Kryeministri Berisha në inaugurimin e impiantit të përpunimit të ujërave të zeza në Korçë: Infrastruktura ujore, me rëndësi parësore
Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të impiantit të përpunimit të ujërave të zeza në Korçë. Kryeministri, duke e vlerësuar tepër të rëndësishëm për qytetin këtë investim, theksoi infrastruktura ujore, furnizimi me ujë të pijshëm të standardeve më të mira, trajtimi i ujërave të zeza përbën një nga zhvillimet më madhore të këtyre viteve, ndërsa garantoi për përpjekje edhe më të fuqishme në këtë drejtim.
Impianti i Korçës, një investim me vlerë 37,5 milionë euro, me të cilën është realizuar shtrimi i afro 80 kilometra tubacione kanalizimesh, ka kapacitet që t’i shërbejë 105 mijë banorëve, duke konsideruar edhe perspektivën e rritjes demografike 20 vjeçare të qytetit. Ai është realizuar në përputhje me standardet europiane, bën trajtim biologjik, me sistem të ajruar, metodë kjo që dallohet për efikasitetin e lartë, harxhim të ulët të energjisë dhe kosto e ulët e operimit dhe mirëmbajtjes. Paralel me sistemin e ka kanalizimeve është ndërtuar plotësisht i ri edhe sistemi i veçante i ujërave të shiut, ka përfunduar kolektori kryesor që lidh kanalizimet me impiantin, si dhe ka përfunduar me sukses impianti i trajtimit të ujit të ndotur.
Ujërat e ndotura ishin kthyer në një shqetësim të përditshëm të banorëve të lagjes 10 në Korçë. Ndaj edhe banori i saj Luan Agolli u shpreh se veçanërisht banorët e kësaj zone janë të lumtur për këtë investim, pasi i jep zgjidhje një problemi tepër shqetësues për ta, kur çdo ditë, nga mëngjesi në mbrëmje, u duhej të përballeshim me problematikën e shkaktuara nga ujërat e ndotura.
Shërbimi i furnizimit me ujë dhe kanalizimeve ka qenë një nga prioritet e qeverisë. Gjatë viteve 2005-2012 janë investuat 55 miliardë lekë, për ndërtimin e 364 sistemeve të reja ujësjellësish dhe 419 sisteme të reja kanalizimesh, ndërkohë që ne një kohe të shpejtë kanë përfunduar 9 impiante trajtimi të ujërave të ndotur si në Kavaje, Pogradec, Durrës, Sarandë-Ksamil, Shëngjin-Lezhë, Shirokë, Velipojë, Vlorë dhe janë në proces Tirana, Kavaja turistike përfshirë Golemin, Shkodër etj..
Në qarkun e Korçës janë investuar në infrastrukturën në tërësi mbi 600 milionë dollarë, me të cilat janë ndërtuar e rikonstruktuar mbi 800 kilometra rrugë me vlere 250milionë dollarë; 170 shkolla me vlere 21 milionë dollarë; 99 qendra shëndetësore, spitale e ambulanca me vlere 5 milionë dollarë; do të përfundojë projekti i përpunimit të mbetjeve të ngurta pranë Maliqit, investim 12.5 milionë euro dhe i shërben 28 njësive vendore dhe 307 mijë banorëve.
Qarku i Korçës është një ndër qarqet kryesore prodhuese të vendit, me prodhimtari të lartë në disa produkte bujqësore. Në mbështetje të bujqësisë, gjatë këtyre viteve janë investuar 25 milionë dollarë. Nga kjo mbështetje kanë përfituar 5600 fermerë e 1800 blegtorë, duke arritur në 37 mijë ferma. Në pyje dhe kullota janë investuar mbi 1. 5 milionë dollarë.
Një tjetër fushë ku është energjetika, ku janë investuar 28 milionë dollarë në rikonstruksionin e rrjetit dhe nënstacioneve elektrike; 1.9 miliardë dollarë në koncesionet e 11 HEC-ve, përfshi kaskadën e Devollit.
Po ashtu zhvillim kanë pasur edhe bizneset, numri i të cilave ka arritur në 10 500 nga 6860 në vitin 2005.
Në fushën e turizmit kulturor janë restauruar 31 monumente kulture, me vlerë 350 mijë euro.
Fjala e Kryeministrit Berisha në inaugurimin e impiantit të përpunimit të ujërave të zeza në Korçë.
