Fjala e Zëvendëskryeminisrit Gazmend Oketa në takimin e nivelit të lartë për çështje të Korridorit 8
“I nderuar z. Zëvëndëskryeministër D’Alema I
nderuar z. President i keshillit rajonal Vendola
Të nderuar pjesmarrës
Kam privilegjin të marr pjesë në këtë takim tejet të rëndësishëm mbi një nga çështjet prioritare të zhvillimit; atë të ndërtimit të Korridorit 8, të cilin jo rastësisht do ta quaja Korridori i Integrimit dhe Zhvillimit. Për vendim tim ai konsiderohet Korridori i Zhvilimit, edhe sepse që në fazat e para të tij ka dhënë shenjat e duhura duke akumuluar rreth vetes rreth 80% të ekonomisë së vëndit.
Me këtë vlerësim shteti shqiptar ka treguar vëmëndje të veçantë në zbatimin hap pas hapi të projekteve pjesë të kësaj iniciative të rëndësishme duke e ngritur statusin e kësaj iniciative në ‘prioritet kombëtar’. Progresi në infrastrukturën rrugore dhe zbatimin e projekteve të investimit në aksin Lindje Perëndim me një gjatësi prej 362 km ka qenë i dukshëm. Realizimi i segmenteve që përshkojnë disa qytete kryesore të Shqipërisë si Durrësi, Tirana dhe Elbasani drejt shtetit fqinj Maqedoni është një etapë e rëndësishme në ecurinë e kësaj iniciative.
Mbështetja financiare e partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe kryesisht e vendit fqinj Itali, ka qenë domethënëse përgjatë të tërë procesit. Angazhimi financiar i disa partnerëve tanë strategjikë si Qeveria Italiane, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Europiane për Investim ka bërë diferencën në mobilizimin dhe progresin e suksesshëm të iniciativës së Korridorit 8. Një nga pikat themelore të suksesit të objektivave të Korridorit 8 qëndron edhe në diversitetin e infrastrukturave që përfshin ky korridor.
Me të vërtetë Qeveria Shqiptare ka vlerësuar me një interes të veçantë praninë e shumëllojshmërisë së infrastrukturave të këtij Korridori. Me këtë vëmendje Qeveria Shqiptare ka vlerësuar projekte investimi dhe përmirësimi të shërbimit në portën hyrëse të këtij korridori në Ballkan atë të Portit të Durrësit. Projekte të rëndësishme si ai përmirësimit të rreth 120,000 m2 sipërfaqe të portit, thellimit të tij me qëllim hapjen ndaj shërbimeve më cilësore, përmirësimit të infrastrukturës së shërbimeve portale dhe spedicionere, si dhe projekti i ndërtimit të Terminalit të ri të pasagjerëve, do t’i ndryshojnë jo vetëm pamjen këtij porti por do ta ngrenë në lartësinë e duhur të portës hyrëse të këtij korridori të rëndësishëm. Edhe Porti i Vlorës, duke u konsideruar si një pjesë integrale e këtij korridori është subjekt i projekteve analoge të rëndësishme dhe investimeve serioze për përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve portuale. Edhe në këtë rast mbështetja dhe asistenca e partnerëve tanë ndërkombëtarë ka qenë një shtysë e rëndësishme për këtë iniciativë.
Tërësia e projekteve të Korridorit 8 vlerësohet të impaktojë dukshëm në uljen e kohës së komunikimit të këtij rajoni me Italinë dhe vendet e tjera të Bashkimit Europian, rrjedhimisht në rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike të vendeve pjesë të këtij korridori, Natyrisht që progresi nuk është linear, megjithëse i qëndrueshëm. Njëkohësisht zbatimi i këtyre projekteve të rëndësishme njeh dhe sfidat e veta. Mbetet mjaft punë për t’u bërë në përfundimin e punës në segmente të veçanta rrugore. Mobilizimi i këtyre projekteve dhe arritja e kapaciteteve të duhura për implementimin e tyre rigoroz përbën një sfidë më vete. Ngritja cilësore e këtyre projekteve përveç shtrirjes sasiore të tyre gjithashtu është një detyrë e jona. Por më e rëndësishme është dhe vlerësimi në mënyrë strategjike i integrimit të rrjetit hekurudhor duke plotësuar boshllëqet e që pëson ky rrjet për shkaqe historike. Jo rastësisht këtë Korridor unë e quaj Korridori i Integrimit. Që në momentet e para ky korridor është parë si një mundësi e integrimit të rrjetit infrastrukturor shqiptar me rrjetin PanEuropian. Ndaj dhe ka gjetur predispozicionin dhe vëmendjen e shtetit shqiptar.
Në konsideratën time, ky projekt do të impaktojë dukshëm në integrimin jo vetëm infrastrukturor por dhe ekonomik, social dhe njerëzor të një rajoni që për një kohë të gjatë ka vuajtur izolimin, por që dukshëm dhe vullnetplotë kërkon ndryshimin dhe hapjen me familjen e madhe evropiane. Vendet e këtij Korridori shohin dritaren e komunikimit dhe integrimit të vetë rajonit përmes këtij Korridori. Shkëmbimi ekonomik social dhe njerëzor krijon bazat për një zhvillim të qëndrueshëm të të gjithë rajonit duke lënë pas ulje ngritjet e tensioneve që kanë karakterizuar këtë rajon dhe duke e futur atë në një rrugë stabiliteti të pakthyeshëm ekonomik, politik dhe social. Korridori i Integrimit krijon, në fakt, infrastrukturën e duhur të partneritetit të vendeve tona me fqinjin tonë Italinë dhe vendet e tjera të BE, partneritet që nuk do të përcaktohet vetëm me mbështetjen e vazhdueshme të Italisë dhe BE por me krijimin e raporteve solide ekonomike dhe politike drejt integrimit përfundimtar të vendeve tonë na familjen e madhe evropiane”