E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha në prezantimin e aktivitetit të qeverisë për periudhën 1 Janar-1 Gusht 2008

Ju ftova sot në këtë takim, për të paraqitur para jush bilancin 7-mujor, 1 Janar-1 Gusht 2008, të qeverisjes së kësaj mazhorance. Këtë bilanc nuk po e bëj për faktin se këto shtatë muaj qeveria ime miratoi rreth 1115 ligje, marrëveshje dhe vendime, apo dy herë më shumë se në vitin 2005. Por e bëj sot këtë, i bindur, mbasi gjatë këtyre muajve dhe me këto 1115 ligje, marrëveshje dhe vendime, Shqipëria pësoi ndryshime transformuese më të mëdhatë në 16 vitet e fundit.

Në rrafshin politik, kjo është periudha në të cilën Shqipëria dhe shqiptarët realizuan ndryshime epokale dhe historike. Shqiptarët në Kosovë shpallën pavarësinë; Shqipëria mori ftesën dhe firmosi protokollin e anëtarësimit në NATO, hapi negociatat për liberalizimin e plotë të vizave me BE-në. Shqipëria rriti kontributin e saj modest për paqen dhe sigurinë në botë.

Reformat politike të Janar- Gusht 2008, realizuan ndryshimet e mëdha kushtetuese me të cilat u ndryshua sistemi zgjedhor dhe u shmangën krizat absurde kushtetuese, u fuqizua dhe mori profil të plotë perëndimor parlamentarizmi në Shqipëri. Me këto reforma u vendosën në baza të reja ligjore sistemi gjyqësor i vendit, u thellua si asnjë herë më parë decentralizimi i pushtetit. Në këtë periudhë, lufta me zero tolerancë kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe korrupsionit njohu rezultate të thella. Në fushën fiskale, të biznesit dhe të buxhetit, privatizimit dhe liberalizimit të ekonomisë u ndërmorën reforma të pa precedentë. Kjo ishte periudha e ritmeve më të larta të ndërtimit dhe modernizimit të infrastrukturës së vendit, e rritjes më të madhe të rrogave dhe pensioneve, periudha e fillimit të qëndrueshëm të bumit ekonomik dhe bumit të investimeve të huaja, hapave më të shpejta të Shqipërisë drejt moshës digjitale.

Reformat e thella dhe transformuese të Shqipërisë në tërësi dhe ato të periudhës 1 Janar - 1 Gusht 2008, morën më 3 prill në Bukuresht dhe me 9 Korrik në Bruksel votëbesimin e 26 vendeve anëtare të NATO-s. Këto reforma, rezultatet e të cilave u vlerësuan unanimisht nga Ministrat e Jashtëm të 27 vendeve anëtare të BE në deklaratën e Qershorit 2008, si frymëzuese për vendet e rajonit.

Më lejoni të rikujtoj dhe paraqes para jush, arritjet madhore dhe historike të periudhës 1 Janar- 1 Gusht 2008, të cilat do të mbeten në memorien e kombit, në muret e historisë së tij, si arritjet që ndryshuan  më shumë Shqipërinë dhe shqiptarët:

Me 17 Shkurt 2008, kombi shqiptar përjetoi ndryshimin më të madh, ngjarjen më madhore në historinë e tij pas vitit 1912 - pavarësinë e Kosovës. Pavarësia e Kosovës është akti madhor politik dhe historik, në të cilën shqiptarët e Kosovës, kombi ynë në tërësi shkruan faqet më të ndritura të historisë së tyre, që nga luftërat e Skënderbeut. Pavarësia e Republikës së Kosovës është kryevepër e organizimit, sakrificës, qëndresës paqësore, luftarake më të pashembullt të shqiptarëve të Kosovës dhe udhëheqjes së tyre të mençur dhe vizionare. Pavarësia e Kosovës u bë e mundur sepse qytetarët e Kosovës, udhëheqja e tyre, me qëndresën, guximin, sakrificën e tyre të jashtëzakonshme pothuaj një shekullore ia dolën të fitojnë mendjen dhe zemrën e qytetarëve, ligjvënësve, qeveritarëve, udhëheqësve më kryesorë të SHBA dhe vendeve të tjera të perëndimit dhe të angazhojnë në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të tyre fuqitë ushtarake të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Presidenti i SHBA, Xhorxh W. Bush luajti rol përcaktues në finalizimin e këtij akti. Në vizitën e tij historike, më 10 Qershor 2007 në Tiranë, Presidenti Bush u solli shqiptarëve mesazhin historik për pavarësinë e Kosovës: “Time is now” dhe luajti rol historik në shndërrimin e këtij mesazhi, brenda pak muajve, në realitet. Shqiptarët do t’i mbeten atij, vendit të tij të madh, BE dhe vendeve kryesore të Europës, Francës, Britanisë, Gjermanisë, Italisë dhe vendeve të tjera mike mirënjohës për jetë të jetëve.

