E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet me delegacionin e ODIHR, të kryesuar nga zoti Jonathan Stonestreet

Kryeministri Berisha priti në takim delegacionin e ODIHR, i cili kryesohej nga Kryetari i misionit të ODIHR për vëzhgimin e zgjedhjeve vendore të 8 majit 2011 zoti Jonathan Stonestreet.

Zoti Stonestreet falenderoi kryeministrin Berisha për pritjen si dhe çmoi asistencën dhe bashkëpunimin që qeveria shqiptare i ofroi misionit vëzhgues përgjatë periudhës së vëzhgimit. Ai gjithashtu vlerësoi deklaratën e bërë nga kryeministri pas publikimit të raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR.

Kryeministri Berisha falenderoi nga ana e tij zotin Stonestreet dhe misionin që ai drejtoi për punën e kryer si dhe e çmoi raportin e ODIHR si realist e që vë në pah progresin e zgjedhjeve te 2011 karshi zgjedhjeve te shkuara ne permbushjen e standarteve si dhe nevojat për përmirësim të procesit zgjedhor. Kryeministri u shpreh se cilesimi i zgjedhjeve si transparente dhe kompetitive eshte nje vleresim qe permbledh te gjitha standartet qe ka arritur procesi zgjedhor i 2011. Kryeministri nënvizoi se rekomandimet e ODIHR në raportin e vitit 2011 sëbashku me rekomandimet e vitit 2009 përbëjnë një bazë shumë të mirë procesin e reformës zgjedhore. Ai siguroi delegacionin e ODIHR se mazhoranca ka vullnetin e plotë për ti trajtuar të gjitha rekomandimet në mënyrë konsensuale me opozitën dhe se ajo është e gatshme që puna për to të fillojë menjëherë me ngritjen e komisionit parlamentar.

Kryeministri Berisha dhe zoti Stonestreet ndanë të njëjtin mendim se reforma e ardhshme duhet të përfshijë edhe institucionet përgjegjëse si KQZ dhe organizatat e shoqërisë civile të specializuara në çështjet zgjedhore. Kryeministri Berisha theksoi se tryeza e reformës zgjedhore e iniciuar nga mazhoranca në vjeshtën e vitit 2010 kishte pikërisht këtë frymë gjithëpërfshirëse dhe është një precedent i mirë në këtë drejtim.

Kryeministri ftoi ODIHR dhe Komisionin e Venecias të japin ekspertizën e tyre në procesin e reformës dhe rikonfirmoi qëndrimin se mazhoranca mirëpret propozimet e opozitës të bazuara në rekomandimet e ODIHR dhe të çertifikuara nga këto dy institucione prestigjioze.

Zoti Stonestreet e mirëpriti ftesën dhe siguroi për gadishmërinë e ODIHR që në bashkëpunim me Komisionin e Venecias të asistojnë procesin e ardhshëm të reformës zgjedhore.


13/09/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›