Kryeministri Berisha viziton një sipërmarrje të prodhimit të veshjeve në Bilisht dhe bashkëbisedon me biznesmenë të Devollit

Gjatë vizitës në Korçë, Kryeministri Berisha vizitoi sipërmarrjen e prodhimit të veshjeve “Industria Ballkanike e Veshjeve” në Bilisht, ku zhvilloi edhe një bashkëbisedim me punonjësit e këtij biznesi dhe sipërmarrës të Devollit. Kryeministri Berisha mësoi nga mikpritësi i këtij takimi se në dy fabrikat e kompanisë së tij, në Korçë e Bilisht, janë investuar 1.5 milionë euro dhe janë të punësuar rreth 460 punonjës.
Kryeministri Berisha dëgjoi me vëmendje çdo shqetësim të shprehur dhe sugjerimet e sipërmarrësve, në funksion të përmirësimit të jetesës dhe të bërjes biznes, nga infrastruktura, lehtësitë fiskale dhe mbështetja ndaj fermerëve.
Në fjalën e mbajtur në hyrje të bashkëbisedimit, kryeministri Berisha u shpreh:
“Të dashura vajza dhe gra, që punoni në këtë sipërmarrje e cila tashmë është bërë njohur për prodhimet e saj cilësore në disa vende të BE. Kjo është një meritë e madhe e juaja, e sipërmarrësve që më një ambicie të madhe ia kanë dalë që ta shndërrojnë këtë sipërmarrje në një histori suksesi. Kjo është një histori suksesi këtu në Bilisht. Histori të tilla kanë një sërë sipërmarrësish kudo në Shqipëri.
Unë erdha këtu për tu dëgjuar ju, për të dëgjuar zërin tuaj, për të dëgjuar sipërmarrësit. Erdha këtu me bindjen se do të bëjmë një bisedë shumë të hapur dhe ju duhet të harroni në këtë moment se përpara keni kryeministrin e Shqipërisë. Përpara keni një njeri i cili vjen të mësojë nga ju, i cili vjen të dëgjojë mendimet tuaja, të dëgjojë propozimet tuaja. Ju keni konstatuar kësaj radhe se këto bashkëbisedime të hapura me qytetarët kanë përbërë edhe shtyllën kryesore të fushatës elektorale të PD. Përse kjo, përse ne jemi angazhuar në këtë mënyrë? Ne kemi vite që qeverisim. Kemi krijuar një eksperiencë të padiskutueshme, kemi një rekord të pamohueshëm , por kjo që kemi arritur për ne, është e shkuara, ne jemi përqendruar totalisht se çfarë do të bëjmë më shumë, çfarë do të bëjmë më mirë në 4 vitet që vijnë.
Në këto bashkëbisedime të hapura ne kemi marrë shumë mendime të vyera, jemi takuar me sipërmarrës, jemi takuar me prodhues veshjes. Sot, jam lehtësuar që vij tek ju pasi hoqëm taksën, tvsh, për çdo lloj makinerie dhe çdo tarifë doganore. Sipërmarrësit tuaj kanë paguar shumë më tepër për të hapur të njëjtin repart, tani do të paguajnë shumë më pak. Ne hoqëm tatimin mbi të ardhurat personale për të gjithë ata punonjës me pagë nën 30 mijë lekë. Për ata punonjës kjo është një mbështetje e madhe, por edhe për sipërmarrësit kjo është një mbështetje e madhe. Ne hoqëm çdo lloj takse për të rinjtë që do të punësohen, pra në gjithçka, në përpjekjen tonë, ne synojmë që të krijojmë kushte sa më të favorshme për iniciativën e lirë të qytetarit.
Në bisedimet me fermerë me të drejtë ata kërkonin heqjen e akcizës, por jo heqjen, rimbursimin, rimburismin e tvsh të plehrave kimike, rimbursimin e tvsh së makinerive, rimbursimin e tvsh sepse fermerët e kanë problemin se këto i gëzojnë më shumë tregtarët sesa ata vete. Dhe ne do tu a japim atyre direkt.
