E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjala e Kryeministrit në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së

Duke vlerësuar punë e parlamentit, ju bëj me dije se kemi disa projektligje të rëndësishme që duhet të kalojnë në seancë plenare.

Një prej tyre ka të bëjë me dekretin  për shpërblimin e fundvitit, për pensionistët. Ministri i Financave ka punuar me një përkushtim shumë të madh, për të cilin, unë dua ta falënderoj. Kjo shumë shkon  rreth 30 milionë dollarë. Por pavarësisht kësaj, ky vendim ka në vëmendje dy gjëra: e para, festat e fundvitit  nuk mund të bëheshin pa një shpërblim për ta. E dyta, në këtë mënyrë iu dha përgjigjja më e merituar inflacionit. Kjo gjë mbi-indekson pensionet dhe me këtë shpërblim tejkalohet qartësisht niveli i inflacionit. Ky është një lehtësim shumë i madh për ne.

Këtë vendim qeveria do ta sjellë si dekret tek ju dhe shpresojmë që të miratohet sa më shpejtë. Do të operohet me dekret për faktin se ai duhet të hyjë menjëherë në fuqi, para votimit, në mënyrë që Instituti i Sigurimeve Shoqërore të ndërmarrë të gjitha masat për dhënien sa më shpejt të kësaj shume.

Ndërkohë, shpërblimi i punonjësve të administratës është i përcaktuar në fondin e pagave dhe ajo shpërndahet nga të gjitha institucionet, sipas përcaktimit që ka.

Një ligj shumë i rëndësishëm është ligji për reformën e Akademisë së Shkencave. Pas konsultimeve të bëra, ky ligj do të ketë një modifikim. Shumica e vendeve kanë të përcaktuar moshën si kriter për akademikët, por krahas kësaj, është e domosdoshme që të ketë edhe akademikë të përhershëm. Të tillë do të jenë njerëzit me kontribute të mëdha.

Gjithsesi, dua të qartësoj se askujt nuk i hiqet titulli akademik dhe trajtimi është identik, pa asnjë ndryshim, për sa i përket shpërblimit. Qeveria ka bërë një vendim në muajin prill, në të cilin ajo merr përsipër të shpërblejë përjetësisht titullin akademik, pavarësisht në se ata janë Akademikë Nderi apo Akademikë në funksion, apo të përhershëm.

Natyrisht, në formën aktuale të organizimit në Akademi do të ketë njerëz me rrogë, si Kryetari i Akademisë, Sekretari i Përgjithshëm dhe ndonjë funksion që do ta gjykojë vet Asambleja. Ndërsa të tjerët, pa përjashtim, do të kenë të njëjtin trajtim.

Mendoj se ky ligj nuk ka ndonjë komplikim. Ai finalizon reformën në mënyrë përfundimtare dhe me vendosjen e akademikëve të përhershëm i jep zgjidhje edhe problemeve të lindura.

Për sa i përket ligjit  “Për ushqimin”, komisioni parlamentar kërkoi më shumë kohë dhe kjo është normale, pasi ai është një ligj jashtëzakonisht  i rëndësishëm. Ftoj komisionin që, së bashku me Ministrin e Bujqësisë dhe Ushqimit, që të ulen bashkërisht në tryezë, në mënyrë që ky ligj të hartohet në formën e tij më të mirë”.    

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›