Kryeministri Berisha: Investimet do ta shndërrojnë Divjakën në një qytet të modelit evropian
Kryeministri Berisha, i cili po zhvillon një vizitë në qytetin e Divjakës mori pjesë në inaugurimin e rrugës së Lagjes së Priftajve –Divjakë, me gjatësi prej 1, 7 kilometrash me vlerë 21 milion lekësh, investim i perbashket i buxhetit te shtetit dhe Bashkisë së Divjakës.
Duke e cilësuar Divjakën, si një nga bukuritë më mahnitëse, të bregut të Adriatikut, Kryeministri Berisha u shpreh se me këtë inaugurim dhe me një seri inaugurimesh të tjera të punëve publike, ky qytet po merr çdo ditë e më shumë një pamje evropiane. “Këtë pamje ia japin para së gjithash qytetarët e saj, si dhe infrastruktura moderne, plazhet mahnitëse, fermerët e saj të mrekullueshëm, peshkatarët e saj, pra një gërshetim i shumë faktorëve të zhvillimit, që Divjakën e nxjerrin si një nga qendrat më turistike të vendit.”
Kryeministri u shpreh se inaugurimet nuk do të reshtin si në përmirësimin e mëtejshëm të infrastrukturës, ashtu dhe në fusha të tjera, si ajo e arsimit, bujqësisë, etj, për të bërë Divjakën një model tërësisht evropian. “Kjo rrugë ka kushtuar rreth 20 milion lekë, ndërkohë një tjetër rrugë, ajo që shkon drejt plazhit, sërish ka një vlerë prej 20 milion lekë. Investimet vazhdojnë në arsim dhe në të gjitha fushat, sepse Divjaka do të jetë një model tërësisht evropian.”
Kryeministri Berisha shoqërohej në këtë vizitë, nga Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, deputeti i zonës, Blerim Çela, Kryetari i Bashkisë së Divjakës, Herakli Gorea, si dhe përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor.