Kryeministri Berisha përshëndet takimin e BSPSH-së në kujtim të 22 vjetorit të grevës së përgjithshme të vitit ‘91

Kryeministri Berisha iu adresua sot me një fjalë përshëndetëse, takimit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë (BSPSH), ku u kujtua 22 vjetori i grevës së përgjithshme të BSPSH-së. Kryeministri u shpreh se në maj të vitit ’91, BSPSH shënoi një kthesë në rrjedhën e zhvillimit në historinë e Shqipërisë.
“Ajo përballje e madhe epike që ju bëtë në maj të viti ’91 me regjimin, ajo kishte një objektiv, një qëllim madhor: ne të ecnin drejt Europës. Ju nuk e bëtë për rrogat, për pensionet, për strehimin, kur asnjë nga këto nuk i kishit. Por ju e bëtë atë rezistencë legjendare që rruga jonë drejt Europës të mos bllokohej më.”
Në takim u kujtua fillimi i grevës së përgjithshme të punonjësve të Shqipërisë, më 16 maj 1991, e cila u mbështet nga Partia Demokratike, studentët e universitetit të Tiranës dhe qytetarët e Tiranë. Në këtë grevë morën pjesë tetë qind mijë punonjës dhe paralizoi të gjitha degët e ekonomisë kombëtare. Në 25 maj ‘91, minatorët në minierën “Demokracia” në Valias, Tiranë, filluan grevën e urisë. Si rezultat i saj u bënë të mundura zgjedhjet e parakohshme parlamentare, më 22 mars 1992, të cilat u fituan nga Partia Demokratike e Shqipërisë.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha garantoi se qeveria do të vazhdojë përpjekjet e saj për më shumë punësimin, për rroga më të larta, për kushte më të mira pune dhe mirëqenie më të madhe.
Kryeministri i kërkoi kryetarit të BSPSH-së Gëzim Kalaja, të vendosë një dialog me minatorët, duke e siguruar se qeveria “është e vendosur të plotësojë maksimumin e kërkesave që ju do të paraqisni si përfaqësues i tyre.” Gjithashtu, Kryeministri garantoi se kërkesa e minatorëve për moshën e pensionit 55 vjeç do të bëhet realitet, sikundër garantoi edhe punonjësit e kombinatit të Poliçanit se qeveria sëbashku me sindikatën e tyre do të bëjë reformën e nevojshme.
Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Zoti Kalaja, drejtues të nderuar të kësaj sindikate që ka një kontribut kaq thelbësor në historinë e lirisë së shqiptarëve, të dashur miq, asgjë nuk më pengonte pa ardhur sot tek ju, në këtë përvjetor, për t’u përulur me nderim më të madh para udhëheqësve dhe anëtarëve tuaj, të cilët në qershorin e viti ’91 bënë histori, me guximin, burrërinë dhe vizionin e tyre. Ata shënuan një kthesë të madhe në rrjedhën dhe zhvillimet në Shqipëri.
Partia e Punës së Shqipërisë grabiti me dhunë e gjak zgjedhjet e 31 marsit. Ajo nisi sundimin e saj të ri, pas zgjedhjeve, me masakrën e Shkodrës dhe terrorin e vjetër në mbarë Shqipërinë. Ajo po bënte gjithçka për të konsoliduar pushtetin e saj të paligjshëm. Ajo vendosi të gjitha lidhjet me Slobodan Milloshevicin, një e vërtetë e pamohueshme kjo, në mënyrë që dy regjimet, në mbështetje të njëri-tjetrit, të mund të shtypnit forcat opozitare e të vazhdonin sundimin e tyre. Por kjo përpjekje do të ndeshej me rezistencën paqësore të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, të udhëheqjes së saj, të cilat organizuan grevën e parë të përgjithshme në historinë e Shqipërisë, organizuan grevën e urisë, e cila gjunjëzoi në mënyrë përfundimtare regjimin diktatorial.
Për mua janë e do të mbeten momentet më të pashlyeshme të jetës, takimi në galeritë e qymyrit, në thellësitë e minierës së Valiasit të atyre burrave, të cilët nisën grevën për t’u flijuar për lirinë tonë, lirinë e shqiptarëve, sepse u bindën se regjimi mizor po grabiste përsëri ëndrrën demokratike të tyre. Pas një beteje legjendare nga thellësitë e tokës, Sindikata e Pavarur e Shqipërisë gjunjëzoi në mënyrë përfundimtare regjimin hoxhist, të përfaqësuar nga Ramiz Alia.
Në lëvizjet e mëdha, kushdo që i lexon, konstaton se tek masa, tek njerëzit dhe ndonjëherë tek anonimati janë heronjtë kryesorë, të vërtetë të tyre. Kjo ishte edhe lëvizja demokratike shqiptare. Ajo triumfoi, sepse nisi me studentët, nisi me ëndrrën e tyre më të bukur, por ajo vazhdoi me ata burra, të cilët ishin të vendosur me çdo sakrificë, të mos lejonin të grabitej demokracia shqiptare.
