E Shtunë, 31 Tetor 2026

FJALA E PRESIDENTIT TOPI NË TAKIMIN ME AMBASADORËT SHQIPTARË.

27 tetor 2008

I nderuar zoti Ministër i Punëve të Jashtme,
Shkëlqesi ambasadorë,
Zonja dhe zotërinj,

Jam i kënaqur që po takohemi përsëri, mbas një viti shumë të rëndësishëm për politikën e jashtme të Shqipërisë dhe për rolin e saj në rritje, si në raportet dypalëshe, ashtu edhe në ato shumëpalëshe. Sot, Republika e Shqipërisë është shumë afër realizimit të objektivave të saj strategjike dhe kombëtare. Ne duhet të jemi krenarë për këtë fakt, por duhet të jemi të përgjegjshëm se në këto çaste nga të gjithë ne, por sidomos nga ju, kërkohet më shumë përkushtim, përgjegjësi, profesionalizëm dhe atdhedashuri.

Në një kohë që interesat kombëtarë dhe ato globalë janë gjithnjë e më shumë të lidhur dhe të ndërthurur, politika e jashtme e Shqipërisë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Misionet tona Diplomatike jashtë, duhet të ndërtojnë vizione dhe strategji afatmesme dhe afatgjata jo vetëm për të përfaqësuar dhe mbrojtur interesat e vendit tonë, por sidomos për t’i siguruar atij pozicionin që meriton në rajon, në Evropë e në botë, në NATO e në Bashkimin Evropian. Kjo nuk është vetëm detyrë apo angazhim profesional. Ky është një detyrim dhe premtim ndaj gjithë popullit shqiptar, ndaj ëndrrës, dëshirës e vullnetit të palëkundur të tij; ky është mision historik dhe kombëtar. Kjo është një sfidë.

Shqipëria është duke jetuar çaste shumë të rëndësishme, politike, ekonomike dhe sociale. Ndryshimet demokratike kërkojnë reforma shumëplanëshe, reformat kërkojnë ligje funksionale dhe gjithëpërfshirëse, ligjet kërkojnë vullnet politik e angazhim profesional. Shërbimi i jashtëm i Shqipërisë duhet të bëhet përcjellës, zëdhënës dhe pasqyrues i këtyre të vërtetave të rëndësishme shqiptare pranë kancelarive të aleatëve dhe partnerëve tanë.

Në këtë proces të rëndësishëm të komunikimit dhe të informimit, diplomatët shqiptarë duhet të njohin shumë mirë realitetin shqiptar dhe të jenë realistë në përshkrimin e tij. Shqipëria nuk është parajsa mbi tokë.
Së pari, ata duhet të jenë të sinqertë në pasqyrimin si të arritjeve, ashtu edhe të vështirësive që has demokracia jonë e re; së dyti, ambasadorët shqiptarë, por edhe Ministria e Punëve të Jashtme, duhet të dëgjojnë me vëmendje dhe të përcjellin në një kohë, sa më të shpejtë, këshillat e kancelarive perëndimore dhe miqve tanë për zhvillimet në Shqipëri.
Së fundi, diplomatët shqiptarë nuk duhet të rreshtin së trokituri në dyert jo vetëm të institucioneve zyrtare, por sidomos të mediave të huaja, të organizatave jofitimprurëse, të opinionbërësve dhe të biznesit, të elitave intelektuale dhe kulturore me qëllim që Shqipëria dhe zhvillimet e saj pozitive të pasqyrohen me realizëm, që opinioni publik i vendeve ku janë akredituar të perceptojë dhe të na gjykojë mbi vlerat dhe traditën që mbartim dhe përpiqemi të pasurojmë.

Diplomacia shqiptare duhet t’i përshtatet zhvillimeve dhe dinamikës së marrëdhënieve ndërkombëtare aktuale. Sistemi klasik i marrëdhënieve dypalëshe, pothuajse, nuk qëndron më. Zhvillimi dhe sfidat janë rajonale dhe globale. Teknologjia dhe komunikimi nuk janë më monopol, ashtu si edhe konkurrenca dhe krizat e mundshme. Shqipëria është një vend i vogël. Potencialet e energjitë tona, aftësitë e profesionalizmin tonë, mundësitë e ekonominë tonë duhet t’i përdorim vetëm për të përmbushur misionet tona strategjike integruese. Politika e shpërndarjes gjeografike të misioneve tona diplomatike, si edhe strukturimi i personelit diplomatik, duhet t’i marrë në konsideratë këto prioritete, argumente dhe vlerësime.

Qëllimet dhe aktiviteti diplomatik i Shqipërisë, në radhë të parë, të shikojnë drejt Brukselit, të shtojnë kontaktet me NATO-n dhe Bashkimin Evropian, të përballë me sukses dinamikën integruese dhe t’i ofrojnë politikës shqiptare modele, standarde dhe programe zhvillimi për një Shqipëri të integruar. Ne jemi të vendosur të bëhemi anëtarë me të drejta të plota në NATO dhe do të vazhdojmë të përmbushim e të respektojmë standardet demokratike që kërkohen nga ky anëtarësim. Procesi i ratifikimit të protokolleve të anëtarësimit nga vendet anëtare të Aleancës është sa vlerësues, aq edhe nxitës për të forcuar demokracinë dhe standardet. Ratifikimi i shpejtë dhe unanim nga Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës tregon se demokracia e liria në Shqipëri nuk janë monopol vetëm i politikës shqiptare, por edhe i aleatëve që vazhdojnë të investojnë për të.

