E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e kryeministrit në seancën plenare të Kuvendit mbi raportin e Komisionit Hetimor për Ministrinë e Kulturës dhe Bashkinë e Tiranës I nderuar zoti kryetar! Të nderuar deputetë K

Fjala e kryeministrit në seancën plenare të Kuvendit mbi raportin e Komisionit Hetimor për Ministrinë e Kulturës dhe Bashkinë e Tiranës

I nderuar zoti kryetar!

Të nderuar deputetë

Kjo seancë që po zhvillohet sot është pjesë e përpjekjeve që po realizon shoqëria dhe politika shqiptare për të përmbushur edhe këtu në Kuvend standartet e një jete normale të niveleve perëndimore dhe pa asnjë dyshim do të shënojë një moment kthese në gjykimin e përgjithshëm të klasës dhe të veprimtarisë sonë politike. Këtë e them sepse përmes një vargu komisionesh hetimore parlamentare – posaçërisht do të veçoja këtu punën e komisionit bipartizan për reformën zgjedhore.Ne po krijojmë një përvojë të re që synon përmbushjen më të mirë të detyrimeve që ka parlamenti në një shtet demokratik. Pa asnjë dyshim në rastin në fjalë ne provuam se këta komisione, kur nisen nga vullneti politik për të reformuar institucione dhe realitetet, kur synojnë të përmbushin detyrime me interes të gjerë politik dhe pjesë të proceseve integruese, kur bazohen në ekspertiza profesionale dhe kur janë të përgjegjshme bëhen efektive dhe ndihmojnë transformimet europiane në vend. Përkundrazi, kur pikënisjen e kanë të mbrapshtë dhe kontrollohen nga vrulle të egra dhe të verbëra të interesave ngushtësisht politike, kur polemika politizohet tejskajshëm dhe mbyt argumentat, këta komisione degradojnë sikundër degradoi edhe ky i fundit në një antispektakël. Pse ndodhi një gjë e tillë? Sepse në pikënisjen e vet, Partia Demokratike, sikundër u provua tashmë qartësisht përpara publikut të gjerë, nuk kishte aspak për qëllim të shtynte përpara reformat e modernizimit nëpërmjet decentralizimit të pushtetit vendor për të cilat ne po punojmë çdo ditë, nuk kishte aspak për qëllim të godiste korrupsionin, për të cilin mazhoranca lufton ta mposhtë përditë, por dëshironte të bënte një gjyq politik kundër një personaliteti publik siç është Edi Rama, me qëllim që të godiste njëherësh edhe një prej arritjeve më të rëndësishme të qeverisjes socialiste dhe progresiste vitet e fundit edhe në qeverisjen vendore. Kështu ndodhi që Partia Demokratike, në vend që të ndërmerrte ndonjë nisëm dhe të propozonte ndonjë paketë ligjesh dhe aktesh normative reformuese përmes së cilës të mund të ulet niveli i korrupsionit dhe e ritheksoj ne po e bëjmë këtë edhe kur nuk e bën opozita, dhe ne po e bëjmë një gjë të tillë edhe në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtare dhe kjo bëhet edhe në Bashkinë e Tiranës – kjo opozitë tentoi të na kurdisë një gjyq politik të kohëve të shkuara për të cilin shoqëria shqiptare dhe stadi aktual i zhvillimit të Shqipërisë jo vetëm nuk kanë nevojë, por ndjehen tashmë të bezdisur. Nëse do t'i shkonim më thellë analizës sonë, do të thonim se propozimi i Partisë Demokratike për të ngritur këtë komision mbetet i ngjashëm me reagimin agresiv të të verbërit ndaj drites. Për të gjithë u bë e qartë se nuk ishte fjala për trashësinë e asfaltit të rrugëve, as për pllakat e trotuareve nëse lëviznin apo jo; aspak. Ata dëshironin të realizonin një linçim publik të stilit stalinist ndaj njeriut dhe ekipit që po i jep fytyrë europiane Kryeqytetit tonë të dashur, sikundër dëshironin që përmes tij t'i jepnin një goditje realizimeve të prekshme të Partisë Socialiste dhe të aleatëve të saj në shoqërinë civile edhe në nivelin e qeverisjes vendore ku progresi është gjithashtu konstant. Sikundër dëshironin të shmangnin përgjegjësinë e institucioneve që ligjërisht janë të ngarkuar me hetimin kontrollin dhe ndëshkimin e korrupsionit dhe të rikrijonin në Shqipëri kaosin institucional që më mirë se ata askush nuk e bën dot.

