E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha në takimin me banorë të disa komunave, në Krutje, Lushnjë, në vijim të turit “Shqipëria në NATO”

Në vijim të turit Shqipëria në NATO, Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me banorë të disa komunave në Krutje, Lushnjë.

Në fjalën e tij, Kryeministri u shpreh:

Dua t’ju përshëndes vëllazërisht dhe të shpreh kënaqësinë e madhe, sepse unë vij tek ju sot pasi këtë vit, Shqipëria përjetoi një nga momentet më të mëdha në historinë e saj, ftesën për t’u bërë anëtare e Aleancës së Atlantikut të Veriut, aleancës më të madhe të lirisë që kohërat kanë njohur në të gjithë shekujt e mijëvjeçarët.

Ftesa për në NATO  është meritë e historike e atyre që në vitin 90 mbushën rrugët e sheshet e Tiranës dhe Shqipërisë, nën thirrjen “Shqipëria në NATO”, është meritë e atyre, të cilët për 15 vjet me radhë vendosën me Aleancën bashkëpunimin më luajal, është meritë të cilët me mendjen, zemrën, përkushtimin e tyre, punën, djersën, mbështetën zhvillimin e demokracisë dhe ekonomisë së tregut në Shqipëri. Kur vjen çështja te puna, ju, banorë të Krutjes e të mbarë Myzeqesë renditeni të parët në Shqipëri.

Ftesa për në NATO ishte për ne arritja më e madhe për sigurimin e lirive tona, që nga koha e Skënderbeut deri sot. Liria e shqiptarëve ka garancitë më të mëdha në të gjitha kohërat, ashtu siç do t’u thoshte presidenti amerikan Xhorxh Bush, në sheshin e Shën Markut në Zagreb, shqiptarëve dhe kroatëve se, tani e tutje kush do të guxojë të cenojë liritë tuaja do të përballet me SHBA, do të përballet me NATO-n.

Asnjë komb nuk ka sakrifikuar më shumë se ne për ekzistencën tonë, asnjë komb nuk ka vuajtur më shumë se ne për të qenë të lirë. Sot e përgjithmonë ne kemi liritë e garantuara.

Ftesa për në NATO erdhi para së gjithash nga reformat të cilat transformuan Shqipërinë nga një vend të përçmuar, në një vend të nderuar, nga një vend i përfolur, në një vend të respektuar, nga një vend të dyshimtë në një vend të besuar. Këto ishin reformat tona. Reformat dhe vetëm reformat kanë qenë përcaktuese në këtë .

 Ne u pranuam në Aleancën e sigurisë sepse u dëshmuam partnerëve tanë se jemi të vendosur të sigurojmë jetën e qytetarëve tanë, të sigurojmë pronën e tyre, fëmijët e tyre, se ne jemi të vendosur që rrugët e fshatrave, të qyteteve tona, të jenë rrugët e sigurisë për të gjithë qytetarët.

Ne u dëshmuam partnerëve tanë se në luftën kundër kriminalitetit nuk na dridhet dora e as na shkrep syri dhe jemi të vendosur të vazhdojmë te zero tolerancë ndaj tij, jemi të vendosur t’i kapim për zverku kriminelët kudo që ndodhen, në Tiranë, në Lushnjë, në Tropojë, në Alpe, a në çdo qytet të Europës. Zero tolerancë është qëndrimi ynë ndaj tyre. Siguria juaj, e fëmijëve tuaj dhe e veprimtarive tuaja është qëllimi ynë më madhor.

Ne u dëshmuam partnerëve tanë se jemi serioz e të vendosur në luftën kundër korrupsionit, këtij kanceri që vazhdonte të rinonte çdo ditë shqiptarët, këtij fenomeni që u bë burim i të gjitha të këqijave, i cili vetëm në taksa dhe tatime ju grabiste 1.4 miliardë dollarë.

Tre vjet më parë, kur ne erdhëm në pushtet, administrata tatimore e doganore, kontrabandistët dhe evazorët grabisnin nga buxheti i shtetit 1.4 miliardë dollarë. 

Tre vjet më parë kur erdhëm në pushtet, 70 përqind e prokurimeve publike bëheshin direkt. Tre vjet më parë kur erdhëm në pushtet qindra milionë euro shpërdoroheshin për ahengje, udhëtime, shpërblime, telefonata, makina, naftë për administratën shtetërore. Tre vjet më parë, kur ne erdhëm në pushtet, ministrat kishin monopolet e ushqimeve, naftës, ndërtimeve, etj. Tre vjet më parë, kur ne erdhëm në pushtet, çdo i ri shqiptar paguante ryshfet për të hyrë në universitete. Tre vjet më parë, kur ne erdhëm në pushtet, Shqipëria ishte vendi i mijëra bordeve të korruptuara të cilat, si shushunja, thithnin gjakun tuaj, djersën tuaj, paratë tuaja.

Sot beteja kundër korrupsionit përbën një nga arritjet më madhore tuajat dhe të qeverisë sime. Le t’ju referohemi fakteve. Sot sërish ka korrupsion, por sot ju informoj se të gjitha bordet janë nxjerrë nga konflikti i interesit dhe se janë kursyer qindra milionë euro nga abuzimet në administratë. Sot, kryeministri juaj, administrata e tij, shpenzon 30 për qind më pak, pra 110 milionë euro më pak sesa administrata paraardhëse.

Sot ligji ka vendosur prapa prangave dhjetëra e dhjetëra zyrtarë të të gjitha niveleve. Jam këtu për t’u dhënë fjalën se cilido që do gabojë, që do abuzojë me paratë tuaja, do të marrë përgjigjen më të egër ligjore.

