E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e Kryeministrit Fatos Nano gjatë ceremonisë së nënshkrimit të Marrëveshjes Kryeministri Fatos Nano, Ministri i Financës, Kastriot Islami dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shk

Fjala e Kryeministrit Fatos Nano gjatë ceremonisë së nënshkrimit të Marrëveshjes

Kryeministri Fatos Nano, Ministri i Financës, Kastriot Islami dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani nënshkruan sot pasdite, në prani të përfaqësuesit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, z. Jan Peter Olters, Marrëveshjen gjashtëmujore me FMN-në.

Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshje Kryeministri Nano u shpreh:

"Sot nënshkruajmë Letrën e Intentit me Fondin Monetar për gjashtë muajt që vijnë dhe mund t'ju them më me kënaqësi se Marrëveshja e nënshkruar dhe miratuar me FMN në Qershor të vitit të kaluar për Mbështetjen e Uljes së Varfërisë dhe Rritjen Ekonomike, ka rezultuar një instrument i rëndësishëm dhe efikas në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe rritjen ekonomike.

Me kënaqësi deklaroj dhe gjej mbështetjen e përfaqësuesit të Fondit sot këtu, z.Olters se të gjithë kriteret e performancës të vendosura në Letrën e Intentit të firmosura nga po ne në Janar të këtij viti janë plotësuar. Kemi mënjanuar problemet e koordinimit të cilat janë vënë re gjatë vitit të kaluar gjë që e cila ka sjellë përshpejtimin e implementimit të hapave të reformave në përgjithësi. Megjithatë, ende ka vend për përmirësime siç janë disa vonesa në reformën strukturore që kemi ndërmarrë.

Memorandumi i Politikave Ekonomike dhe Financiare si dhe Memorandumi Teknik i Mirëkuptimit të cilat do të nënshkruhen tregojnë boshtin e politikave dhe programit ekonomik për periudhën në vazhdim të cilat janë pjesë e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim Ekonomik dhe Social. Këto politika makroekonomike dhe strukturore janë hartuar me qëllim përmirësimin e ambjentit të biznesit në përgjithësi, stimulimin e aktivitetit të sektorit privat dhe nxitjen e rritjes ekonomike të qëndrueshme. Veçanërisht këto politika do të fokusohen në luftën kundër korrupsionit forcimit të integritetit të institucioneve publike dhe përmirësimit të qeverisjes, pa harruar shtimin dhe formalizimin e dialogut politik me të gjithë pjesëmarrësit kryesorë në hartimin dhe zbatimin e programeve të qeverisë. Po kështu, edhe politikat monetare që do të ndiqen gjatë kësaj periudhe janë në linjë me arritjen e objektivave të qeverisë.

Programi ynë makroekonomik dhe fiskal për periudhën 2003-06 është rishikuar në konteksin e Buxhetit të Ri Afat Mesëm (PBA 2003-06) dhe në linjë me prioritetet e politikave të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim Ekonomik dhe Social. Kështu është programuar që rritja ekonomike të arrijë në 6% (në terma realë) në fund të këtij viti dhe i njëjti ritëm rritje pritet edhe për dy vitet e ardhshme, duke marrë në konsideratë që faktorë në ndihmë të rritjes do të jetë një klimë më e mirë me biznesin, përmirësimet e mëtejshme në infrastrukturë dhe rritjen e investimeve private dhe rikuperimet në sektorin publik. Objektivi i inflacionit edhe për periudhën 2003-06 do të mbahet në kufijtë 2-4% i ndjekur nga politika të kujdesshme monetare. Defiçiti i përgjithshëm buxhetor pritet të arrijë në fund të këtij viti në 6.4% të GDP brenda objektivave të parashikuara, ndërkohë që deri në fund të vitit 2006 pritet të arrijë në rreth 5%.

Në këtë proçes pune të përbashkët ne do të vazhdojmë konsultimet me partnerët tanë, siç është Fondi Monetar, për vazhdimin e reformave dhe arritjen e objektivave të mbështetjes së zhvillimit të qëndrueshëm dhe në përmbushjen e prioriteteve tona qeverisëse për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian e në tregjet rajonale dhe ato globale.

I bindur në suksesin e mëtejshëm të bashkëpunimit tonë mëse frytdhënës me Fondin Monetar nënshkruajmë sot këtë Letër Intenti e cila besoj se do të pasohet edhe nga të tjera".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›