Kryeministri Berisha: Mbështetja e projekteve për Divjakën dhe të gjithë Lushnjen, përparësi e qeverisë
Duke marrë fjalën, Kryeministri u shpreh se ky është investim tjetër shumë i rëndësishëm, në përpjekjet e përbashkëta të qeverisë dhe pushtetit vendor për modernizmin e qytetit. “Ky është një investim tjetër me të cilin modernizohet kjo rrugë, me trotuare, ndriçim dhe pemë. Ju besoj e patë lulishten e mrekullueshme që ka krijuar bashkia, lulishte të cilat kanë qenë rëra të hedhura dhe gropa, si ajo pas pallatit të kulturës, Tiranë. Pra shikoni çfarë ndryshimi rrënjësor ka ndodhur në Divjakë. Edhe kjo rrugë sot do të ketë trotuare me te mira, më moderne, sepse ne po punojmë për një Divjakë moderne.”
Kryeministri theksoi se përmirësime të dukshme janë bërë në sistemin e furnizimit me energji të rrethit të Lushnjes, për të cilin janë investuar përgjatë dy viteve 900 milion lekë, duke bërë që rrethi i Lushnjes të ketë një kapacitet të furnizimit me energji, njësoj si Tirana dhe rethe të tjera të mëdha të vendit.
Kryeministri përgëzoi qytetarët e Divjakës, për shpirtin punëtor që ata dëshmojnë në realizimin e ndryshimeve në qytetin e tyre, si dhe siguroi se qeveria do të mbështesë me përparësi cdo projekt të bashkisë për modernizimin e qytetit. “Qyteratët e Divjakës dhe të mbarë Lushnjës janë për tu lavdëruar në të gjitha aspektet, për shpirtin punëtor që ata dëshmojnë dhe ndryshimet që kanë realizuar. Zoti kryetar i Bashkisë , duke të përgëzuar për gjithë këto ndryshime të mëdha që konstatoj në Divjakë, ju siguroj se të gjitha projektet e këtij qyteti, do të mbështeten nga qeveria ime me përparësi të madhe.”