E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e Presidentit të Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi në meshën e lamtumirës për At Zef Pllumin, në Katedralen e qytetit të Shkodrës. &nb

30 shtator 2007

I nderuar Hirësi, Imzot Rrok Mirdita, Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë,

I nderuar At Gazmend Tinaj, Provincial i Françeskanëve të Shqipërisë,

Të nderuar Prelatë dhe familjarë të At Zefit,

Nuk është aspak e lehtë të flasësh për figurën e At Zefit, pikërisht sepse ai vetë me ekzistencën e tij ishte një monument qëndrese por edhe një dëshmitar i çmuar i një prej periudhave më të errëta të historisë sonë, që Rrnoi e mbijetoi vetëm për me na tregue me një durim hyjnor, ferrin e diktaturës komunisto- ateiste në Shqipëri nga e cila vuajti si askush tjetër.

Nxënës i At Gjergj Fishtës, Patër Anton Harapit, At Gjon Shllakut, At Zef Pllumi nuk ishte një misionar vetëm i fesë por edhe i të drejtave të njeriut, të mohuara aq barbarisht për pesë dekada në vendin tonë e që na i ofroi të gjithëve me kujtimet e tij por edhe vepra të tjera duke kryer kështu një akt të madh moral përpara historisë dhe ndërgjegjes shqiptare.

Si një nga të mbijetuarit e fundit te klerit katolik të martirizuar nga komunizmi, që e provoi mjaft gjatë burgun e sistemit e qysh në moshë të re, At Zefi punoi si meshtar dhe shkrimtar edhe për ringjalljen e traditës kulturore të asgjësuar nga komunizmi duke ndriçuar nëpërmjet “Hyllit të Dritës” kujtesën tonë historike e formuese por edhe me kontributin personal për arsimimin e të rinjve tanë jashtë vendit.

Kujtoj që një vit më parë, kur mori çmimin letrar “Penda e Artë” për këtë triologji me kujtime “Rrno vetëm për me tregue”, At Zefi e konsideroi si vlerësimin më të madh që i bëhej veprës së tij.”Të tjerat, u shpreh, janë vetëm kurora që çohen në funerale e që i vdekuri nuk i sheh”.

Dhe si për ironi të fatit, sot jemi këtu, për t’u ndarë nga Ati Françeskan i cili edhe pse nuk na sheh, besoj se e ka ndjerë boshllëkun që do linte pas me mungesën fizike të tij.

Ka lënë një testament të çmuar me gjithë veprat e mbijetesën e tij e megjithatë ndjejmë trishtim që nuk do e shohim më Atin Zef , shqiptarin e kulluar që nuk përtonte të përfshihej edhe në debate për të tashmen e vendit tonë apo të ardhmen e Kosovës.

Teksa ndahemi me dhimbje nga ty, të falenderojmë Atë, që Rrnove vetëm për me na tregue, të falenderojmë për qëndresën, për misionin tënd purifikues e patriotik, që e zhvillove qetësisht me zërin e shpirtit, me dashurinë e Zotit e në emër të Kombit!

Do e ndjejmë thellë mungesën tënde!

Dritë e përjetësi shpirtit tënd të paepur At Zef !

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›