Kryeministri Berisha uron nxënësit për fillimin e vitit të ri shkollor 2011- 1012

Kryeministri Berisha uroi sot nxënëset dhe nxënësit e të gjithë shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të vendit për fillimin e vitit të ri shkollor 2011 - 2012. Gjatë një vizite në shkollën e mesme profesionale të Hoteleri – Turizmit, në Tiranë, Kryeministri Berisha uroi që ky vit të shënojë për nxënësit shqiptarë në tërësi dhe për shoqërinë shqiptare një nivel më të lartë dijesh, një shkallë më të lartë përgatitjeje, si kusht i të gjitha kushteve për të ecur të sigurt në projektin “Shqipëria vend i zhvilluar”. Gjithashtu, Kryeministri Berisha u shpreh se ky vit shkollor nis pasi reformat në fushën e arsimit po japin rezultatet e para shumë premtuese.
Duke u ndalur në rëndësinë e arsimit profesional, Kryeministri Berisha përshëndeti shtimin e numrit të nxënësve që ndjekin shkollat profesionale dhe i ftoi qytetarët shqiptarë që fëmijët e tyre t’i adresojnë në këto shkolla. “Ne do të bëjmë gjithçka që raporti shkolla profesionale - shkolla të përgjithshme të arrijë në raportin e vendeve të zhvilluara, ku është 1 me 1, 50 përqind me 50 përqind”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Më pas, Kryeministri vizitoi disa nga ambientet e shkollës së Hoteleri – Turizmit dhe u shpreh i impresionuar për nivelet e larta dhe kushtet shumë të mira të mësimdhënies. Kjo shkollë, - vijoi Kryeministri Berisha, - është shndërruar në një nga institucionet më kryesore të përgatitjes së specialistëve në fushën e turizmit në vend.
Më gjerësisht në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Të dashur nxënëse dhe nxënës,
Mësuese dhe mësues,
Prindër e familjarë të nxënësve të shkollës së mesme Hoteleri - Turizëm,
Zoti ministër, zonja drejtoreshë e arsimit, drejtoreshë e shkollës,
Të nderuar mësues,
Sot është një ditë e veçantë për të gjitha familjet shqiptare, për të gjithë fëmijët, nxënëset dhe nxënësit e mbarë vendit që nisin vitin e ri shkollor. Fillimi i vitit të ri shkollor është fillimi i garës më të bukur të njeriut, i garës më të bukur të shoqërisë, i garës më të rëndësishme të kombit, siç është gara e dijes. Ndaj unë ju uroj ju, uroj të gjithë fëmijët shqiptarë, nxënëset dhe nxënësit në tërësi, e në veçanti vogëlushët që ulen për herë të parë në bankat e shkollës: suksese, një vit të mbarë e plot arritje dhe mbarësi për të gjithë! Uroj që ky vit, për secilin prej jush, për nxënësit shqiptarë në tërësi dhe për shoqërinë shqiptare të shënojë një nivel më të lartë dije, një shkallë më të lartë përgatitje, si kusht i të gjitha kushteve për të ecur të sigurt në projektin tonë “Shqipëria vend i zhvilluar”.
Të dashur nxënëse dhe nxënës,
Ju nisni këtë vit shkollor pasi reformat në fushën e arsimit po japin rezultatet e para shumë premtuese. Nuk ka asgjë më të vështirë, nuk ka ansjë garë më të vështirë sesa gara e dijes, por ajo është gara që përcakton dhe suksesin e të gjitha garave të tjera. Me një përpjekje të madhe sistemi arsimor iu nënshtrua reformave të thella gjatë këtyre viteve të fundit. Ne kemi vendosur që në këtë garë të pranojmë krahasimin me vendet më të zhvilluara, kemi vendosur që në këtë garë të pranojmë të vlerësohemi dhe të certifikohemi duke u krahasuar me këto vende. Natyrisht, baza nga ne nisëm këto krahasime dhe këto vlerësime ishte shumë e shumë herë më e ulët krahasuar me bazën mbi të cilën bëhet vlerësimi i vendeve të zhvilluara. Por reformat e ndërmarra, shtrirja e internetit në çdo shkollë, mbidyfishimi i rrogave të mësuesve, pranimi në shkollat e mesme të mbi 90 përqind të atyre që mbarojnë klasën e 9-të kanë dhënë rezultatet e para lakmuese e premtuese. Në studimin më serioz që bëhet sot mbi arsimin, fëmijët shqiptarë, për sa i përket leximit jashtë shkollor, i cili është një nga treguesit më cilësor të formimit të nxënësve, qëndrojnë në çatinë e botës, në krye të listës së vendeve më të zhvilluara të botës. Këtë vit ne do vlerësohemi dhe certifikohemi për matematikën. Unë ju garantoj se qeveria do të bëjë gjithçka deri sa ju, në garën tuaj fisnike, të zini një nga vendet më të mira, më të nderuara dhe më të vlerësuara në botë.