Sot kemi këtu drejtues, shumë prej tyre janë në emigracion në vende të ndryshme, por mirënjohja e kombit ndaj tyre është e do të mbetet e pakufishme. Ndaj edhe unë ju shpreh juve mirënjohjen time më të madhe, të qeverisë dhe Partisë Demokratike dhe nderimin më të thellë.
Vëllezër e motra,
ajo përballje e madhe epike që ju bëtë në maj të viti ’91 me regjimin, ajo kishte një objektiv, një qëllim madhor: ne të ecnin drejt Europës. Ju nuk e bëtë për rrogat, për pensionet, për strehimin, kur asnjë nga këto nuk i kishit. Por ju e bëtë atë rezistencë legjendare që rruga jonë drejt Europës të mos bllokohej më. Këto 20 vite, sëbashku kemi bërë përpjekje të mëdha dhe e kemi pasur të vështirë. Askush nuk e ka pasur më të vështirë, me atë trashëgimi që kishim, të paimagjinueshme sot. Por këto 20 vite, mundi dhe djersa e punonjësve tanë, e shqiptarëve ka bërë që ky vend të ndryshojë më shumë se çdo vend tjetër në 20 vjet. Prapë ka shumë punë për të bërë, por Shqipërinë që morëm në vitin ’90, me Shqipërinë e sotme i ndajnë shekuj njëra nga tjetra. Kjo është Shqipëria që ndërtuan njerëzit e thjeshtë, qytetarët shqiptarë. Kjo është Shqipëria që u ndërtua mbi bazën e programit të Partisë Demokratike.
Vij këtu tek ju krenar, sepse forca politike që ju mbështetët, siç theksoi kryetari i Sindikatës së Pavarur, zoti Gëzim Kalaja, është forca që ka firmosur çdo dokument të ëndrrës suaj europiane, të ëndrrës suaj euroatlantike. Dhe jo se kjo forcë ka qenë 20 vjet në pushtet. Ajo ka qenë edhe 8 vjet në pozitë dhe ka njohur dhunën më të egër ndaj saj, por në pushtet apo në opozitë, ajo kurrë nuk i është shmangur përpjekjes e detyrimit për integrim e vendit në Europë e në NATO. Sëbashku ne merituam anëtarësimin në NATO, sëbashku merituam Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, sëbashku merituam heqjen e vizave, sëbashku merituam rekomandimin e Komisionit Europian për statusin e vendit kandidat. Kurse forca tjetër politike, në krye të së cilës janë bijtë e atyre që përmbysët me grevë urie në vitin 1991, jo vetëm që nuk firmosi dot asnjë akt, por iu kundërvu në mënyrën më të egër, çdo përpjekjeje të shqiptarëve për integrim.
Unë ju ftoj juve, sindikalistët e Shqipërisë, ftoj qytetarët e këtij vendi, të mos harrojnë sesi në pranverën e vitit 2006, pasi nuk arritën dot kurrë të firmosin Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian, zoti Edi Rama urdhëroi deputetët e tij të futen në parlament për tre muaj rresht, me zile, bori, bilbila e trumbeta, për t’u thënë europianëve se ky vend nuk ka parlament, por ka një vath bagëtish, se ky vend nuk ka parlament, por një park zoologjik dhe këtij vendi nuk mund t’i jepni kurrë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Europianët e kuptuan përbenë e zileve dhe borive dhe ne e firmosëm në Bruksel, Marrëveshjen.
Erdhi anëtarësimi në NATO. Vendi mik, qeveria e Shteteve të Bashkuara na mbështeti në mënyrën më të fuqishme, që ne, vendi që kishim vuajtur më shumë në histori, për çështje të sigurisë, të bëheshim anëtar i NATO-s. Ne ishim i vetmi vend që kishim opozitë që bënte gjithçka, për të bllokuar anëtarësimin në NATO. Ne ishim i vetmi vend, në të cilin të nesërmen e ditës së ftesës, pasi kishin bashkërenduar me armiq të këtij kombi, antishqiptarë, në përpjekje për ta penguar, por që kishin dështuar, organizohej në Tiranë, mitingu nga zoti Rama jo për të përshëndetur anëtarësimin në NATO, por organizohej me portretet e Enver Hoxhës kundër qeverisë që mori ftesën në NATO.
Momenti tjetër ishin vizat. E duam Shqipërinë si Europa ishte motivi ynë dhe në këtë motiv, gjëja më e parë, më kryesore ishte të lëviznim të lirë në Europë. Ditën që Parlamenti Europian do të votonte hapjen e procesit për Shqipërinë, Edi Rama ngrinte çadrat para kryeministrisë, në mënyrë që Parlamenti Europian të thoshte jo, se aty ka paqëndrueshmëri politike dhe po t’i japim vizat, ata do të derdhen drejt nesh. Sërish dështoi dhe parlamenti votoi.
