E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron rehabilitimin e dy nënstacioneve elektrike në Elbasan, me vlerë 11 milionë euro

Kryeministri Berisha deklaroi sot se sistemi energjetik shqiptar po transformohet rrënjësisht dhe po kalon nga kontrolli manual në atë dixhital, që i përgjigjet nivelit të ri të zhvillimit të vendit e jep garancitë e nevojshme dhe rrit eficencën e përdorimit të energjisë elektrike.

Kryeministri Berisha ishte i pranishëm në përfundimin e rehabilitimit e dy nënstacione elektrike të OST-së në Elbasan, nënstacionin 400 kV në Fushë Mbret dhe nënstacionin 220 kV në Bradashesh, që kanë një rëndësi të madhe në rrjetin e transmetimit të energjisë elektrike. Rehabilitimi i këtyre dy nënstacioneve, me vlerë 11 milionë euro, konsiston në zëvendësimin e të gjitha pajisjeve me pajisje të teknologjisë bashkëkohore dhe në realizimin e një sistemi të ri të kompjuterizuar të kontrollit, mbrojtjes e monitorimit të të gjitha daljeve 400 kV dhe 220 kV.

Loti i dytë i këtij projekti, rehabilitimi i nënstacionit 220 kV të Burrelit, pritet të përfundojë punimet së shpejti. OST po përfundon rehabilitimin e të gjithë nënstacioneve ekzistues të sistemit të transmetimit, një investim prej rreth 35 milionë euro. Vitin e kaluar përfundoi projekti i rehabilitimit të nënstacioneve 220 kV Tirana1, Elbasan1 dhe Fier. Muajin e ardhshëm pritet përfundimi i projektit të rehabilitimit të nënstacioneve 220 kV Vau i Dejës, Koman dhe Fierzë.

“Vetëm pak vite më parë, qytetet, fshatrat, bizneset dhe territore të vendit dënoheshin me orë të tëra ndërprerjeje të energjisë elektrike. Në mbarë vendin gumëzhinin gjeneratorët, të cilët ishin një taksë e dytë, e rëndë, për të gjitha bizneset. Premtimin tonë solemn se do t’i japim fund ndërprerjes së energjisë elektrike në fund të vitit 2007, ne e mbajtëm,” u shpreh Kryeministri.

Në sektorin e energjisë janë investuar gjatë këtyre viteve, 740 milionë euro. Janë nënshkruar në total 127 kontrata koncesioni për ndërtimin 363 hidrocentraleve, me fuqi të vendosur 1500 MGW dhe investim 2.3 miliardë euro. Kanë hyrë në prodhim 53 HEC-e, me fuqi të përgjithshme të instaluar prej 107 MGW dhe investim total 175 milionë euro. Në këto vepra janë më shumë se 5 mijë punonjës të punësuar direkt dhe indirekt deri në 12 mijë.

Kryeministri Berisha theksoi se qeveria do të bëjë gjithçka që çdo burim uji, të mund të prodhojë energji elektrike, ndërsa garantoi investitorët e huaj se në Shqipëri do të kenë garanci të plotë, se marrëveshjet koncesionare janë marrëveshje të miratuara në parlament dhe janë interesi më i mirë i qytetarëve shqiptarë.  

Vepra të tilla si kaskada e Devollit apo autostrada Tiranë-Elbasan, - u shpreh Kryeministri, - janë vepra që i rezistojnë kohës dhe trashëgimia më e mirë që i lihet brezave dhe zhvillimit. 

Fjala e Kryeministrit Berisha në inaugurimin e dy nënstacioneve elektrike në Elbasan.

“Të dashur qytetarë të Elbasanit, punonjës, inxhinierë, teknikë e punëtorë të kompanive koreane e kroate që rindërtuat dy nënstacione shumë të rëndësishme, 400 dhe 220 kV, në Elbasan, në këtë nyje energjetike jetike për sistemin tonë dhe për vendin. Ky investim prej 11 milionë euro i shtohet investimit prej rreth 740 milionë euro që qeveria shqiptare ka bërë gjatë këtyre viteve, në mënyrë që qytetarët, bizneset të marrin energji elektrike pa ndërprerë dhe në parametrat më të mirë të mundshëm. Ne e konsiderojmë energjinë një faktor vendimtar për Shqipërinë e zhvilluar dhe europiane.

