Kryeministri takohet me eksportues për të diskutuar krijimin e fondit të garantimit të kredive të eksportit
Kryeministri Berisha u takua sot paradite me përfaqësues të biznesit eksportues, si pjesë e dialogut konstant që qeveria ka vendosur me biznesin, për të paraqitur dhe diskutuar mbi draft vendimin për krijimin e fondit shtetëror të garantimit të kredive të eksportit.
Projekti, i përgatitur nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, përcakton krijimin e fondit shtetëror të garantimit të kredive të eksportit me vlerë prej 5 milion euro. Ky fond do të përdoret për të mbuluar kërkesat për kolateral te kredive te nxjerra me mjete xhiroje për kompanitë eksportuese, të kërkuara nga sistemi bankar shqiptar. Nga ky fond do të përfitojnë ndërmarrjet e angazhuara në eksportin e mallrave dhe të shërbimeve. Në skemën e garancisë do të përfshihen gjithashtu edhe kompani shqiptare që furnizojnë me mallra apo shërbime të vendit turizmin lokal apo edhe drejtpërsëdrejti turistët e huaj, pasi aktiviteti i tyre kontribuon në rritjen e rezervave valutore të vendit.
Ky është takimi i dytë mes qeverisë dhe eksportuesve, në një linjë me konsultimet e herëpashershme të qeverisë me biznesin, për të diskutuar problemet e eksportuesve dhe për të ndarë mendime për mënyrën e bashkëpunimit në ndihmë të zgjerimit të tregut dhe eksporteve. Kujdesi dhe vëmendja konstante që qeveria tregon në për nxitjen e prodhimit dhe rritjen e eksporteve ishte vlerësimi i përbashkët i përfaqësuesve të shoqatave të eksportuesve.
Kryeministri i konsideroi mbresëlënëse rezultatet e vitit në kaluar, ku eksportet e Shqipërisë drejt vendeve të tjera u rritën me 20 për qind. "Rritja e eksporteve përbën sukses të madh të sipërmarrjeve tuaja, por, njëkohësisht, kjo rritje, në një vit ku hapësirat e tregtisë së lirë janë zgjeruar, është edhe më shpresëdhënëse", u shpreh Kryeministri.
Përfaqësuesit e shoqatave të eksportuesve bënë prezente disa nga problemet dhe shqetësimet që ata ndeshin në aktivitetin e tyre. Kryeministri, duke iu përgjigjur interesimit të tyre, siguroi se qeveria qëndron fuqishëm në mbështetje të zgjerimit të aktivitetit të tyre dhe nxitjen e eksporteve, si treguesi më domethënës i zhvillimit të sektorit të prodhimit. Suksesi i punës suaj është shumë i rëndësishëm për qeverinë, vlerësoi Kryeministri.