Fjala e Kryeministrit Berisha në seancën plenare të Kuvendit
Kryeministri Berisha, gjatë fjalës së mbajtur sot, në seancën plenare të Kuvendit, u ndal në vizitën e zhvilluar një ditë më parë në Tiranë të ministrit të Jashtëm të Italisë, z. Franco Frattini dhe ministrit të Jashtëm të Greqisë, z.Stavros Lambrinidis, të cilët erdhën në Shqipëri si përfaqësues të Këshillit të Ministrave të BE-së. Kryeministri shprehu mirënjohjen e thellë të qeverisë shqiptare dhe mazhorancës për qëllimet miqësore të kësaj vizite dhe mbështetjen e madhe të shprehur prej tyre në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha i bëri thirrje opozitës që së bashku, të dy palët të hartojnë një rezolutë, në të cilën të shprehen zotimet dhe axhenda konkrete e hapave të mëtejshëm në procesin e integrimit europian.
Në fjalën e tij të plotë, Kryeministri u shpreh:
“E nderuar zonja Kryetare,
Zotërinj deputetë,
Të dashur qytetare e qytetarë shqiptarë,
Jam sot, këtu, për të shprehur mirënjohjen e thellë të qeverisë shqiptare dhe mazhorancës ndaj dy miqve që erdhën dje në Shqipëri, me qëllimet më miqësore ndaj këtij vendi, përfaqësuesve të dy vendeve që në këto 20 vite kanë dhënë një kontribut të madh dhe mbështetje të gjithanshme Shqipërisë dhe shqiptarëve, por njëkohësisht, dy ministrat e Jashtëm, të Republikës italiane dhe Republikës helene erdhën si përfaqësues të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian.
Miqtë tanë, të cilët shprehën para shqiptarëve qëllimin e vizitës së tyre, kërkonin që këtu të mos bllokohet më tutje procesi i integrimit. Ata erdhën në një kohë kur forcat politike, me deklaratat e tyre, kanë pohuar se do të punojnë me përkushtim për integrimin e vendit. Ata erdhën në një kohë kritike, në çastet më të fundit, në mënyrë që ky proces të mund të ndihmohet.
Unë jam sot, këtu, për t’i bërë thirrje opozitës që së bashku të hartojmë një rezolutë, në të cilën të shprehim zotimet dhe axhendën tonë për procesin e integrimit. Unë, sigurisht, pavarësisht nga skepticizmat, besoj se qëndrimet e veta, opozita nuk i merr dhe nuk i përcakton për hir të qeverisë. Qëndrimet e veta, opozita i bazon dhe duhet t’i bazojë në programin e saj si forcë politike, i bazon dhe duhet t’i bazojë në funksion të realizimit të qëllimeve të saj dhe kjo është normale. Tani është momenti që të faktojmë se deklaratat tuaja se do votoni të gjitha çështjet që lidhen me integrimin janë të vërteta dhe reale, apo janë një blof i radhës, me të cilin kërkohet vetëm një gjë, të blihet kohë, me të cilin kërkohet vetëm një gjë, të mund t’u hidhet hi syve shqiptarëve se ”ne po themi se do votojmë, por nuk do votojmë dhe ne nuk po pengojmë”. Unë besoj se në rrafshin politik ky qëndrim do të ndëshkonte çdo shqiptar, por do të ndëshkonte në mënyrë të parikthyeshme autorët e tij.
Unë i kam ndjekur deklaratat në gjithë këto ditë e javë dhe ajo që më bën përshtypje është ideja se mund ta bëjnë parlamentin, shesh pazaresh. Unë ju garantoj se do të keni respektin më të plotë nga kjo mazhorancë. I tërë ky respekt do të bazohet në ligjin dhe Kushtetutën e vendit, do bazohet jo në pazare dhe jo në kushte. Ne nuk ju vendosim asnjë kusht. Unë ju siguroj se sa të jem në qeveri, nuk do të keni kurrë kushte nga kjo qeveri, por përpjekjet për të vendosur kushte ndaj saj, nuk janë gjë tjetër veçse atavizma që janë faktuar në qindra raste të pasuksesshme, të çdo forme që ato janë ndërmarrë.