Me peshkatarët e njëjta gjë, me arsimtarët, me të gjitha grupet. Unë kam shëtitur dhe do të vazhdoj të shëtis në Shqipëri dhe të dëgjoj zërin e qytetarëve. Unë kam 20 vjet në politikë, por është hera e parë që unë zbatoj një program elektoral para datës së zgjedhjeve dhe këtë mundësi ma krijuat ju. Kjo erdhi si rezultat i bisedave me ju, i propozimeve tuaja. Sigurisht unë nuk mund ti regjistroja ato dhe të thoja do ti bëj pas zgjedhjeve. Por jo do ti bëjmë dhe i kemi vendosur. Kemi vendosur sot një reformë të thellë, ndryshime të mëdha në sistemin fiskal, të cilat do ti japin një nxitje të madhe biznesit, por edhe shumë më tepër qeveria është e prirur të bëjë.
Unë isha në Vlorë dhe atje një sipërmarrës shqiptar kishte hapur një sipërmarrje këpucësh me 800 punonjës, por disa qindra metra rrugë nuk po ja rrëmonte askush , por e rrëmonte vetë. Kjo është shumë e padrejtë, sepse ai e kishte bërë detyrën e vet , duke punësuar shumë vajza dhe gra. Pra, ne edhe tu ndihmojmë edhe tua dëgjojmë zërin. Kjo është një politikë që ka funksionuar. Është e vërtet që ne kemi papunësi, por është e vërtetë si drita e diellit që papunësia në Shqipëri nuk u rrit, por pati një ulje, e cila u konfirmua nga të gjitha institucionet shqiptare dhe jo shqiptare, që studiojnë papunësinë. Në qoftë se ndodhi kjo, ndodhi se mbështetem biznesin dhe nuk ndodhi për një arsye tjetër.
Unë dua të dëgjoj tani zërin tuaj, zërin e sipërmarrësve në mënyrë që 4 vitet që vijnë këtë sukses që keni arritur ta dyfishojmë. Keni hapur një degë në Korçë dhe uroj që gradualisht të shtrihen edhe në rrethe të tjera dhe të vini në Tiranë e kudo.
Pyetje: Zoti kryeministrë ç’plan ka në të ardhmen qeveria në lidhje me taksat. Ju faleminderit!
Kryeministri Berisha, Së pari, filozofia e qeverisë është ulja e taksave. Ne edhe në kulmin e krizës evropiane, ne nuk besojmë se zgjidhja është rritja e taksave, përkundrazi, ne besojmë se rritja e taksave dhe taksat e larta në tërësi kanë qenë një nga shkaqet madhore të kësaj krize. Ndaj dhe ne absolutisht kemi marrë dhe do të ndërmarrim çdo hap për uljen e mëtejshme të taksave. Ne hoqëm taksën mbi çdo lloj kapitali të çdo lloj biznesi. Ky është një rikthim i madh tek një praktikë që ne kishim nisur në 2005, por që tani e vendosim në spektrin më të gjerë. Së dyti, ne ndërhymë në tatimin mbi të ardhurat personale për punonjësit me pagë nën 30 mijë lekë në muaj. SË treti , ne do të bëjmë gjithçka që tu krijojmë kushte infrastrukturore sipërmarrësve. Unë ju solla këtu rastin e Vlorës, ishte e dhimbshme. Këtu ka një problem, çfarë quan më të rëndësishme një qeveri qendrore apo vendore? Mund të shpallim shumë gjëra ,por në mënyrë absolute për çdo njeri, familja, puna janë dy shtylla më kryesore të ndërtimit të jetës, bukurisë, begatisë së tij.
Pra në këtë kontekst ne do të bëjmë gjithçka që të mbështesim sipërmarrësit dhe të ulim kostot. Ne do të marrim përsipër shpenzimet e të gjithë punëtorëve për periudhën e trajnimit dhe të kualifikimit sepse në këto 4 vjet ne do të vendosim një kuadër të ri ligjor për krahun e punës. Ne kemi shumë anë të mira, por ne do ta përsosim më tej sepse ne disa ligje i kemi të mira, disa vendime i bëmë që ti përmirësojmë edhe më shumë . Një komponent shumë i rëndësishëm është sistemi i kualifikimit. Vendet, të cilat ia dolën të vendosin një sistem kualifikimi të vazhdueshëm, sot po e përpballojnë më mirë se të gjithë të tjerat krizën. Edhe nëse kanë patur rënie ekonomike, kanë patur rritjen më minimale të papunësisë sepse krahu i tyre i punës është i kualifikuar. Ne këtë kontekst ne do të marrim përsipër të gjithë shpenzimet e kualifikimit, sikundër zyrat e punës do të marrin funksione të reja për punësimin, shumë të rëndësishme. Në fakt ne do të vendosim modelin gjerman, i cili i aplikuar në vitet 2002-2003 është faktuar tani modeli më i suksesshëm, për sa i përket tregut të punës. Në këtë model parimi bazë eshte se çdo punë eshte më e mirë se sa ndihma e shtetit. Ju keni këtë punës sot, por unë ju informoj ju se kam shumë mesazhe nga gra dhe vajza shtëpiake, të cilat kanë nevoje vetëm për 4 orë punë, pasi pjesën tjetër të kohës e kanë të zënë me impenjime të tjera. Pra në këtë aspekt, ligjet i kemi të mira dhe do ti përmirësojmë. Ne do të forcojmë shumë kualifikimin .
