Kryeministrit Fatos Nano në interpelancën parlamentare për çështjen e shpërblimit të punonjësve të larguar nga puna për shkak të privatizimit të ish-Ndërmarrjes sëÇimentos Fushë-KrujÃ
Kryeministrit Fatos Nano në interpelancën parlamentare për çështjen e shpërblimit të punonjësve të larguar nga puna për shkak të privatizimit të ish-Ndërmarrjes sëÇimentos Fushë-Krujë
Zoti deputet Demir Qesja ka bërë dy pyetje për Kryeministrin:
Pse nuk paguhen sipas kontratës së shitjes së Fabrikës së çimentos Fushë- Krujë 12 deri në 15 paga, sipas nenit 3 pika 6 të kontratës "punëtorët e larguar nga puna si rezultat i privatizimit të saj" dhe, pyetja e dyte moskoordinimi i dikastereve të linjës dhe konkretisht Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Ekonomisë si dhe asaj të Rregullimit të Territorit dhe Turizmit ka sjellë mosshlyerje detyrimesh ndaj punëtoreve për më shumë se dy vjet e gjysëm. Cili do të jetë kontributi im si Kryeministër meqë qeverisja që ne drejtojmë është pala shitëse në këtë kontratë. A mund të them ndonjë afat për zgjidhjen e këtij problemi?
Më lejoni z. Dilaver të formuloj një përgjigje për të dyja pyetjet sëbashku dhe t'ju jap informacionin që kërkoni.
Në programin e Qeverisë për privatizimin dhe reformën në ekonomi për Fabrikën e çimentos Fushë - Krujë u arrit të realizohet shitja pas shumë vitesh dhe tentativash të pasuksesshme. Siç dihet pas kontratës punëtorët e larguar nga puna për shkak të privatizimit të fabrikës shpërblehen sipas vjetërsisë në punë. Tashmë është përgatitur i gjithë dokumentacioni i nevojshëm nga Ministria e Ekonomisë. Qeveria do të vazhdojë të përdorë deri në fund fond rezervë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura dhe me fondet e parashikuara në buxhet, brenda dy javësh do të miratojë një vendim në Këshillin e Ministrave për dëmshpërblimin e punonjësve të larguar nga puna për shkak të privatizimit të fabrikës së çimentos Fushë-Krujë duke e zgjidhur përfundimisht këtë problem.
Pra në mënyrë sintetike dhe kronologjike privatizimi i ndërrmarrjes së çimentos Fushë-Krujë është bërë më 22 shtator 2000 me lidhjen e kontratës së shitjes Fushë-Krujë Cement Factory sh.p.k, me cilësinë e blerësit. Kontrata është miratuar nga Kuvendi i Republikes së Shqiperisë me ligjin Nr. 8709 dt. 6 dhjetor 2000 dhe është shpallur e vlefshme me dekretin Nr. 2846 dt. 23 dhjetor 2000. Vlera e shitjes së ish- ndermarrjes prodhuese të çimentos Fushë-Krujë shoqërisë fituese të tenderit Fushë-Kruje Cement Factory sh.p.k, ishte me një vlerë 1.7 miliard leke. Sindikata e punonjësve bazuar në detyrimin kontraktual ka llogaritur dhe pranuar pagimin e shumës prej 95,8 milionë lekë. Në 5 prill 2000 është lidhur një akt-marrëveshje midis ish -Ministrisë së Ekonomisë Publike dhe Privatizimit dhe përfaqësuesve të sindikatës së pavarur për pagesat e prapambetura duke rënë dakort palët për plotësimin e kërkesave të sindikatës. Pagat e prapambetura për vitin ‘98 në masën 100%, pagat e prapambetura për vitin ‘99 në masën 60 % dhe derdhja e kontributit te sigurimeve shoqërore për të gjithë punonjësit.
Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 493 dt. 19 shtator 2000 "Për mënyrën e shpërndarjes dhe përdorimit të të ardhurave nga privatizimi i ndërrmarrjes së prodhimit të çimentos Fushë – Krujë" i akordoi Ministrisë së Punëve Publike si ministri administratore, një fond prej 125 milionë e 200 mijë leke. Përmes këtij fondi janë prerë të gjitha pagesat e prapambetura të vendosura në akt- marrëveshjen e dt. 5 prill 2000. Edhe pse nuk ishte vendosur në akt-marrëveshjen mes tyre dhe sindikatës, qëndron detyrimi për dëmshpërblimin e punonjësve të fabrikës së çimentos me rastin e privatizimit sipas nenit 3 pika 6 e kontratës ku thuhet: "shitësi merr përsipër dhe garanton të bëjë efektive brenda 15 ditëve pas nënshkrimit të kontratës pagesën e rrogave dhe dëmshpërblimin për largimin nga puna pas privatizimit të ndërrmarrjes së të gjithë punonjësve të fabrikës së çimentos".
Neni 154 i kodit të punës përcakton : "i jepet punëmarrësit si shpërblim për çdo vit vjetërsie në punë një pagë mujore në momentin e zgjidhjes së kontratës, kur punëmarrësi ka mbi tre vjet në punë, por jo më shumë se 12 paga mujore". Mbi këtë bazë eksperti i vendosur nga gjykata e rrethit Krujë llogariti dëmshpërblimin për 978 punonjës të çimentos Fushë- Krujë në momentin e privatizimit, i cili rezultoi 95,8 milionë lekë. Mbas disa varianteve lidhur me mbulimin e financimit të këtij fondi mbështetur nga Ministria e Financës gjithashtu, tani është dërguar në Këshillin e Ministrave varianti për burimin e fondit për shpërblimin e të gjithë punonjësve: 24 milionë lekë nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave për vitin 2003, 71,8 milionë lekë nga buxheti i shtetit për vitin 2004.
Ky ishte i gjithë informacioni që gjykova të arsyeshëm të sjell në përgjigje të pyetjes suaj z. Qesja.
Faleminderit për vëmendjen