“Së pari, përshëndetjet më të përzemërta juve dhe qytetarëve të këtij qyteti e qarku kudo ku ndodhen. Shpreh kënaqësinë time të madhe se qyteti i Korçës, që në të vërtetë është për këtë komb e vend sinonimi i pastërtisë, bëhet sot me këtë impiant shumë të domosdoshëm për Korçën e zhvilluar, Korçën europiane. Impianti i përpunimit të ujërave të zeza është një investim prej 37.5 milionë euro, kredi e garantuar nga qeveria shqiptare. Një investim, nga i cili përfitojnë 105 mijë banorë dhe janë përfshirë rindërtimi i plotë i rrjetit të kanalizimeve të Korçës, të standardeve të përsosura, duke ndarë të gjitha llojet e ujërave ashtu siç duhet. Kapaciteti përpunues i tij është për të përballuar rritjen e popullatës së paku në dy dekadat që vijnë, pa asnjë problem. Me këtë impiant, Korça hyn në hartën e qyteteve më të pastra të Europës dhe të botës.
Se cila është korçarja si nënë, në përkushtimin e saj, pastërtinë e saj e dëshmon më shumë se çdo gjë tjetër vdekshmëria foshnjore zero. Një nder të madh për këto nëna, të cilat kanë bërë të pamundurën të mundur! Ky impiant ecën në këtë drejtim, ecën në mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve të Korçës. Ky impiant paraqet Korçën ashtu siç është në thellësitë e saj, qyteti ndër më të pastrit jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë, për shkak, para së gjithash e mbi të gjitha, të kujdesit konstant të qytetarëve të saj për shtëpitë, rrugët, rrugicat, kopshtet e çdo gjë në këtë ansambël të mrekullueshëm.
Vëllezër e motra,
pas infrastrukturës rrugore, infrastruktura ujore është e të njëjtës rëndësi. Furnizimi i qytetarëve me ujë të pijshëm të standardeve më të mira, trajtimi i ujërave të zeza përbën një nga zhvillimet më madhore në Shqipërinë e këtyre viteve, një nga përpjekjet tona më të fuqishme për realizimin e Shqipërisë së zhvilluar. Ndaj këto vite kemi investuar në Korçë e në mbarë Shqipërinë 550 milionë dollarë në ndërtimin e ujësjellësve, kanalizimeve, impianteve të përpunimit të ujërave të zeza. Dua të theksoj se në historinë e këtij vendi, për fat të keq të shqiptareve, impianti i parë i përpunimit të ujërave të zeza u inaugurua në fund të vitit 2005. Por, sot, ne kemi ndryshuar shumë. Sot, ne kemi ndërtuar impiante të tilla në Pogradec dhe krahu ynë i liqenit është një ndër më të pastrit në Europë; kemi ndërtuar një impiant të madh në Durrës, i cili do të bëjë që ujërat e Durrësit të jenë ujërat më të pastra të deteve të Europës; inauguruam impiantin në Shëngjin, së shpejti në Vlorë, Sarandë, Velipojë. Ne zotohemi se do t’i bëjmë ujërat e lumenjve, liqeneve dhe deteve tona, ujërat më të pastra që mund të ekzistojnë, do t’i rikthejmë ato në pastërtinë e tyre natyrale, do t’i bëjmë të pastra siç është vetë Korça, mjedisi shqiptar. Për Korçën turistike impianti është një shenjë zhvillimi shumë pozitive. Së shpejti fillojmë ndërtimin e landfill-it. Fondet dhe çdo gjë janë garantuar. Korça plotëson standardet më të larta në trajtimin mbetjeve ujore dhe të ngurta.
Këto vite të qeverisjes së PD në të katër anët e këtij qarku dhe në Korçe janë bërë investime dhjetëra herë më të mëdha se në çdo periudhe tjetër. Unë kam bindjen se çdo qytetar i këtij qyteti, Pogradecit, Bilishtit, Kolonjës, çdo fermer i këtij qarku vjen dhe konstaton ndryshimin e madh të këtyre viteve, infrastrukturën rrugore e cila shkon dora dorës drejt përfundimit të plotë të saj dhe Korça është një nga rrethet, një nga qarqet ku infrastruktura rrugore do të përfundohet më të së pari gjatë 2-3 viteve që vijnë.
Në Korçë ne kemi investuar, kemi financuar me grante, me kredi rreth 6 mijë familje fermerësh, por korçaret sot prodhojnë më shumë se kurrë, kanë një vizion të shkëlqyer për ndërtimin e një jete më të mirë, më të begatë. Ne do të bëjmë gjithçka për krijimin e vendeve të punës.
Gjatë këtyre muajve ne hoqëm taksat për çdo lloj makinerie për biznesin. Me uljen e parë të tasave në Korçë bizneset u dyfishuan. Ulja e dytë është dhe më e madhe dhe më inkurajuese, sikundër vendosëm siç kërkuan fermerët e Korçës, Myzeqesë dhe mbarë Shqipërisë, rimbursimin e plotë të të gjitha makinerive , inputeve dhe çdo gjë tjetër që përdoren në bujqësi, blegtori, peshkim, trefishimin e grateve. Pra ne synojmë një krijim të madh te vendeve të punës, në qytet, në fshat dhe kudo.