Ne nuk e kemi zhvilluar sa duhet në këtë fushë dhe në disa fusha përveçse në energjetike, partneritetin publik privat, i cili ka nëj aspekt themelor, që eshte garancia absolute e privatit. Për shtetin dhe vendin ajo është një levë Arkimedi për zhvillim. Dua të sjell një shembull konkret. Kishim vite që diskutonim për ndërtimin e doganëa së Tiranës. Sapo siguruam tokën bashkë me privatin dhe privati e ndërtoi doganën për 16 muaj, një kompleks nga më modernët që ekziston në 75 mijë metër katrorë sipërfaqe, 400 kamionë kapaciteti përpunues, 400 vetë u punësuan aty dhe ajo përfundoi në një kohë rekord. Në koncesionin e HEC-ve Shqipëria është ndoshta një nga historitë më të suksesshme sepse absolutisht kudo që shkon në zonat malore, sot gjen hec të ndërtuara ose në ndërtim e sipër. Ky ligj që kemi ne per HC bëri të mundur të ndizet një garë e jashtëzakonshme. Diferenca është kjo, qeveria nuk ka të drejtë të japë koncesione. Gara e hapur është ligji i parë i tij, por e dyta, në qoftë se askush nuk vjen ti je fitues sepse qeveria e ka parë projektin tënd dhe kjo përbën një garanci për ty, pasi ti si biznesmenë shpenzon për të bërë një projekt ide,për ta studiuar. Pra ne do të përdorim gjerësisht në 4 vitet që vijnë partneritetin publik, privat dhe kjo do të shtojë investimet në vend, do të inkurajojë më shumë sektorin privat në Shqipëri.
Ju e dini iniciativa 1 euro është e përcaktuar dhe vazhdon të përcaktohet. Unë lexova se ju keni blerë toka për të ndërtuar sipërmarrje, se ju keni blerë ndërtesa. Unë nuk e di a ishin publike apo private, por në qoftë se ishin publike, unë ju them se ju i meritonit ato edhe një euro. Për ne punësimi është i pari. Ndaj dhe gjithçka që ne besojmë se rruga më e mirë është mbështetja e inisiativës së lirë të qytetarëve. Kjo është paketa që ne e vendosëm tani. E vërteta është që kjo duhej të vendosej pas zgjedhjeve dhe të hynte në fuqi në 1 janar të viti që vjen dhe kjo sepse i gjithë ky diskutim u bë pasi ishte votuar buxheti. Kjo do të thitë që deri në 200 milion euro ti mungojnë buxhetit nga këto masa, por prapë shkojnë tek biznesi. Ne do të bëjmë rregullimet tona buxhetore dhe biznesi shumë më shpejt do të fillojë të japë gjallërimin e vet të mëtejshëm dhe të ardhurat të kompensohen.
Pyetje: Jemi një lagje ere, me disa shtëpi që kemi 7 vjet që i kemi ndërtuar. Kemi pritur për rrugën dhe ajo është rregulluar, ndërsa kanali i ujëra të zeza na shkon ende përballë shtëpive tona. Jemi ankuar por akoma asgjë. Çfarë do të behet lidhur më këtë?