Më pas, po i bashkërenduar me një grup racistësh antishqiptarë mori kutinë e votimit dhe sillej nëpër Shqipëri si fantazma: hap kutitë, të çlirojmë vizat. Për vizat e qytetarëve shqiptarë, ne do të hapnim jo një, por qindra mijëra kuti, por kutia nuk hapej dot se e kishte mbyllur ligji. Ne bëmë çdo detyre, 120 detyra dhe morëm vizat.
Kur erdhi çështja e statusi të vendit kandidat në Bashkimin Europian, i vuri zjarrin institucioneve, e humbi një vit. Vitin tjetër u ra dakord paraprakisht për tre ligjet, në çdo germë të tyre, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të lartë të Komisionit Europian. Dhe ligjet ishin në parlament. Pasi shqyrtoi se çfarë kishin arritur shqiptarët në këto tre vite, me mundin, djersëm e përkushtimin e tyre - askush nuk ka derdhur djersë sa ne, se djersa jonë nuk ka vërshuar si lumë vetëm këtu, por djersa e bijve e bijave tona ka vërshuar si lumë në Greqi, Itali e kudo në emigracion dhe në qoftë se Shqipëria është në këtë nivel, ka arritur edhe me kontributin e tyre thelbësor – Komisioni deklaroi se Shqipëria e meriton dhe do t’i rekomandonte Këshillit të Ministrave, për statusin e vendit kandidat, me kusht që të votohen tre ligjet. Edvin Kristaq Rama dëshmoi guxim negativ, të ligë, të paimagjinueshëm, për të shkelmuar interesin e çdo qytetari shqiptar, socialist, demokrat, të paparti dhe të çfarëdo bindjeje. Statusi i vendit kandidat, miqtë e mi, ishte pasaporta e dytë pas NATO-s, që na duhet më shumë neve, fëmijëve tanë, fëmijëve të fëmijëve tanë.
Pas 22 vitesh hakmerret primitivisht për Vaterlonë që u rezervuam etërve të tyre. 23 qershori po vjen dhe unë ju jap fjalën juve, avokatë të shkëlqyer të interesave të punonjësve shqiptarë, se qeveria do të bëjë gjithçka, për rroga dhe kushte më të mira për të gjithë punonjësit e Shqipërisë. Unë besoj se e dëshmuam këtë gjatë këtyre viteve. Kur premtuam ato rritje, askush nuk i besonte dhe menduan se janë elektorale. Jo, ato nuk ishin elektorale, por respekt i palëkundur dhe besimi më i thellë se pa vendosur mësuesin në piedestalin tij, nuk do të kemi Shqipërinë e dijes, nuk do të kemi garën e dijes që meritojmë në këtë vend, me besimin se pa vendosur infermierët, mjekun në piedestalin e vet, ne nuk do të kemi shërbimet që na duhen dhe e meritojmë. E gjithë kjo histori nuk ka të ndalur. Katër vitet që vijnë, jo më kot, jo pa qëllim, unë kam e shpallur 700 dollarë rrogën e mësuesit. Dua t’u them zyrtarëve të tjerë se jeni shumë të rëndësishëm, jeni pasuri kombëtare, por misionarët më të rëndësishëm të këtij kombi janë mësuesit. Ato që mësuesi u mëson fëmijës sonë, nesër janë ata, djali apo vajza, burri apo gruaja që ua mëson fëmijës së tij dhe kështu e kalon nga gjenerata në gjeneratë. Ndaj ne do të vazhdojmë rritjen e rrogave, të pensioneve.
Zoti Kalaja, ju kërkoj të vendosni një dialog me minatorët dhe të premtoj këtu, në këtë ditë solemne për ju e çdo shqiptar, se qeveria është e vendosur të plotësojë maksimumin e kërkesave që ju do të paraqisni si përfaqësues i tyre. Ky është borxhi, ky është detyrimi moral, ligjor e i gjithanshëm ndaj atyre burrave, ndaj jush e ndaj sindikatës, që shënoi një kthesë të madhe në histori.
Le të ecim në përpjekjen tonë të madhe për më shumë punësimin, për rroga më të larta, mirëqenie më të madhe, për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, të ecim të sigurt për një Vaterlo tjetër për bijtë e etërve që guxuan të na bllokojnë rrugën drejt Europës, duke keqpërdorur pushtetin e qytetarëve të thjeshtë të këtij vendi. 23 qershori është dita e gjykimit të qytetarëve shqiptarë, për projektin madh europian të çdo shqiptari dhe të Shqipërisë.
Edhe një herë, zoti Kalaja, të gjithë ju miqtë e mi dhe mbarë shqiptarëve, ju uroj gëzuar këtë ditë të madhe në historinë e lirisë sonë.”
18/05/2013