E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret një delegacion të udhëheqësve shpirtërore të Izraelit, të kryesuar nga kryerabini Yona Metzger

Kryeministri Berisha priti sot, në takim, një delegacion të udhëheqësve shpirtërore të Izraelit, të kryesuar nga kryerabini Yona Metzger.

Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha e vlerësoi këtë vizitë si një kontribut i rëndësishëm në marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve e popujve, por edhe në aspektin e lidhjeve shpirtërore të komunitetit hebre që banon në Shqipëri.

Rabini Metzger e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë e miqësore dhe i shprehu mirënjohjen më të thellë të hebrenjve anembanë botës për mbrojtjen që shqiptarët u bënë hebrenjve të Shqipërisë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke mos i dorëzuar në duart e nazistëve. Rabini Metzger shprehu gjithashtu kënaqësinë e veçantë që takohej me Kryeministrin Berisha, figura e të cilit  gëzon një reputacion shumë të lartë në Izrael, për kontributin e tij për Shqipërinë dhe konsolidimin e  demokracisë në vend.  

Në takim u vlerësua miqësia tradicionale midis dy kombeve, si një thesar i rëndësishëm në themelet e marrëdhënieve shumë të mira që ekzistojnë sot midis dy popujve, qeverive dhe vendeve.

Rabini Metzger e falënderoi Kryeministrin Berisha për mbështetjen e tij dhe të qeverisë shqiptare, për rivitalizimin e komunitetit hebre dhe rindërtimin e institucioneve shpirtërore të tij në Shqipëri. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha e garantoi se komuniteti hebre dhe institucionet shpirtërore të tij në Shqipëri do të gëzojnë mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare si të gjitha komunitet tjera shpirtërore në vend. Shqiptarët si një komb multireligjiozë janë krenarë për traditën e tyre të shkëlqyer të tolerancës fetare, të ruajtur prej shekujsh.

Në takim u rikonfirmua vullneti i dy vendeve dhe popujve për të konsoliduar miqësinë dhe zgjeruar marrëdhëniet.  


13/09/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›