Kryeministri Berisha: Absolutisht është një kërkese shumë e drejtë dhe kam kënaqësi tu informoj se me qeverinë austriake është bërë projekti dhe sistemi i tërë kanalizimeve të këtij qyteti,bashkë me ujësjellësin do të jetë në standarde krejt të tjera dhe ky problem do të zgjidhet. Po vij nga Korça, aty inauguruam impiantin e ujërave të zeza, investim 37 milion euro. Në tërësi këto vite kemi investuar 550 milion dollarë në ujësjellës kanalizime dhe prapa gjatë 4 vjecarit që vjen do të nevojiten së paku dhe 600 milion për ta bërë Shqipërinë një vend me infrastrukturë ujore moderne. Impiantin e parë në historinë e këtij vendi ne e inauguruam në dhjetor të vitit 2005, pra kishte shumë punë për të bërë. Është bërë jo pak në këtë drejtim. Sot një seri qytetesh marrin ujë 24 orë. Ndërsa ujë rubineti , ujë me rrjedhje marrin mbi 90 e ca % e popullatës, natyrisht jo 24 orë. Janë ndërtuar mbi 430 sisteme kanalizimesh, por janë dhe qindra të tjerë për tu ndërtuar.Ne e konsiderojmë infrastrukturën ujore si një komponent jetik për një qytet apo fshat kudo që jetojnë shqiptarët.
Pyetje: Unë jam menaxherja e kësaj kompanie dhe më intereson shumë ajo që thatë ju se shpenzimet për kualifikimin e punonjësve do ti marrë përsipër shteti. Kemi aktualisht 470 punonjës dhe me një perspektivë për rritje më të madhe të fuqisë punëtore.
Desha tu pyes me Kaskadën e lumit Devoll që do të fillojë së shpejti sa është parashikuar punësimi i punonjësve, burrave të bishtit, Devollit, e të zonave përqark?
Kryeministri Berisha: Sërish të kthehemi tek çështja e parë. Unë e shoh se kjo ëhstë një çështje themelore dhe mund tu them ju se në të gjithë bashkëbisedimet qoftë me industrialistë, qoftë në bujqësi, kudo kam patur këtë kërkesë, kualifikimin. Ne kemi fonde dhe jo pak për kualifikimin e punëtorëve . Ne kemi krijuar qendra shumë të mira të kualifikimit dhe kemi sot në rrang vendi 32 shkolla profesionale dhe shumë mirë të pajisura. Shkollat tona profesionale sot janë me kurrikul zviceran ose gjerman. Por mungon diçka, mungon një bashkëveprim i të gjithë këtyre institucioneve, mungon një fleksibilitet shumë i madh i administratës shtetërore. Unë vizitova në Gjepalaj një fermë. Ata rrisnin 500 lopë rrace të shkëlqyera. E zonja e fermës, çështjen kryesore kishte kualifikimin dhe ajo e tha më qartë, ministria fondet i vë kryesisht në qytet dhe forma nuk është më e përshtatshme, por nuk mund të jetë unike. Në raste të caktuara është sipërmarrja vetë që bën kualifikimin. Në raste të tjera janë qendrat tona të trajnimit në të cilat sipërmarrjet do të kërkojnë të bëjnë aty trajnimin. Në raste të tjera janë shkollat profesionale. Është shumë e rëndësishme, së pari që qeveria siç rimburson detyrimin e vet, të jetë përgjegjëse në fondet e saj për kualifikimin e punëtorëve. Ndofta duket e parakohshme. Ky sistem, i cili për hir të së vërtetës është provuar një sukses shumë i madh, në kod ndërmarrja ëhstë e detyruar të paguajë 15 orë punë. Kjo, natyrisht e tëra i zbritet shpenzim asaj. Por unë mendoj se kjo tek ne tani për tani është para kohe, se nuk mund të krahasojmë ne industrinë tonë me atë gjermane. Atë çka duhet të bëjmë ne është të përgjigjemi me fonde për kualifikimin e punëtorëve. Këtë ne do ta bëjmë dhe mund ta bëjmë. ne mund të marrim përsipër sigurimet e tyre shoqërore. Në një takim me sipërmarrës të huaj njëri prej tyre tha se kam shumë dëshirë të punësoj studentë, por të paktën të lehtësohet me sigurimet shoqërore. Pra, në qoftë se deri më sot jemi përqendruar tek sistemi fiskal. Taksaa e sheshtë ishte një lehtësi e madhe, tani ne do të ndërhymë në çdo segment në mënyrë që të rrisim si lirinë ekonomike ashtu dhe fleksibilitetin e tregut të punës. Tregu i punës ka një rendësi kapitale, injorimi i tij të çon drejt një staniacioni të vertetë.