Ne do të zhvillojmë marrëdhëniet me vendet fqinjë sipas vizionit evropian të politikave të përbashkëta të mirëkuptimit, të bashkëpunimit e të integrimit. Qëllimit të përbashkët për t’u integruar në strukturat evropiane dhe euroatlantike duhet t’i shërbejnë politikat lokale e rajonale për paqe, stabilitetit e zhvillim të qëndrueshëm. Shqipëria dhe shqiptarët do të vazhdojnë të luajnë rolin e rëndësishëm moderues ndaj ngjarjeve në rajon. Ne do të mbetemi aleatë të besueshëm të zbatimit të politikave për zhvillim, siguri e integrim që projektohen në tryezat e NATO-s apo të Bashkimit Evropian.

Ngjarja më e madhe në historinë moderne të shqiptarëve, pavarësia e Kosovës, fitorja e së vërtetës historike, u prit nga Shqipëria me gëzim dhe realizëm. Lufta e vazhdueshme që shqiptarët bënë ndaj padrejtësisë, ndaj dhunës dhe gjenocidit etnik, kalbëzimi i sistemit diktatorial jugosllav dhe angazhimi serioz i aleatëve euroatlantike kulmuan logjikshëm me e shtetin e ri të Kosovës. Ky realitet i ri gjeopolitik përfaqëson një investim dyplanësh.
Ai zgjidhi përfundimisht krizën e përgjakshme jugosllave dhe hapi kapitullin e fundit integrues për vendet e Ballkanit Perëndimor. Njohja e menjëhershme e këtij realiteti nga shtetet më të rëndësishme anëtare të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s, por sidomos ajo nga vendet fqinje me Kosovën, përveç Serbisë, provojnë se rajoni ka ndryshuar pozitivisht dhe jep shpresën e pakthyeshme për një të ardhme më të mirë. Kushtetuta e Kosovës dhe Paketa e Presidentit Ahtisaari ofrojnë mundësitë e pakrahasueshme për zhvillimin e barabartë të pakicave dhe pjesëmarrje të privilegjuar dhe të monitoruar të tyre në nivelin lokal dhe atë qendror. Institucionet e Kosovës po tregojnë shume seriozitet në aplikimet e tyre integruese dhe balancuese ndaj pakicave serbe, si dhe po ofrojnë politikë të fqinjësisë së mirë ndaj Serbisë.

Sfida e procesit të njohjes së Kosovës është detyrim për diplomacinë shqiptare. Ne duhet të ndërtojmë strategji të përbashkëta me diplomacinë e re kosovare dhe me aleatët tanë në shërbim të kësaj çështjeje të rëndësishme, në interes të sigurisë, paqes dhe të ardhmes së rajonit.

Shërbimi me jashtë i Republikës së Shqipërisë duhet urgjentisht të ndërtojë një strategji të re për diasporën shqiptare në botë, diasporën e re dhe atë të vjetër. Detyrë parësore duhet të jetë mbrojtja e interesave dhe dinjitetit të shtetasve tanë në vendet ku ata kanë shkuar për një jetë më të mirë, ndjekja dhe zgjidhja e vështirësive që ata dhe familjet e tyre hasin, mbështetja ndaj nevojave që ata kanë për ruajtur identitetin, kulturën dhe gjuhën tonë. Ndërtimi i menjëhershëm i qendrave kulturore shqiptare, sidomos në ato vende ku numri i shqiptarëve është i konsiderueshëm është ndoshta edhe më i rëndësishëm se ndërtimi i një shkolle apo i një biblioteke në Shqipëri. Një vend, i cili, më shumë se 25 për qind të popullsisë së vet e ka diasporë të re, duhet patjetër të përgjigjet për të dhe të ardhmen e saj.

Zonja e zotërinj,

Shërbimi i jashtëm i Shqipërisë duhet jo vetëm profesionalisht t’i përshtatet sfidave që vendi ynë ka përpara tij. Ai duhet të jetë përfaqësues, dinjitoz por sidomos produktiv. Investimi që taksapaguesit shqiptarë bëjnë për hapjen, mbajtjen e përfaqësimeve tona diplomatike dhe të shërbimit tonë me jashtë duhet të përkthehet në prurje të investimeve të huaja për ekonominë shqiptare, në projekte infrastrukture, në faqe dhe ekrane mediash proshqiptare, në vlera të prekshme të drejtpërdrejta ndaj mirëqenies së qytetarëve tanë. Ky është shërbimi më i mirë i diplomacisë sonë; ky mbetet kriteri kryesor i vlerësimit të misionit të saj.

Të nderuar ambasadorë, të nderuar miq,

Padyshim që, një vlerësim i veçantë është për ju, sepse pavarësisht se shërbimi diplomatik konsiderohet nga shumica që nuk e njohin, një luks, në të vërtetë ai është një mision shumë i vështirë, është një mision fisnik, është një mision, për të cilin ne të gjithë duhet të kemi vlerësim; kështu që, unë dëshiroj t’ju inkurajoj për gjithçka që ju keni bërë, sepse integrimi i Shqipërisë qoftë në NATO, qoftë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, padyshim, është dhe një kontribut i jashtëzakonshëm i juaji, i Ministrisë së Punëve të Jashtme, i të gjithë miqve që janë këtu. Të gjitha këto që po gëzojmë sot së bashku, i bindur që do të jemi më të ndërgjegjshëm për ato që do të gëzojmë nesër, janë kontribut i të gjithëve. Pa kontributin e të gjithëve ne nuk do të ishim sot për të vlerësuar këto arritje të diplomacisë shqiptare.

Së fundi, ju dëshiroj shumë shëndet, shumë angazhim dhe shumë sukses!

Ju faleminderit!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›