Shqipëria, qytetarët dhe udhëheqja politike e saj me qëndrimin, vizionin, mbështetjen e saj të palëkundur, bëri avokatinë më të mirë, dha mbështetjen më të madhe dhe kontributin më të çmuar në realizimin e pavarësisë së Kosovës. Një kapitull i historisë kombëtare që në Shqipëri u hap vetëm me themelimin e Partisë Demokratike, e cila, ditën e parë të qenies së saj, shpalli çështjen kombëtare si yllin polar të saj, u kurorëzua me sukses mahnitës. Viti 2008 është sigurisht vit i mbarë njerëzimit, por mbi të gjitha është viti i shqiptarëve.

Me datë 3 Prill 2008, Shqipëria përjetoi ndryshimin më të madh. Në Samitin e Bukureshtit mori ftesën për anëtarësimin në NATO.

Ftesa për anëtarësimin në NATO është arritja më e madhe e shqiptarëve për sigurinë e lirive të tyre, në tërë historinë që nga koha e Skënderbeut gjer sot. Ajo shënon rikthimin e historisë së kombit tonë, nga histori shekujsh pushtimesh, copëtimesh, diktature, varfërie dhe mjerimi, në histori lirie të sigurt dhe të ardhmeje që meritojnë, shënon rikthimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në gjirin e familjes së popujve të lirë që u takojnë. Ftesa e Shqipërisë për anëtarësimin në Aleancën më të madhe të lirisë së të gjitha kohërave, ishte rezultat i kontributit të të gjithë atyre që shembën murin e Berlinit në Shqipëri, ndërtuan në Shqipëri sistemin demokratik dhe ekonominë e tregut, vendosën në 16 vjet bashkëpunimin më të ngushtë, më luajal me Aleancën e Atlantikut të Veriut. Por për Shqipërinë, për vite të tëra, ftesa për në NATO dhe integrimi Euroatlantik, për shkak të mureve të kriminalitetit, korrupsionit dhe dhunimit të zgjedhjeve ishin shndërruar në një horizont të paarritshëm. Në ftesën e Shqipërisë për në NATO, më 3 Prill të vitit 2008, një rol përcaktues kanë pasur lufta me zero tolerancë e kësaj qeverie kundër krimit të organizuar dhe mafies, që e shndërroi Shqipërinë në një ndër vendet më të sigurta të rajonit dhe më gjerë. Lufta e vendosur kundër korrupsionit dhe rezultatet e saj të sigurta; zgjedhjet lokale të vitit 2007, të cilat, me gjithë mangësitë teknike, faktuan se qeveria shqiptare nuk bëri asnjë ndërhyrje për ndryshimin e rezultatit të tyre; reformat e thella politike dhe konsensusi për ligjin e organizimit të drejtësisë. Reformat e mëdha ekonomike, ushtarake, sociale dhe të gjithanshme që ndërmori qeveria ime, me të cilat ne iu faktuan miqve dhe aleatëve tanë se demokracia dhe ekonomia e tregut në Shqipëri janë funksionale. Rol shumë të rëndësishëm ka pasur pjesëmarrja e Shqipërisë në të gjitha misionet e paqes dhe të sigurisë në rajon. Nga ana tjetër, dua të theksoj se ftesa e Shqipërisë në NATO do të mund të bëhej realitet vetëm nga mbështetja përcaktuese e Presidentit Xhorxh Bush dhe i vendit të tij të madh për Shqipërinë, i cili në vizitën e tij historike në Tiranë, solli mesazhin e shumëpritur për shqiptarët: “Shqipëria në NATO” dhe kjo, vetëm disa muaj më vonë, u bë realitet dhe për këtë Shqipëria dhe shqiptarët do t’i mbeten gjithmonë thellësisht mirënjohës stij dhe vendit të tij të madh.

Me 4 Prill, Presidenti i SHBA-së Xhorxh W. Bush, në krye të të gjithë delegacionit të SHBA-së që mori pjesë në Samitin e Bukureshtit, ftoi në Zagreb delegacionin tonë në takim dhe drekë historike për të festuar së bashku me ne dhe udhëheqjen kroate ftesën e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.