Devolli unë mund tu them në qoftë se pati një zgjatje ka patur për vlerësimin tim fundin më të mirë që mund të kishte. Është në duart e kompanisë më të madhe në botë për ndërtimin e HEc-ve, jashtë. Ka shumë kompani, por Shtatkraft i Norvegjisë është numri 1 dhe është një kompani publik , e cila si e tillë ka procedura më të zgjatura. Por tani çdo gjë është zgjidhur. Po kontaktohen dhe janë një seri kompanish të mëdha që po kontraktohen për ndërtimin dhe ka një vëllim të jashtëzakonshëm ndërtimesh të gjithanshme. Ajo që do të bëjmë ne është se do ti kërkojmë që në punësim të përpiqet që të propiorcionojë në rrethet në rrjedhën e lumit. Këtë ju garantoj.
Jam një banor nga fshati Poçar. Rruga e fshati është e gjatë një kilometër. Kërkojmë nëse ka mundësi të riparohet, duke parë investimet që po bëhen.
Kryeministri Berisha: Absolutisht ka mundësi dhe do të bëhet. Kam ardhur tek ju dhe kam mbetur i mahnitur nga prodhimet tuaja. Aty pashë stivat më gjigande të qepëve më të mëdha, por, për fat të keq dhe unë u mërzita shumë, atë vit ju nuk i shitët dot ato. Kjo ishte shumë e dhimbshme. Pashë një prodhim të jashtëzakonshëm. U përpoqëm dhe bëmë një lloj kompensimi, sepse e ndjemë shumë të dhimbshme atë moment. Absolutisht, rrugën do ta bëjmë.
Ajo që mbetet është të bëjmë gjithçka që ju të përdorni teknologjinë e informacionit, në mënyrë që të keni çdo informacion kryesisht për tregun, për prodhimet tuaja dhe motin, që të mos kapeni në befasi. Në këtë drejtim ka një ecuri shumë pozitive. Katër vite më parë ndodhi që çmimi i grurit, për dy arsye shkoi në stratosferë, arriti një shifër, që ndoshta se ka pasur kurrë, 480 dollarë toni, kundrejt 130, 160 apo 180 që varion zakonisht. Vitin tjetër, çmimi ra në pikiatë dhe disa miqtë e mi e të tutë nuk e shisnin grurin, duke shpresuar që çmimi të shkonte sërish 480 dollarë. Ndaj është e rëndësishme që fermeri të përpiqet të marrë të dhëna për tregun. Sado të bëjë Drejtoria e Bujqësisë, ne do të bëjmë më shumë, do ta shtrijmë teknologjinë informacionit që ta merrni informacionin, në celular.
Zoti Kryeministër, ju falenderojmë për mundësinë që na dhatë të diskutojmë për hallet tona. Jam presidenti i firmës “Tola” sh.p.k, kam aplikuar në Ministrinë e Bujqësisë për grantet e BE-së, për të ndërtuar një frigorifer, kam marrë ish ndërtesën e konservimit këtu. Dua të di në ç’fazë janë këto aplikime, pasi ne i kemi mbyllur aplikimet që në 18 shkurt.
Kryeministri Berisha: Lidhur me çështjen e parë, shtruat një çështje shumë të rëndësishme. Ne i kemi dhënë një zgjidhje përfundimtare. Qoftë Valteri këtu apo çdo kryetar komune, me vendimin që kaluam para pak javësh në qeveri ka dritën jeshile për të dhënë pa pengesë lejet. E them këtë që të ndjekësh opsionin më të leverdishëm për ty. Në informacionin e fundit që kam, do të jetë muaji qershor, në mos gaboj në dhjetëditëshin e dytë, që do të bëhet përzgjedhja e projekteve, e cila do të bëhet nga një komision i kombinuar i përfaqësuesit të bankës, nëpërmjet të cilës Komisioni Europian jep grantin dhe përfaqësuesit tonë. Ky është procesi i vlerësimit. Për një gjë të garantoj se do të jetë një proces kryekëput transparent, pasi ai është një proces ku vlerësimin kryesor e ka Komisioni Europian. Në qoftë se do të kishim statusin e vendit kandidat, për fermerët shqiptarë do të kishim marrë fonde jo kaq sa kemi marrë, të cilat na i dhanë jo se kishin detyrim, por vetëm në një gjest mbështetjeje e solidariteti. Ndërsa statusi nënkupton se fermerët e Devollit, të Korçës, fermerët shqiptarë në tërësi të përfitojnë shumë e shumë herë më tepër, nga grantet e Komisionit Europian. Ndaj dua ta kemi parasysh këtë moment, pasi është një moment shumë përcaktues.
