E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Në ligjin “Për Akademinë e Shkencave” do të përcaktohet vendosja e akademikëve të përhershëm

Kryeministri Berisha u shpreh sot se, pas konsultimeve të bëra për ligjin e Akademisë së Shkencave, do të ketë një modifikim që ka të bëjë me vendosjen e akademikëve të përhershëm. Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri tha se pavarësisht këtij përcaktimi, askujt nuk i hiqet titulli akademik dhe trajtimi është identik, pa asnjë ndryshim, për sa i përket shpërblimit.

Shumica e vendeve të tjera, tha Kryeministri, “kanë të përcaktuar moshën si kriter për akademikët, por krahas kësaj, është e domosdoshme që të ketë edhe akademikë të përhershëm. Të tillë do të jenë njerëzit me kontribute të mëdha kombëtare”.

“Dua të qartësoj se askujt nuk i hiqet titulli akademik dhe trajtimi është identik, pa asnjë ndryshim, për sa i përket shpërblimit. Qeveria ka bërë një vendim në muajin prill, në të cilin ajo merr përsipër të shpërblejë përjetësisht titullin akademik, pavarësisht në se ata janë Akademikë Nderi, Akademikë në funksion, apo të përhershëm. Pra, titulli akademik është jashtë diskutimit që do të ketë shpërblimi si titull”, tha Kryeministri Berisha.

Nga ana tjetër, Kryeministri theksoi se në formën aktuale të organizimit, në Akademi do të ketë njerëz me rrogë, si Kryetari i Akademisë, Sekretari i Përgjithshëm dhe ndonjë funksion që do ta gjykojë asambleja. Ndërsa të tjerët, pa përjashtim, do të kenë të njëjtin trajtim.

“Mendoj se ky ligj nuk ka ndonjë komplikim. Ai finalizon reformën në mënyrë përfundimtare dhe, me vendosjen e Akademikëve të përhershëm, i jep zgjidhje disa problemeve të lindura”, nënvizoi Kryeministri Berisha. 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›