Vetëm pak vite më parë, Shqipëria përjetonte një rreth vicioz, i cili për shkak të energjisë e çonte gjithnjë e më poshtë vendin. Vetëm pak vite më parë, qytetet, fshatrat, bizneset dhe territore të vendit dënoheshin me orë të tëra ndërprerjeje të energjisë elektrike. Në mbarë vendin gumëzhinin gjeneratorët, të cilët ishin një taksë e dytë, e rëndë, për të gjitha bizneset. Premtimin tonë solemn se do t’i japim fund ndërprerjes së energjisë elektrike në fund të vitit 2007, ne e mbajtëm.

Ndërkohë, Shqipëria nuk mbulon më shumë se 2/3 e nevojave të saj me energji, çka do të thotë që për të mos ndërprerë energjinë elektrike, qeveria financoi nga buxheti, sipërmarrjet, me qindra milionë dollarë. Ne shpallëm parimin se çmimi më i shtrenjtë i energjisë elektrike është mungesa e saj. Nga një praktikë ndëshkuese kolektive, ne kaluam në një praktikë të re, në të cilën qytetari respektohet dhe dënim kolektiv nuk mund të ketë. Ndërkohë, këto vite ndërmorëm investime të mëdha, të cilat nuk janë rrugë, ujësjellës-kanalizime, shkolla, por pa të cilat, të gjitha këto nuk do mund të bëheshin, sepse energjia përbën themelin e funksionimit të biznesit dhe në tërësi, të të gjitha veprimtarive të vendit. Ndaj ne shpallëm problemin e energjisë problem kryesor.

Nga viti 2007 e gjer më sot, ju jeni dëshmitarë të një gare të paprecedentë për ndërtimin e hidrocentraleve në të katër anët e Shqipërisë, nga Jugu, nga Gjirokastra, në Vermosh dhe Alpe po ndërtohen e do të ndërtohen jo një e dy, por deri tani kemi firmosur me sektorin privat, koncesione për 363 hidrocentrale. Pak ditë më parë, sëbashku inauguruam kaskadën e Devollit, investimin më të madh në historinë e Shqipërisë në fushën e energjetikës, e cila do të prodhojë 20 përqind të prodhimit të energjisë të Shqipërisë dhe me të cilën, Shqipëria do të bëhet e vetëmjaftueshme për energjinë elektrike dhe fillon eksportin e saj në mënyrë konstante. Së shpejti fillojnë punimet për hidrocentrale të tjera shumë të rëndësishme dhe unë zotohem para jush se qeveria do të bëjë gjithçka gjersa çdo burim uji, sado i vogël të jetë, të mund të prodhojë energji elektrike. Ujërat tona nuk kanë pse të derdhen të fjetura në dete e lumenj, por ato duhet të japin një vlerë të shtuar, duhet të japin energji për ne.

Nga të gjitha veprat që ndërton një shoqëri, disa janë jetë shkurtra, funksionojnë për 10, 20 vite, të tjera për 30. Por në zhvillimin e një vendi, ata që drejtojnë dhe qytetarët e tij të mençur gjithnjë duhet të mendojnë se çfarë po investojnë për brezin që vjen, çfarë po i lënë atij trashëgim në zhvillim. Asgjë më të madhe, asgjë më jetëgjatë sesa autostrada Tiranë-Elbasan dhe hidrocentralet e kaskadës së Devollit nuk mund të ketë për dhjetëvjeçarët e shekujt që vijnë.

Gara hidroenergjetike në Shqipëri është e pashembullt dhe kjo vjen para së gjithash, jo se të tjerët nuk kanë lumenj e ujëra, në Ballkan, të gjithë kanë ujëra, por sepse ne kemi krijuar klimën më miqësore, kemi hartuar ligjin më miqësor për investitorët. Ndaj sot kemi firmosur kontrata për ndërtimin e 363 hidrocentraleve, nga 443 që mund të ndërtohen në tërësi, përveç atyre fare të vegjël. Kjo është politika jonë.