Unë vij nga komuna Progër, e njohur për prodhimin e mollës, ndërsa tani e njohur edhe për eksportin e saj në tregun ndërkombëtar, si rrjedhojë e ngritjes së shumë frigoriferëve. Përfaqësoj edhe një kompani që importon mjete bujqësore. Kemi dëgjuar nga ju se do të subvencionohet 20 përqindëshi, por, përveç kësaj, më intereson shumë edhe 80 përqindëshi që fshatari me punën e prodhimet e tij duhet ta mundësoj për blerjen e mjeteve. Çfarë ka në plan qeveria për 4-vjeçarin e ardhshëm, lidhur me mundësinë që mund t’u jepet fermerëve për rritjen e prodhimit e të ardhurave të tyre.
Kryeministri Berisha: Gjashtë vjet më parë, ne kemi pasur një debat e diskutim të gjerë lidhur me mënyrën si t’i mbështesim fermerët. Ne konstatuam se akciza avullonte e tëra dhe nuk u shkonte gjë fermerëve. Tollonat i merrnin zyrtarët dhe fermeri nuk përfitonte asgjë. Ndaj vendosëm grantet dhe mund të them se grantet jani një nga projektet më të suksesshme që mund të jetë marrë ndonjëherë. Granti funksionoi dhe me grante këtu në Devoll, Korçë, Vlorë, Shkodër, Berat janë mbjellë, për shembull, ullinj mbi 8500 hektarë dhe me iniciativën e lirë e bashkë me ne janë mbi 40 mijë hektarë. Ne besojmë se kjo është praktikë suksesi. Ndaj ne do të trefishojmë grantet. Ne kemi dhënë 56 milionë dollarë dhe katër vitet që vijnë do të shkojmë në 165 milionë dollarë.
Së dyti, ne hoqëm për fermerin TVSH-në për çdo lloj makinerie, materiali, fidanë, farëra e gjithçka tjetër, të cilën do t’ia rimbursojmë. Fermeri do ta blejë me TVSH-në dhe mbi bazën e faturës do të marrë lekët nga ne, përveç granteve, pasi kjo nuk ka lidhje me grantet. Unë vizitova një serë dhe pronari i saj më tha se 70 përqind e kostos së serës është hekuri që përdoret për ndërtimin e saj. Edhe ai do të rimbursohet për TVSH-në e hekurit, plasmanit e çdo gjë që ai përdor në prodhim.
Së treti, ajo që theksova më parë, fondet e Komisionit Europian në bujqësi, që janë fonde grant, janë më të shumta se për çdo gjë tjetër. Natyrisht, ato janë fonde të destinuara për vendet anëtare, por edhe vendeve me status dhe që hapin negociatat u jepet një sasi dhe jo e paktë dhe në një skemë plotësisht të suksesshme. Natyrisht, në sasi pak më të mëdha sesa grantet tona për fermer.
Ne e marrim bujqësinë si sektor jashtëzakonisht të rëndësishëm, duke e ditur se gjithnjë e më pak njerëz do të ketë në atë fushë, por kjo nuk na pengon. Sot, bujqësia është sektori që nga studiuesit në botë është faktuar se mund ta rrisë dhjetë herë prodhimin. Këtu në Devoll më kanë thënë se mollët e para që janë mbjellë me grantet tona janë zëvendësuar me fidanë të rinj që kanë prodhim shumë më të madh. Ne do të bëjmë gjithçka, për të rritur sa më shumë prodhimin bujqësor, pasi, së pari është mirëqenie për ata që jetojnë, së dyti është ndikim shumë pozitiv në bilancin tregtar të shtetit. Këto dy faktorë janë të mjaftueshëm për ne. Plus që në këtë periudhë ka pasur një efekt të jashtëzakonshëm rritja e prodhimit në mbajtjen e çmimeve. Çmimet janë rritur, por mund të rriteshin shumë më tepër, në rast se nuk do të kishte një rritje të madhe të prodhimit vendas.
