E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria miraton 2 miliardë lekë fonde për të përndjekurit politikë në 2008

Këshilli i Ministrave miratoi gjatë mbledhjes së sotme vendimin për listën e dëmshpërblimit të 1100 të përndjekurve politikë, me një vlerë totale prej 2 miliardë lekë. Kryeministri Berisha u shpreh se kjo shumë do të kalojë në llogari dhe do të fillojë shpërndarja e tyre ditët e para të janarit.

“Miratimi i vendimit në përputhje me ligjin është kusht i domosdoshëm për disbursimin e kësaj shume, shuma më e madhe që është disbursuar ndonjëherë. Me këtë rast u bëj thirrje të përndjekurve politikë të bëjnë çdo përpjekje për plotësimin e dokumentacionit, e kam fjalën jo për këta 1100, por edhe për të tjerë të mund të përfitojnë sa më shpejt nga fondet që qeveria ka përcaktuar dhe do të përcaktojë për dëmshpërblimin e tyre. Këto 2 miliardë i përkasin këtij viti”, tha Kryeministri Berisha. Ligji i parlamentit, vijoi Kryeministri, përcakton se qeveria do të japë 10 %  nga të gjitha privatizimet për të përndjekurit dhe pronarët. Në këtë kontekst Kryeministri garantoi pronarët se edhe kompensimi i tyre monetar do të fillojë dy javët e para të muajit janar. “Dua t`i garantoj pronarët se edhe kompensimi i tyre monetar do të fillojë dy javët e para të muajit janar, prandaj dhe janë bërë të gjitha përgatitjet që këto dy kategori, dy shtresa të shoqërisë të mund të përfitojnë atë që u takon në një kohë sa më të shkurtër”, tha më tej Kryeministri.

 
Përveç kompensimit monetar, vijoi më tej Kryeministri Berisha, ju kam kërkuar të gjitha bashkive dhe komunave dhe i kërkoj edhe Ministrisë së Brendshme në bashkëpunim të ngushtë me to të përcaktojë të gjitha pronat publike që përveç atyre dosjeve që kemi bërë disponibël, mund t`i bëjmë disponibël për kompensimin e pronarëve.


Kryeministri theksoi se një grup tjetër pune i pavarur nga këto po punon për përcaktimin e mundësive të tjera të kompensimit të pronarëve. “Ne do të bëjmë çdo gjë që këto dy procese, që unë i konsideroj jetike për paqen sociale të vendit dhe që shoqëria të bëhet e drejtë do të njohë shpejtësinë që nuk kanë patur asnjëherë më parë”, vijoi Kryeministri. 


29/12/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›