Po cila është alternativa tjetër? Alternativa tjetër është ajo e kërcënimit të padenjë ndaj investitorëve, alternativa që thotë çdo ditë se do të shqyrtojnë koncesionet dhe ju njoftoj se kanë krijuar zyrën e shqyrtimit të marrëveshjeve dhe koncesioneve, në një akt të padenjë e të papërgjegjshëm. Ata, të cilët investojnë në Shqipëri kanë e do të kenë garanci të plotë se marrëveshjet koncesionare janë marrëveshje të miratuara në parlament dhe janë interesi më i mirë i qytetarëve shqiptarë. Dua t’ju them gjithashtu se nëse ato shumë të pakta marrëveshje koncesionare që gjetën nga paraardhësit tanë, asnjë prej tyre nuk ishte me fee koncesionare. Ndërsa të gjitha këto marrëveshje kanë fee koncesionare, pra, tarifën që koncesionari u paguan qytetarëve shqiptarë si taksë, përveç taksave të tjera. Ndaj u themi krijoni një, por 15 zyra, se të gjitha do ju mbeten të mbyllura, se në Shqipëri do të ndërtohen të gjitha veprat hidroenergjetike.

Mos harroni se këta zotërinj kanë votuar kundër çdo koncesioni, kanë votuar kundër këtij financimi e kundër çdo financimi, kanë votuar në mënyrën më të pakuptimtë kundër rritjes së rrogave dhe pensioneve tuaja. Ata na mbajtën mua bashkë me qeverinë deri në 5 të mëngjesit, me shpresën se do mund të bllokonin buxhetin e tunelit. Tre vjet rresht votuan kundër buxhetit të tunelit. Ata votuan kundër çdo financimi të rrugëve, shkollave, ujësjellësve të këtij venfi. Nuk besoj kurrë se ka ekzistuar ndonjëherë në Europë, një opozitë e tillë!

Zoti Rama deklaron se ata që vijnë në sheshet e Partisë Demokratike janë robër. Unë i them zotërisë se duhet ta mbajë dëshpërimin, duhet ta mbajë zemërimin, duhet ta mbajë nervozizmin. Ke hyrë në betejë, ndiq betejën, mos bëj fyerje kolektive dhe ta mësosh se punonjësit e kësaj administrate, qendrore e lokale, në Tiranë e këtu në Elbasan, në Shkodër e në Vlorë nuk janë robotë, por janë qenie shoqërore e politike dhe sa kohë të votohet Sali Berisha, ata do të dalin në sheshe, me cilën forcë politike që të duan. Ata kanë të gjitha të drejtat politike, përveç ushtarakëve, punonjësve të policisë dhe punonjësve të Shërbimit Infomativ të Shtetit, të gjithë të tjerët, të çdo force politike, të çdo bindjeje janë të ftuar të ushtrojnë vullnetin e tyre, të mbrojnë në fushatë elektorale, pikëpamjet që besojnë. Ndaj i nderuar zotëri, kur në Gjirokastër fyeve punonjësit, duke u thënë robër, një mesazh më erdhi nga prej tyre, i cili më thoshte: zoti Kryeministër, unë mund t’i them këtij zotërie, se ne jemi njerëz të lirë, jemi këtu në miting dhe ai, me sa duket, është rob i së shkuarës së tij. Nuk kemi ç’ti bëjmë.

Por ju ftoj t’i injoroni sharjet, akuzat, trillimet. Ne të vazhdojmë me vepra si kjo, të vazhdojmë me shkolla, me rrugë, të vazhdojmë me mbështetjen e fermerëve. Të mos harrojmë që ato që kemi bërë nuk mund të jenë asgjë tjetër, veçse një pikëmbështetje për të bërë shumë më tepër katër vitet që vijnë. Ne do të bëjmë gjithçka që rrugët e mira të shkojnë në çdo skaj të këtij qarku aty ku banojnë qytetarët e tij, që ata të kenë ujësjellës, kanalizime, qendra shëndetësore e shkolla moderne. Do të bëjmë gjithçka, për të shumëfishuar biznesin. Ne futëm në fuqi paketën e dytë të ndryshimeve të mëdha fiskale, të cilat do t’i japin një hov të madh ekonomisë shqiptare, punësimit të qytetarëve të Elbasanit, punësimit të qytetarëve shqiptarë. Ne do të marrim statusin e vendit kandidat dhe do të kemi në ballë një pasaportë tjetër, atë të statusit të vendit kandidat. Ne do të hapim negociatat. Ne do të vazhdojmë me ritmet më të shpejta, rrugën e zhvillimit, rrugën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Edhe një herë, ju ftoj që këtë kohë ta shndërrojmë fushatën elektorale në një festë të vërtetë të vlerave tona më të arrira qytetare, të besimit tonë tek njërit-tjetri, tek liria, tek vendi, tek e ardhmja. Faleminderit.”


18/05/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›