Së treti, ne po përfundojmë rrugët. Në dy-tre vitet që vijnë, ne përfundojmë pothuajse tërësisht sistemin rrugor të vendeve të banuara dhe projekti i dytë më i madh është ai i vaditjes. Është një projekt që kërkon shuma të mëdha, por është plotësisht i mundshëm. Shqipëria është plot ujëra dhe ne do të bëjmë të mundur që Shqipëria të ketë sistemin më modern të vaditjes për fermerët shqiptarë.
Zoti Kryeministër, në mandatin e tretë të qeverisjes së djathtë, cilat janë prioritetet në lidhje me biznesin e huaj që siguron punësim për tregun shqiptar?
Kryeministri Berisha: Me bizneset, ne kemi ndjekur një praktikë. Ne nuk i kemi diferencuar bizneset, i huaj apo vendas, por jemi përpjekur të krijojmë kushtet më lehtësuese. A ka praktika? Detyrimisht ka praktika dhe unë ju garantoj se ne do të fillojmë t’i zbatojmë ato praktika. Ne kemi ambicie që Shqipëria të jetë një vend shumë i rëndësishëm në teknologjinë e informacionit, por kjo pa multinacionalet e teknologjisë së informacionit është shumë e vështirë të arrihet, pasi ato janë universiteti më i shkëlqyer i formimit të specialistëve, studiuesve dhe kërkuese. Sikurse, Shqipëria nuk ka industrinë e makinave. Shqipëria nuk ka një treg të vetën që të joshë prodhuesit e makinave. Shqipëria duhet të gjejë shumë stimuj të tjerë dhe ne jemi të përgatitur që këto kompani, qoftë në partneritet publik privat, qoftë me një kuadër të veçantë lehtësimi, t’i mbështesim të ‘zbarkojnë’ e të jenë të pranishme në Shqipëri.
Rruga është e mbarë, sepse katër vitet e fundit, ne kemi trefishuar investimet, krahasuar me katër vitet e mandatit të parë dhe ky ka qenë mandati i kulmit të krizës në Europë. Përsë u trefishuan investimet? Sepse ne vendosëm një kuadër fiskal të shkëlqyer. Shqipëria u bë e njohur kudo për taksën e sheshtë, Shqipëria u bë e njohur për uljen e kontributeve shoqërore të sipërmarrësve për çdo punëtor, nga 32 në 15 përqind. Shqipëria u bë e njohur për heqjen e një serie tarifash, për aplikimin iniciativës një euro. Natyrisht, edhe anëtarësimi në NATO. Të gjitha këto bënë të mundur trefishimin e investimeve. Statusi i vendit anëtar është një pasaportë tjetër e shkëlqyer për biznesin e huaj. Një biznesmen i huaj pyet para së të investojë në Shqipëri se përsë duhet këtu. Dhe investon për shkak të një, dy, tre e me radhë lehtësive. Paketa që vendosëm për të hequr çdo lloj takse mbi kapitalin mund të jetë unike, është një nga masat më radikale, më lehtësuese. Kur e dinë që vendi ka edhe statusin e vendit anëtar në Bashkimin Europian, atëherë e kanë të garantuar kapitalin dhe thonë se aty mund të investojnë.
Në Tiranë janë dy parqe logjistike të konceptit më modern që do të përfundojnë së shpejti. Njëri për njëzetmijë vende pune dhe tjetri për dhjetëmijë ene pune. Këtë eksperiencë në partneritetin publik privat do ta përhapin edhe në qytete të tjera. Do të bëjmë gjithçka që katër vitet që vijnë, bizneset të kenë një rritje së paku me 30-40 përqind. Ky është projekti ynë për punësimin e shqiptarëve.
Ju falenderoj shumë përzemërsisht dhe ju garantoj se për problemet shumë të drejta, që ngritët këtu, do të bëjmë gjithçka për t’ju dhënë zgjidhje më të shpejtë, zgjidhje më të mirë. Një garant e keni këtu, i cili do të bëjë çdo gjë që një pjesë e buxhetit të shtetit, 84 përqind e të cilit i detyrohet biznesit, taksave që ai paguan, të përdoret mençurisht për të mbështetur biznesin. Kësaj here e bëmë me taksën e kapitalit të të gjitha llojeve, herën tjetër do të jetë me krahun e punës, pasi do ta vendosim atë në epiqendër dhe ne u qëndrojmë premtimeve tona. Ju uroj shumë suksese dhe ju falenderoj për pritjen e përzemërt dhe organizimin e shkëlqyer të këtij bashkëbisedimi.
17/05/2013