Fjala e Kryeministrit Berisha në ceremoninë e lëshimit të certifikatës së parë dixhitale në njësinë bashkiake nr.10, në Tiranë
Zoti ministër Nishani,
Ambasador Bosch,
I ngarkuari me punë i Komisionit Europian Petit,
Zoti kryetar i minibashkisë,
Sot, është një ditë shumë e rëndësishme në përpjekjet e Shqipërisë për të arritur moshën digjitale. Mosha digjitale është mosha teknologjike më e mirë e individit, shoqërisë dhe e kombeve në tërësi. Tre vjet më parë, Shqipëria ishte shumë larg saj. Shkalla e penetrimit të IT-së në shoqërisë shqiptare ishte vetëm 4.8 për qind. Vitin e kaluar ajo arriti në 15 për qind. Sërish është qartësisht nën nivelin botëror dhe fare larg nivelit mesatar evropian, por vitin e kaluar, Shqipëria kishte rritjen më të lartë në Europë në shpejtësinë e rritjes së përdorimit të kompjuterit. Unë shpresoj që edhe këtë vit ne do të ruajmë shpejtësinë më të lartë në Europë në rritjen e penetrimit të IT-së. Këtë fundviti, ne do të kapim nivelin botëror, i cili është rreth 21 për qind. Dua të siguroj qytetarët shqiptarë se kjo është përparësi madhore e qeverisë dhe ne do të bëjmë çdo përpjekje derisa të kapim nivelin evropian dhe të jemi një nga vendet me përqindjen më të lartë të përdorimit e shfrytëzimit të internetit dhe penetrimin e IT-së në vendin tonë.
Ky moment është një hap i rëndësishëm në këtë drejtim. Unë dua të falënderoj me shumë mirënjohje ambasadorin Bosch dhe Zyrën e OSBE-së në Tiranë, të ngarkuarin me punë të Komisionit Europian, zotin Petit për fondin e akorduar nga Komisioni Europian, qeverinë norvegjeze dhe atë austriake, për ndihmën e tyre bujare.
Mirënjohje shumë të thellë dua t’i shpreh të gjithë punonjësve të gjendjes civile në vend, të cilët me përkushtim dhe përgjegjësi të lartë ia dolën të dixhitalizojnë në një kohë të shkurtër 14 mijë regjistra të gjendjes civile të Republikës së Shqipërisë. Unë u bëj thirrje të gjithë sektorëve të tjerë të vendit të frymëzohen nga puna e përkushtimi i këtyre punonjësve dhe të dixhitalizojnë të gjithë arkivat e tyre, si një detyrim për t’u ofruar qytetarëve shqiptarë shërbimet më të mira.
Dua të theksoj se për mua reforma e gjendjes civile, e kartave të identitetit dhe e pasaportave biometrike është reforma më qendrore, me impaktin më të gjerë. Ajo është reformë me impakt të thellë politik, sepse i jep mundësi vendit të zhvillojë e ketë listat e votuesve dhe të gjithë infrastrukturën teknike të zgjedhjeve nga më modernet. Kjo është shumë e rëndësishme për Shqipërinë.
Kjo reformë bën të mundur t’u ofrojmë qytetarëve shqiptarë shërbimet më të mira, shkurton kohën e pritjes për qytetarin, por edhe mundin për punonjësit e gjendjes civile. Dua t’i siguroj qytetarët shqiptarë se nuk do të jetë e largët dita kur do ta printojnë certifikatën nga shtëpitë.
Mosha dixhitale sjell shumë avantazhe dhe ne do të bëjmë çdo përpjekje për t’i shfrytëzuar ato. Qeveria do të angazhojë të gjitha resurset njerëzore dhe financiare për ta shndërruar sa më shpejt atë në një realitet për qytetarët shqiptarë.
Dua t’i shpreh edhe një herë faleminderit të gjithë atyre që bënë të mundur sot realizimin e këtij produkti shumë të rëndësishëm të moshës dixhitale.