Kjo është alternativa jonë, e cila ka shumë djersë, mundime , sakrifica, por një gjë është e sigurt, ajo ka sukses dhe kjo është e faktuar. Kur ne inauguruam impiantin e parë në histori në dhjetor të 2005, askush nuk e besonte se në një hark të shkurtër kohor ne do të ndërtonim 14 të tilla në mbarë vendin, por ja që u bë realitet.
Vetëm pak vite më parë shumica dërrmuese e rrugëve të këtij rrethi ishin të paasfaltuare, ishin të shkatërruara, ishin sinonim i baltës, ndërsa sot ju udhëtoni si qytetarë dinjitozë, si fermerë dinjitozë. Ndërsa ata që nuk e kanë rrugën ende i garantoj se do tua ndërtojmë me përparësinë më të madhe.
Ne i mbajmë premtimet tona. Mund të ndodhe ndonjëherë, ndonjë shtyrje në kohë , por ju garantoj se kurrë nuk i lemë pa realizuar ato.
Parlamenti miratoi para dy muaj marrëveshjen e kredisë për rrugën Qafë Plloçë- Qukës. Ai ishte një premtimi ynë dhe unë kam besim që së bashku me ju, së bashku me banorët e Mokrës të fillojmë punimet gjatë këtyre dy muajve që vijnë dhe do ta përfundojmë atë në të gjithë gjatësinë e saj.
Qytetarë dhe qytetare të Korçës,
duke ju ftuar të zhvillojmë së bashku fushatën më dinjtoze për ju, për vlerat tuaja, vlerat e shqiptarëve ju bëj thirrje që më 23 qershor të mendoni cila është alternativa e PD dhe e koalicionit të saj dhe hidhni sytë për një moment se cila është alternativa tjetër. Alternativa tjetër është akuza, akuza, akuza, shpifje, shpifje, bllokim , bllokim dhe vetëm bllokim. Kjo është e vërteta. Ata nuk votuan tre ligjet për t’i bllokuar shqiptarëve statusin. Ata nuk kanë votuar për heqjen e vizave, por ne së bashku i realizuam ato. Ata nuk votuan për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Bënë gjithçka për ta bllokuar me bilbila, por ne e firmosëm atë. Ata nuk votuan për ndërtimin e rrugës Korçë –Qaf Plloçë, por ne e ndërtuam atë. Ata nuk votuan për ndërtimin e unazës së Korçës, për ndërtimin e këtij impianti, për ndërtimin e landfillit të së shpejti, por ne i ndërtojmë ato dhe i ndërtuam. Këta deputetë që keni këtu, mbajtën parlamentin deri në 5 të mëngjesit që të bllokonin ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan, e cila do të shkurtojë distancën me Tiranën. Ata nuk pendohen me bllokimet e tyre sepse nuk kanë interesat tuaja. Në rast se ata do të kishin interesat tuaja, kurrë nuk do tu shkonte ndër mend që të votonin në prag të zgjedhjeve kundër kredisë për rrugën Qafë Plloçë –Qukës. Për ata më mirë të mos ndërtohej rruga dhe t tregonin me gisht Sali Berishën se po mashtronte korçaret, se sa të ndërtohej rruga dhe korçarët të shkojnë në Tiranë në gjysmën e kohës.
Programi ynë është një program i qartë. Ne kemi rritur rrogat, pensionet. Në të gjitha rastet dhe është unike në Evrope dhe ndofta në botë, një opozitë që voton kundër rritjes së rrogave dhe pensioneve. Unë i garantoj shqiptarët se ato do të rriten tani së shpejti dhe do të vazhdojnë të rriten çdo vit. A mundet një opozitë të votojë kundër rritjes së pensioneve të atyre grave dhe burrave të moshuar që kanë tretur muskujt e tyre, energjitë e tyre në kooperativat bujqësore dhe shpërblehen fare pak. A mund t’u behet kjo pensionistëve tanë në qytet, që më vështirësi përballojnë ditën dhe muajin me shpenzimet e tyre!? A mundet të votohet kundër rritjes së rrogave të mësuesve, mjekëve, infermierëve!? Një opozitë vetëm kokëposhtë mund ta bëjë këtë. Në çdo vend të botës, opozita në këto raste, bën betejën më të madhe që të rrisë edhe më shumë përqindjen e rritjes ë rrogave dhe pensioneve, kurse këtu ndodhi e kundërta. Do të mbeten të pashlyera në memorien time rritja e rrogave dhe pensioneve në vitin 2010, kur ata deklaronin se kjo është një vepër kriminale. Kriminale do të ishte po të mos i rrisnim, po të mos bënim asgjë për të qetësuar dhimbjen e pensionistëve tanë, për të mos mbështeture mësuesit, infermierët, mjekët, punonjësit re administratës. Prandaj këto zgjedhje janë një zgjedhje e madhe për të vazhduar ndryshimin për punësimin, për mirëqenie, për integrim. Përpara, përpara , përpara!”
17/05/2013