetit njerëzor. Në një moment të caktuar ai mund t'ia ketë mohuar vetes dinjitetin, por ne nuk mund ta bëjmë atë, ndaj dhe ju kërkoj që ta trajtoni me përparësi çështjen e të drejtave njerëzore.” u shpreh kryeministri.

Në këtë aktivitet së bashku me Kryeministrin Berisha merrnin pjesë prokurorja e Përgjithshme Ina Rama, Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, Drejtori i Përgjithshëm i policisë së Shtetit Ahmet Premci, si dhe drejtues të policisë së shtetit në vend.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›