Sot të gjitha prokurimet janë të hapura. Nuk ka më asnjë prokurim direkt. Ne dje kemi realizuar prokurimin e parë elektronik dhe unë ju jap fjalën se me përkushtimin më të madh ne do të bëjmë që të gjitha prokurimet e vendit të jenë elektronike, ku asnjeri të mos dijë se kush është ofertuesi dhe kush është vlerësuesi.

Prej 3 vjetësh vajzat dhe djemtë shqiptarë i kanë të hapura dyert e universiteteve dhe nuk japin më asnjë qindarkë ryshfet.

Sot nga taksat dhe tatimet, ne ia kemi dalë të nxjerrim nga kthetrat e kontrabandistëve, evazorëve, informalëve 1. 2 miliardë dollarë, ndonëse kemi bërë uljen më të madhe të taksave. Kemi ulur me 20 përqind koston e prokurimeve.

Këto janë shifra. Le t’u kthehemi fakteve të tjera. Ku shkojnë këto para? Ne kemi çuar për të tretin vit rresht një buxhet të dytë në parlament. Me këto lekë kemi rritur me 50 për qind rrogat e mësuesve, kemi rritur me mbi 50 për qind rrogave të infermierëve tanë. Të marrë së bashku janë 54 mijë punonjës në Shqipëri.  

Ne vendosëm pensionin minimal në qytet që aktualisht është 110 dollarë. Ne vendosëm pensionin minimal në fshat 63 mijë lekë, nga 34 mijë ketë që ishte. Kemi vendosur çdo vit për rritjen e rrogave dhe pensioneve 13 miliardë lekë, kundrejt vetëm 4.1 miliardë që vendosnin në maksimum qeveritë e mëparshme.

Po rikthehem sërish në jugun e Shqipërisë, vetëm vit ne investojmë 1.2 miliardë dollarë, investojmë 90 miliardë lekë, investojmë 8 herë më shumë se viti kulmor i qeverisë së mëparshme. Nga Konispoli në Vermosh, në Valbonë, Shqipëria e tëra është në ndërtim të rrugëve të saj. Ne u kemi dhënë fjalën shqiptarëve se do ta bëjmë Shqipërinë me rrjet europian rrugësh. Ne po ndërtojmë qindra kilometra autostrada, superstrada dhe rrugë të standardeve europiane.

Por, le t’i hedhim sytë në zonën tuaj. Kam kënaqësinë t’ju informoj se në investimet tona në rrugët e kësaj zone, janë rreth 500 milionë lekë. Tre vjet më parë kemi ardhur në rrugën e Fier Sheganit, me një fuoristradë, se vetëm ashtu mund të vihej dhe së bashku me Ilir Banon ju premtuam se do të bëjmë një rrugë europiane. E vizitova sot këtë rrugë në të gjithë trajektoren e saj është duke përfunduar dhe këtë vit do të inaugurohet, një rrugë 13 km, me dy korsi. Unë dua t’ju siguroj se pas kësaj do të vazhdojë rruga deri në Divjakë, vazhdon rruga Karbunarë e madhe, rruga Hysgjokaj, rruga kombëtare Karbunarë- Fier – Shegan.

Ne kemi investuar në këtë zonë dhe mos mendoni se ju kemi mbajtur me hatër, por kështu kemi investuar në çdo zonë dhe do të investojmë kudo, për të gjithë shqiptarët. Kemi investuar 260 milionë lekë në ujësjellës, 90 milionë lekë janë investuar në ujësjellësin që furnizon 7 fshatra në këtë zonë, tubacioni i Gajd Toshkës një investim rreth 70 milionë, 13 milionë në ujësjellësin Qerret i Ri- Qerret i Vjetër, etj. Pra, kemi përmirësuar furnizimin me ujë të pijshëm për fshatrat e kësaj zone.

Investime serioze janë bërë në shkolla, në Zhelizhan, në Karbunarë unë premtova gjithashtu ndërtimin e një shkolle të mesme.

 Pra lufta kundër korrupsionit është shndërruar në vepra publike, në rrugë, ura, ujësjellës, rrugë, etj. Këto janë projektet e mëdha dhe premtimet e mëdha të qeverisë sime.    

Ju jeni një nga zonat më të fuqishme të vendit. Unë ju jap fjalën ju dhe ju garantoj se kjo qeveri është dhe do të mbetet gjithnjë me ju.

Këtë vit ne kemi dyfishuar grantin për bujqësinë, nga 500 milionë në 1 miliardë dhe vitin që vjen do ta bëjmë dy miliardë.

Këtë vit ne kemi vendosur kompensimin e TVSH-së nga e cila fermerët shqiptarë përfitojnë së paku 60 milionë euro. Këtë vit ne kemi vendosur të kompensojmë qindarkë për qindarkë rritjen e çmimit të ushqimeve dhe të mbrojmë prodhimet tuaja. Ne nuk kemi pranuar të ulim apo të heqim taksat e importit as për grurin, miellin apo prodhime të tjera.

Këtë vit ne do të bëjmë sërish një rritje të ndjeshme të pensioneve të fshatit dhe të qytetit në mbarë Shqipërinë.

Krutja, Lushnja, Shqipëria, janë bërë vend i NATO-s. Flamuri ynë valëvitet tani përkrah vendeve më të zhvilluara dhe më të lira të botës. Ju bëj thirrje të vazhdojmë së bashku përpjekjen e madhe për integrimin e Shqipërisë në NATO dhe BE.

Ju jap fjalën se do të bëjë çdo përpjekje që sa më shpejtë, ju qytetarë të Krutjes, Leshnjës dhe mbarë Shqipërisë, të lëvizni në mbarë Evropën pa viza.

Faleminderit”.  

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›