Në Samitin e Bukureshtit më 3 prill të vitit 2008, Shqipëria, së bashku me ftesën për anëtarësim në NATO, mori një pasaportë të re, një imazh të ri. Ftesa për në NATO ishte jo vetëm një votëbesim për reformat e ndërmarra, por një inkurajim i madh për qeverinë time për të vazhduar reformat e gjithanshme, rezultatet e të cilave tre muaj më vonë, në qershor të vitit 2008, në deklaratën e 26 ministrave të BE, në Lubjanë do të vlerësoheshin si inspiruese për vendet e rajonit.

Me këto reforma në tërësi dhe ndryshimet konsensuale kushtetuese në veçanti, qeverisja dhe sistemi politik i vendit pësoi ndryshimet më të thellat në historinë e pluralizmit politik të vendit. Me reformën kushtetuese u zëvendësua sistemi zgjedhor që polli “Dushkun” dhe damkosi Shqipërinë, me një sistem zgjedhor modern, të drejtë, u ndryshua zgjedhja e Presidentit të Republikës dhe u parandaluan krizat absurde kushtetuese që potencialisht mund të zhysnin vendin në një elektroshok elektoral, parlamentarizmi në Shqipëri u shndërrua nga parlamentarizëm i cunguar në parlamentarizëm të tipit perëndimor, u qartësua mocioni i besimit të Kryeministrit dhe u vendos mocioni konstruktiv i mosbesimit ndaj tij, u ndryshua mandati i Prokurorit të Përgjithshëm nga mandat à vie në mandat 5-vjeçar dhe u vendos raportimi i tij para parlamentit.

Një reformë tjetër modern e kësaj periudhe ishte ndryshimi konsensual i rregullores së parlamentit, ridimensionimi i rolit të këtij të fundit, vendosja e procedurave transparente të shqyrtimit dhe të dëgjimit për të gjitha kandidaturat e emëruara nga organet kushtetuese apo të emëruarit nga parlamenti, duke përshtatur kështu rregulloren e këtij institucioni dhe veprimtarinë e tij me frymën e Kushtetutës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Reformat e ndërmarra pas 3 Prillit, bënë të mundur përfundimin në kohë rekord të negociatave me NATO-n dhe shndërrimin e 9 Korrikut 2008 në një ditë tjetër historike të madhe për Shqipërinë – firmosjen në Bruksel të Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, nga 26 vendet anëtare të saj.

Me 9 Korrik të vitit 2008, Shqipëria ndryshon, sepse pas përfundimit me sukses të negociatave, përfaqësuesit e 26 vendeve anëtare të NATO-s, me firmën e tyre në protokollin e anëtarësimit në NATO, votëbesuan sërish reformat e qeverisë shqiptare. Me këtë rast dua t’u shpreh mirënjohjen më të thellë.

Para se të përfundoj shqyrtimin e zhvillimeve politike 1 Janar-1 Gusht 2008, dua të theksoj se në këtë periudhë kohe Shqipëria, politika dhe diplomacia e saj kanë qenë më aktive se ndonjëherë më parë, ka qene periudha e vizitave intensive në metropolet kryesore të Europës dhe Azisë, ndër të cilat do të veçoja vizitën e parë në historinë e vendit, në shkurt të vitit 2008, të Kryeministrit të Shqipërisë në Japoni, vizitën në muajin maj në Bruksel, pjesëmarrjen e Shqipërisë si vend themelues në Samitin e Parisit të Bashkimit për Mesdheun, më 13 korrik 2008. Gjatë këtyre muajve Shqipëria vendosi marrëdhënie diplomatike me 35 vende të tjera. Nisi trupat në Çad dhe trupa shtesë në Irak. Roli i saj modest për paqen dhe sigurinë në botë u bë edhe më i madh.

Por, periudha Janar-Gusht 2008 është periudha e reformave më të thella dhe ndryshimeve të mëdha në fushën e decentralizimit të pushtetit në Shqipëri. Pas krijimit të sistemit të bashkive dhe komunave me zgjedhjet vendore të lira të korrikut të vitit 1992, pas miratimit të ligjit për pushtetin vendor në vitin 1993, këto shtatë muaj kanë njohur reformat më të thella të decentralizimit të pushtetit në vendin tonë. Në këta muaj:

-          me rreth 400 vendime qeverie, u decentralizuan mbi 600 mijë hektar prona, pyje, kullota si dhe u transferuan dhe kaluan në pronësi dhe përdorim të njësive të qeverisjes vendore qindra e qindra prona të tjera të natyrave të ndryshme.

-          Sistemi i ujësjellës dhe kanalizimeve, sistemi i ujërave njohu reformën më të thellë, u decentralizuan 320 ujësjellës dhe kanalizime dhe u kaluan në pronësi të qeverisjes vendore.

-          U miratua ligji për kredi-marrjen e qeverive vendore.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›