E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e 16-vjetorit të krijimit të PDK-së

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e 16-vjetorit të krijimit të Partisë Demokristiane të Shqipërisë.

Në fjalën e tij përshëndetëse Kryeministri e cilësoi PDK-në si një forcë të vlerave të rëndësishme të shoqërisë shqiptare dhe si një faktor të rëndësishëm të pluralizmit shqiptar.   

“Demokristianët shqiptarë vijnë në 16-vjetorin e tyre me një bilanc të vërtetë suksesesh, me të cilat ata krenohen dhe duhet të krenohen. Një faktor i rëndësishëm i pluralizmit, PDK që në themelimin e saj vendosi një aleancë me PD-në dhe forcat e tjera opozitare të kohës, aleancë  e cila bëri të mundur çlirimin me votën e lirë të shqiptarëve të vendit nga diktatura, hapi për Shqipërinë dhe shqiptarët dyert e lirisë, të ekonomisë së tregut e për qytetarët e vendit rrugën  e dinjitetit njerëzor”, u shpreh Kryeministri Berisha. 

Më tej Kryeministri e cilësoi PDK-në një parti të bazuar në vlerat njerëzore dhe hyjnore, duke vlerësuar se kjo parti në çdo rrethanë bëri përpjekje të mëdha për mbrojtjen, zhvillimin dhe konsolidimin e këtyre vlerave.       

Duke iu referuar qëndrimeve të Partisë Demokristiane që nga krijimi i saj e deri më sot , Kryeministri Berisha tha se gjatë viteve në opozitë kjo parti u shndërrua në një faktor të rëndësishëm të opozitës shqiptare, dhe së bashku me aleatët e saj zhvilluan vlera të çmuara të opozitarizmit, vlera pa të cilat një shoqëri nuk mund të jetë e lirë.       

“Sot, demokristianët në parlament e qeverisjen vendore janë faktor të rëndësishëm të reformave të vendit me të cilat kjo maxhorancë ka si qëllim më madhor zbatimin e dy projekteve më të mëdha të shekullit për shqiptarët e Shqipërinë, integrimin e vendit në NATO e BE”, vlerësoi Kryeministri Berisha. 

PDK, vijoi më tej Kryeministri, ka ruajtur tiparet e saj në të gjitha rrethanat duke mbetur një parti dialogu, parti e hapur, parti e konstruktivitetit. “Jam i bindur se sot ju vini më të fuqishëm se më parë, më të qartë për perspektivën e programit të madh demokristian, perspektivë që është tërësisht  e mbështetur në parimet e programit të qeverisë së koalicionit”.

Në përfundim të fjalës së tij përshëndetëse Kryeministri Berisha uroi të gjithë demokristianët për 16-vjetorin e krijimit të partisë së tyre dhe shprehu vlerësimet për ndihmën dhe kontributin e çmuar që kjo parti ka dhënë dhe po jep në koalicionin qeverisës.   

“Shfrytëzoj rastin t'ju uroj gëzuar këtë ditë, të shpreh vlerësimin tim të madh për ndihmën tuaj të çmuar, t'u siguroj se në aleancë me ju dhe parti të tjera Qeveria do të vazhdojë me përkushtim të madh reformat që kanë synim integrimin e europian dhe euroatlantik të vendit”, nënvizoi Kryeministri Berisha. 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›