Të dashur nxënëse dhe nxënës,
Unë shkollën tuaj nuk e zgjodha rastësisht, por sepse jam i impresionuar nga arritjet e kësaj shkolle, e cila ka një traditë të gjatë si shkollë profesionale. Sot kjo shkollë është përshtatur në mënyrë të shkëlqyer me kërkesat e tregut. Sot kjo shkollë është shndërruar në një nga institucionet më kryesore të përgatitjes së specialistëve në fushën e turizmit. Për Shqipërinë, pas potencialit njerëzor, pas mendjes, imagjinatës, vizionit, intelektit, potenciali turistik është potenciali i saj më i madh, është potenciali që zhvillohet dhe shpaloset me shpejtësinë më të madhe. Ndaj dhe për ne, përgatitja e specialistëve në të gjitha fushat e turizmit ka një rëndësi jetike, në mënyrë që vlerat e pafundme turistike të këtij vendi të mund të shndërrohen në mirësi për qytetarët shqiptarë, për shoqërinë shqiptare, për kombin në tërësi. Në një hark kohor gjashtë vjeçar fluksi turistik, ardhjet e turistëve në Shqipëri, janë rritur me 12 herë, çka do të thotë se ne duhet të dhjetëfishojmë përpjekjet tona për të përballuar siç duhet dhe për të krijuar këtu shërbimet më të mira ndaj miliona e miliona turistëve që vijnë nga e mbarë bota për të kaluar pushimet, pjesën më të bukur të jetës së tyre.
Të dashur nxënëse dhe nxënës,
Unë vizitova disa nga mjediset e shkollës tuaj dhe mbeta vërtetë shumë i kënaqur për nivelet e larta dhe kushtet shumë të mira të mësimdhënies. Në rast se ju do të lexonit se përse vijnë kaq shumë turistë në Shqipëri, se përse agjencitë më të mëdha turistike të botës shpallin Shqipërinë një nga perlat, një nga bukuritë më mahnitëse, një nga destinacionet më kryesore të turizmit botëror, do të shihni se e shpallin të tillë së pari për bukuritë e mëdha që ka Shqipëria, e shpallin për mikpritjen e shqiptarëve, por e shpallin dhe për shërbimet e ushqimin shumë të shijshëm e shumë të mirë që ata gjejnë në Shqipëri. Një mik imi priti dje një mysafir të huaj, i cili vjen periodikisht në Shqipëri. Dhe ai i thotë – “interesant se si ndryshon profili i ushqimit në vendin tuaj. Pak vite më parë unë vija këtu dhe gjeja imitime të kuzhinës italiane, ndërsa sot shërbehet dhe shijon ushqime e meny shumë më mirë sesa në restorantet tona”. E vërteta është se ky vend është sot i njohur dhe do të bëhet gjithnjë e më i njohur për cilësinë e shërbimit, për cilësinë e ushqimeve dhe për menaxhimin e mirë.
Arsimi profesional përbën dhe një nga problemet për tu zgjidhur në arsimin shqiptar. Unë u gëzova kur mora vesh se nga 200 nxënës që regjistroheshin vitet e kaluara në vitin e parë, këtë vit regjistrohen 270 nxënës. Thirrja ime për qytetarët shqiptarë është që t’i adresojnë fëmijët në shkollat e mesme profesionale. Unë i garantoj ata se nuk kanë as edhe shmangien më të vogël nga ndjekja e universiteteve. Por ata i japin fëmijës njohuri të dobishme, imediate për tregun dhe për gjithë jetën. Këtë vit numri i nxënësve që kanë hyrë në shkollat profesionale është rritur. Ne do të bëjmë gjithçka që raporti shkolla profesionale - shkolla të përgjithshme të arrijë në raportin e vendeve të zhvilluara ku është 1 me 1, 50 përqind me 50 përqind. Dhe të jemi të sigurt se ata në Gjermani, në Zvicër, në France, në Itali, që i çojnë fëmijët në shkolla profesionale i çojnë me bindjen se bëjnë zgjidhjen më të mirë për ta.
Zoti ministër i arsimit,
Ju më informuat se shkollat profesionale do të funksionojnë dhe pasdite. Kjo është një ide e shkëlqyer. Shkollat profesionale duhet të jenë të hapura për të gjithë ata që punojnë gjatë ditës, por që pasdite duan të shkollohen, të lartësojnë më shumë dijen dhe profesionin e tyre.
Edhe një herë ju përshëndes. Shpreh besimin se shkolla juaj do të jetë një nga promotorët më kryesorë në vend në rritjen e vazhdueshme të cilësisë së shërbimeve në turizëm , degë kjo gjithnjë e më kryesore në ekonominë shqiptare.
Gëzuar ju ditën e parë të fillimit të shkollës!
Gëzuar të gjithë shkollarëve të Shqipërisë, mësueseve dhe mësuesve të vendit.
Faleminderit!"
12/09/2011