Fjala e Kryeministrit Berisha në mbledhjen e Këshillit të Ministrave
Kjo mbledhje është thirrur sepse janë disa vendime shumë të rëndësishme dhe ligje kryesore për t`u miratuar, por unë do të ndalem në njërin prej tyre: vendimin për miratimin e listës së 1100 të përndjekurve politikë, me të cilët nis dëmshpërblimi me një vlerë totale prej 2 miliardë lekësh.
Kjo shumë do të kalojë në llogari dhe do të fillojë shpërndarja e tyre ditët e para të janarit. Miratimi i listës në përputhje me ligjin është kusht i domosdoshëm për disbursimin e kësaj shume, shuma më e madhe që është disbursuar ndonjëherë. Me këtë rast u bëj thirrje të përndjekurve politikë të bëjnë çdo përpjekje për plotësimin e dokumentacionit. E kam fjalën jo për këta 1100, por edhe për të tjerë të mund të përfitojnë sa më shpejt nga fondet që qeveria ka përcaktuar dhe do të përcaktojë për dëmshpërblimin e tyre. Këto 2 miliardë i përkasin këtij viti.
Ligji i parlamentit përcakton se qeveria do të japë 10 % nga të gjitha privatizimet për të përndjekurit dhe pronarët. Dua t`i garantoj pronarët se edhe kompensimi i tyre monetar do të fillojë dy javët e para të muajit janar, prandaj dhe janë bërë të gjitha përgatitjet që këto dy kategori, dy shtresa të shoqërisë të mund të përfitojnë atë që u takon në një kohë sa më të shkurtër. Përveç kompensimit monetar ju kam kërkuar të gjitha bashkive dhe komunave dhe i kërkoj edhe Ministrisë së Brendshme në bashkëpunim të ngushtë me to të përcaktojë të gjitha pronat publike që përveç atyre dosjeve që kemi bërë disponibël, mund t`i bëjmë disponibël për kompensimin e pronarëve.
Nga ana tjetër një grup tjetër pune i pavarur nga këto po punon për përcaktimin e mundësive të tjera të kompensimit të pronarëve. Pra do të bëjmë çdo gjë që këto dy procese jetike për paqen sociale të vendit dhe që shoqëria të bëhet e drejtë do të njohë shpejtësinë që nuk kanë patur asnjëherë më parë.
Janë në axhendën e sotme edhe dy ligje të një karakteri shumë të rëndësishëm për vendin; projektligji për planifikimin e territorit, i cili në fakt përfaqëson Kushtetutën e planifikimit dhe administrimit të territorit, projektligj, i cili është produkt i një diskutimi të gjerë me të gjitha grupet e interesit, projekt që vendos në një bazë të re tërësisht ligjore procesin e planifikimit dhe administrimit të territorit, i jep një organizim të ri trajtimit të këtij problemi dhe zgjidhje bashkëkohore për të gjitha pengesat burokratike që deri më sot me vonesat dhe me mospërcaktimet, kanë nxitur ilegalitetin dhe ndërtimet ilegale. Ligji do të përfshijë amendimet që ne dërguam në parlament ku leja e ndërtimit nuk mund të jetë mbi 45 ditë vonesë dhe parimin “heshtja është miratim”. Por ligji ka nevojë të specifikojë llojet e lejeve sepse nuk të kemi të njëjtin tagër për lejen e ndërtimit të një pallati, lejen e ndërtimi të një resorti turistik apo një parku industrial.
Kështu që mund të lindë nevoja që disa specifikime të bëhen, natyrisht jo për të zgjatur burokracinë, por për të përcaktuar linjat që do të ndiqen më mirë.
Ligji i dytë është ligji për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë. Edhe ky është një ligj që do ta quaja themelor për këtë fushë, një ligj që ka sintezuar eksperiencën më të mirë të ligjeve, të disa vendeve, ka patur ekspertizën dhe sugjerimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, UNICEF-it, UNFPA-së dhe institucioneve të tjera direkt të fushës dhe të lidhura me këtë fushë. Ne po ecim me reformën e sistemit shëndetësor që dua ta theksoj këtu është dhe më e vështira e të gjitha sistemeve të tjera, por është jetike dhe ne jemi të vendosur të ecim në mënyrën më të njerëzishme dhe më cilësore. Pra kombinimi i humanizmit, efiçencës dhe një seri parimesh të tjera. Siguroj shqiptarët se do të bëj që sistemi shëndetësor i këtij vendi të shkëputet përfundimisht nga modeli socialit i dështuar që faktikisht është sot. Dhe vetëm viti 2009 shënon shkëputjen e tij nga ky model dhe ecjen e tij drejt sistemeve të organizimit modern të financimit të zhvillimit të shtrirjes edhe drejt sektorit privat.
Ne po miratojmë ligjin, kemi miratuar dhe ligjin e ilaçeve kemi vendosur që këtë vit Instituti i Sigurimeve Shëndetësore të nisë blerjen e produkteve në spitalet e vendit. Kemi vendosur decentralizimin e menaxhimit të këtyre spitaleve, do të kompletohet 3-4 muajt e parë dixhitalizimi tërësor i sistemit. Mendoj se këto janë përpjekje shumë serioze për ta shpejtuar procesin e kësaj reforme dhe ekipi i Ministrisë së Shëndetësisë ka një vullnet të plotë të procedojë me reformën pa të cilën nuk përmbush misionin e tij.
Disa vendime të tjera shumë të rëndësishme janë marrë nga Ministria e Financave për fonde dytësore që krijojnë një parashikim tjetër për një rritje më të madhe të rrogave në këtë sistem mbasi kaloi mbi baza të reja menaxhimi dhe administrimi. Do t`i quaja këto hapa para shumë të rëndësishme të një reforme që nuk mund të kompletohet dot për një vit, por që kërkon një kohë më të shtrirë. Një ndihmë e madhe është këtu vendosja e sistemit të identifikimit, jashtëzakonisht e çmuar sepse ky vend i ka të gjitha mundësitë duke shmangur informalitetin, t`i japë ndihmën më cilësore cilitdo qytetar që ka nevojë.
Vendosja e sistemit të ri të identifikimit të qytetarëve është një vantazh shumë i madh për të gjithë funksionimin e sistemit të shëndetësisë.
29/12/2008