Fjala e fundit nga BE- në vjeshtë, lëvizje e lirë

Vizat, deklaron ministri i Brendshëm Lulzim Basha
Ministri i Brendshëm Lulzim Basha u shpreh dje gjatë një interviste televizive se tashmë vendimi për heqjen e vizave i takon Brukselit, duke shprehur besimin se qytetarët shqiptarë do të mund të lëvizin lirshëm në vjeshtën e këtij viti. “Nëse Komisioni, në skenarin më të keq, nuk arrin ta japë propozimin pozitiv për vendimmarrjen para pushimeve të verës, atëherë kjo vendimmarrje do të merret menjëherë pas pushimeve të verës. Kjo do të thotë se periudha shtator- tetor do të përkojë me vendimmarrjen dhe mbylljen e ciklit të vendimmarrjes. Pas vendimmarrjes mbetet një procedurë publikimi në mënyrë që gjithë vendet anëtare të zonës “Shengen” dhe pikat e tyre të kalimit kufitar të njoftohen që Shqipëria vendet në listën e bardhë të vendeve “Schengen” dhe kjo më bën optimist se lëvizja e shqiptarëve në zonën “Schengen” pa viza me të vërtetë mund të ndodhë para Vitit të Ri. Mund të ndodhë në harkun kohor nëntor-dhjetor”, tha Basha. Duke folur për një proces tjetër, atë të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, Basha nuk përjashtoi që pas marrjes në shqyrtim të përgjigjeve të pyetësorit, të ketë pyetje shtesë për Tiranën zyrtare. Ministri i Brendshëm u shpreh edhe për mungesën e ministrit të Jashtëm në Bruksel gjatë dorëzimit të përgjigjeve të Pyetësorit, mungesë e cila u vu në dukje nga opozita. “Axhendat e kryeministrit dhe zv/kryeministrit kanë qenë plotësisht të përputhura dhe të koordinuara me njëra- tjetrën. Të dy, edhe zv/kryeministri edhe kryeministri kanë patur aktivitete gjatë kësaj kohe të cilat përkonin me detyrat e tyre respektive dhe mosprania e zv/kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm Meta në këtë rast ka të bëjë tërësisht me koordinimin dhe përputhjen e axhendave të dy personaliteteve të qeverisë. Të tjerat janë aludime qesharake, fantazi, të atyre që duhet të na shpjegojnë pse nuk patën vullnetin të merrnin pjesë në emër të opozitës”, tha Basha. Ndërsa u fol për situatën politike në vend, referuar edhe protestës së paralajmëruar nga Partia Socialiste më 30 prill, z. Basha tha se do të merren masa për të garantuar mbarëvajtjen e saj, por se nuk do të tolerohen shkelësit e ligjit.
...