Ndryshe nga derivatet (që po shfaqen edhe këtu në sallë) të Partisë Demokratike, qysh në fillim ne ishim dhe prandaj mbetemi të vendosur që të mos lejonim asnjë shkelje të ligjit. Në këtë sallë, me rastin e debatit në lidhje me krijimin ose jo të këtij komisioni, unë, përveçse ju kam kujtuar faturën ekonomike dhe psikologjike të këtij parazitizmi, ( faturë e cila tashmë është rritur edhe më shumë) kam pohuar se me anë të këtij gërmërri ballkanik Partia Demokratike dëshiron vetëm të shmangë përpjekjet dhe vëmendjen tonë dhe të opinionit të gjerë nga thellimi i reformave dhe përmbushja e detyrimeve tona qeverisëse. Sepse ky ka qenë dhe mbetet, për fat të keq, misioni historik i partisë së doktorit: keqorientimi i Shqiperisë dhe mbajtja e saj peng të kotësisë. Qysh atëherë unë e kam bërë të qartë se ne jemi thellësisht të angazhuar në luftën institucionale kundër korrupsionit dhe prandaj përballojmë qetë dhe me efikasitet këto sulme politiko-elektorale të kurdisura shëmtuar nga opozita e vjetër, të cilat nuk i ndihmojnë institucionet të funksionojnë. Ky qëndrim i qartë dhe në harmoni me ligjin doli i spikatur edhe gjatë punimeve të vetë Komisionit, për shkak të përfaqësuesve tanë të qetë,të urtë dhe të duruar. Vetëm mbi këtë bazë unë e përshëndes aktivitetin e këtij komisioni, pavarësisht tejkalimeve dhe emocionalitetit. Vetëm ndoshta edhe për faktin që ai na zbuloi një varg vakumesh në legjislacionin tonë që ne si mazhorancë jemi të vendosur t'i mbushim që mos ndodhin më skandale dhe farsa të tilla parazitësh. Do të dëshiroja thellësisht që ky komision të arrinte në konkluzione që të mund të ndihmonin reformën, modernizimin dhe reformimin e administrimit publik dhe të qeverisjes vendore që është një aktor i rëndësishëm zhvillimi dhe transformimesh në vend, por për fat të keq kjo nuk ndodhi për shkak të kokëshkretisë së komisionerëve të opozitës që vazhdojnë të sillen si ushtarë të urdhërit politik të Doktorit. Ky është monolog zoti Berisha, sepse ne njohim edhe dialogun edhe katalogun. Katalogu është kur flasin më shumë se katër vetë. Tek ju flisni vetëm ju dhe të gjithë të tjerët vetëm ju imitojnë madje edhe më keq se sa çe bëni ju detyrën.

Prandaj mua më duhet të përshëndes sot punën e bërë nga komisionerët e Partisë Socialiste të cilët, nuk besoj se dhanë ndonjë shfaqje se po mbronin thjesht Edi Ramën, por demonstruan se e pranuan këtë detyrë të vështirë për të mbrojtur ligjin dhe progresin. (Pushteti përdoret ndershëm z. Berisha).

Unë personalisht i kam ndjekur me vëmendjen që ma kërkon detyra punimet e këtij komisioni dhe më vjen keq të pohoj se u bëra dëshmimtar, ashtu si ju, i sofokimit të misionit të Komisionit Hetimor Parlamentar nga polemika shterpe. Në të publiku pa se si ndeshej mendimi progresist me atë të disa vjetëve të shkuar; pa se si ndeshej një staf ekspertësh dhe menaxherësh të mrekullueshëm të Bashkisë së kryeqytetit, me një rradhë ushtarësh politikë që dukej sikur kishin dalë nga librat e mykur të historisë, pa se si ndeshej projekti ynë europian për Shqipërinë me projektin e një Shqipërie-kioskë të Doktorit. Vetëm kjo mund të shpjegojë irritimin e komisionerëve të Partisë Demokratike përballë renditjes së shifrave, të fakteve, të projekteve dhe donacioneve, që ekipi i menaxherëve të mrekullueshëm të Bashkisë së Tiranës ka mundur, në marrëdhënie partneriteti, të menaxhojë, të investojë dhe të kthejë në produkte të prekshme jo vetëm nga qytetarët e Tiranës edhe në bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare, edhe në bashkëpunim me biznesin vendas, edhe natyrisht në bashkëpunim me Qeverinë e ligjshme të Republikës së Shqipërisë.

Ka një ndryshim të madh në qëndrimin tonë në mbrojtje të Edi Ramës me qëndrimin e opozitës që nuk mbron dot as veten, sepse këta destruktivë dëshirojnë thjesht dhe vetëm rrënimin politik dhe elektoral të kundërshtarëve (madje kur nuk e arrijnë dot i fusin dhe në burg). Për ne nuk është e lejueshme të sillemi si padronë të pushtetit vendor. Për ne ky pushtet është i pavarur dhe me reformën decentralizuese që po marrim po e bëjmë gjithnjë e më shumë të pavarur, duke iu afruar standarteve perëndimore. Për ne, socialistët dhe progresistët, pushteti vendor do të konsiderohet përherë si një partner i rëndësishëm për një qeverisje bashkëkohore, ku delegohet pushteti, pronat, fondet dhe kompetencat, pasi, për ne, socialistët dhe progresistët koncepti i marrëdhënieve me elektoratin është i ndryshëm nga ai i Doktorit të pashërueshëm: ne e shpiem pushtetin dhe vendimarrjen sa më pranë njerëzve, sepse ky është një standart i demokracive të përparuara, ndërsa Doktori, si një i semurë për mend, e mban atë vetëm për vete dhe e dimë si e shpërdoroi kur e kishte.

Të nderuar deputetë,

Përfundimet e të ashtuquajturave punime të të ashtuquajturit Komision Hetimor të të ashtuquajturës veprimtari të Bashkisë së Tiranes dhe Ministrisë së Kulturës – për të gjithë është e qartë se komisioni ashtu si u nis ashtu edhe degradoi: në komision Anti Rama - , dëshmuan edhe një herë se sa e madhe është bërë diferenca mes nesh që qeverisim dhe opozitës, e cila në vend që të marrë pjesën që i takon të përgjegjësive, pasi vetëm duke marrë pjesën e përgjegjësive ajo do të mund të ndjekë zhillimet integruese të kohës, vijon në avazin e vet të vjetër antiprogres, antizhvillim, antiintegrim që është prova më e mirë e paaftesisë së saj.

Edhe në këtë mënyrë me këto punime gjithashtu ne rikonfirmuam fitoren tonë elektorale të radhës.
Ju faleminderit!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›