A doni të bashkëpunojmë? Jeni të mirëpritur. A doni të japim një sinjal, sepse u kthyet në parlament dhe mirë bëtë, zutë vendet tuaja të punës e deklaruat se do të votojmë? Atëherë urdhëroni, por sot kërkuat tërheqjen e ligjit për Gjykatën Administrative. Dakord, por e keni e votuar në komision me të gjitha votat dhe janë procesverbalet, por nuk ka rëndësi, shqyrtojeni sërish. Dhe shqyrtoni çdo ligj. Por ka dy gjëra. Kalendat greke, çdo shqiptar do t’i quajë si blofin e radhës. Ministri grek dhe ai italian erdhën si dy miq, me ndjenjat më miqësore, për të na ndihmuar dhe është në traditën e mikpritësit për të bërë një gjest dhe na takon neve të bëjmë një gjest që, pavarësisht se çfarë efektesh mund të ketë, të paktën të dëshmojmë një ndjenjë mirënjohjeje për aktin e tyre. Ndaj është më mirë që dy përfaqësitë e grupeve të ulen të hartojnë një rezolutë për integrimin, të çojmë këtë mesazh drejt Brukselit.
Zotërinj, në qoftë se mendohet se duke bllokuar procesin e integrimit dëmtohet qeveria, absolutisht jo, dëmtohen qytetarët shqiptarë para së gjithash dhe më shumë se të gjithë, ata që bllokojnë, sepse qeveria ka të gjitha mjetet për të faktuar se ajo ka bërë e do të bëjë çdo gjë që ka në dorë për këtë proces, siç bëri për vizat, një proces që nuk kërkonte ligje me tre të pestat, por bëri gjithçka. Nuk ka gjë më të rëndësishme se njeriu të lexojë e analizojë veprimet e veta. E gjithë përpjekja që u bë për të penguar vizat duhet të krijojë tek çdo njeri një brejtje ndërgjegjeje, e cila mund të dëshmohet se po korrigjohet me një qëndrim të ri ndaj procesit të integrimit, në interes të fëmijëve e të rinjve të këtij vendi, burrave, grave e të moshuarve të këtij vendi, zgjedhësve të të gjitha ngjyrave. Ne mbetemi plotësisht të hapur.
Ju ftoj paralelisht me këtë, të sillni javën që vjen, kandidaturën për Avokatin e Popullit. Ne i qëndrojmë plotësisht ofertës që ai të propozohet nga opozita, pa kandidat alternativ nga mazhoranca dhe të mos bëheni idhnakë, madje idhnakë me qëllime të caktuara. Ejani të mbushim postin e Avokatit të Popullit.
Ju keni kërkuar mbledhjen e Komitetit të Integrimit për të shqyrtuar strategjinë. Ju përgëzoj. Strategjia është gati, shqyrtojeni dhe sugjeroni të gjitha problemet që doni. Kryetari juaj ka ngarkuar dy deputetë tuaj për të eksploruar Komitetin Ad hock. Ejani ta eksplorojmë bashkërisht, të ngarkojmë edhe ne dy deputetë e të eksplorojmë modalitetet e ngritjes dhe funksionimit të Komitetit Ad hock.
Kohë për të shkëmbyer replika, sulme e kundërsulme kemi, të cilat duhen, nuk them jo, por krahas tyre duhet të vendosim edhe këto shtylla pune. Unë besoj se kjo nuk dobëson aspak rolin dhe peshën e opozitës, e kundërta ndodh. Kjo rrit dhe ridimensionon rolin e peshën e opozitës. Le të bëjmë dy tre gjeste dhe flas hapur nuk mund të them se cili do të jetë efekti, nuk mund të them se cila do të jetë jetëgjatësia, por t’i bëjmë si një akt të qytetëruar. Dy miq erdhën dhe i falënderoj për këtë, kërkuan disa gjëra shumë të thjeshta, kërkuan të mbushim postin e Avokatit të Popullit. Ejani ta votojmë javën që vjen, nuk ndodh gjë po sollët kandidaturën e tij dhe ne do të votojmë kandidaturën që ju do të sillni. Kjo është normale. Ka qenë gjithnjë në idenë time që Avokati i Popullit duhet të jetë nga opozita dhe kam kënaqësi për këtë. Për sa i përket rezolutës, ju nuk përtoni për rezoluta, ndaj ejani të krijojmë komisionin e të hartojmë rezolutën. U ngarkua zoti Gjiknuri dhe zonja Hysi për komisionin Ad hock, por ata do ta eksplorojnë atë me kundërpartin e vet, pasi me ju nuk kanë ç’të studiojnë, juve do t’jua paraqesin. Ndaj të ulen të studiojnë modalitetet. Këto janë hapa të vogla, por, absolutisht, në interes të plotë të të gjithëve. Ky është mesazhi që desha të sjell tek ju”.
13/09/2011