Presidenti Topi do të marrë pjesë si i ftuar i veçantë në Forumin e Krans Montanës në Paris.

11 nëntor 2009
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, në krye të një delegacioni zyrtar niset sot në mesditë për në Paris (Francë), ku do të marrë pjesë në Forumin e Krans Montanës që do të mbahet në datat 12-13 nëntor 2009 në pallatin e Asamblesë Kombëtare në kryeqytetin francez. “Bota pas G-20-s, qeverisja globale dhe lufta kundër krimit transnacional” është tema e këtij Forumi, në një ndër seancat plenare të të cilit Kryetari i Shtetit do të mbajë fjalën e tij të rastit si i ftuar i veçantë.
Të ftuar të posaçëm në këtë Forum së bashku me Presidentin e Republikës, do të jenë dhe Princi Nikolaus fon Lihtenshtajn, Ambasador në Belgjikë dhe Bashkimin Evropian, si dhe zonja Ygete Labele, Kryetare e Transparency International. Forumi do të drejtohet nga Kryetari dhe themeluesi i Forumit të Krans Montanës, Zhan Pol Karteron.