Rrisku i investimit, vlerësohet pozitivisht ekonomia shqiptare
Shqipëria merr vlerësimin “B+” nga kompania e ratingut Standard & Poor’s (S&P)
Dje Shqipëria mori vlerësimin e dytë të riskut të investimit, nga kompania Standard and Poor’s (S&P), e cila është një nga tre kompanitë kryesore ndërkombëtare të vlerësimit të riskut sovran (Moody’s, S&P dhe Fitch Ratings).
Deri dje, Shqipëria ka qenë e vlerësuar vetëm nga Moody’s me rating-un B1. Vlerësimi që S&P beri për vendin tonë është B+, me një këndvështrim “stabel” për qendrueshmerine financiare dhe makro-ekonomike të vendit. Ky vlerësim është një konfirmim i vlerësimit të Moody’s, dhe shpreh besimin e analisteve ndërkombëtare të riskut për ecurinë pozitive të ekonomisë shqiptare.
Vlerësimi i S&P i paraprin daljes e Shqipërisë në tregun ndërkombëtar të kapitalit në dy javët e ardhshme, me eurobondin e saj të parë. Një vlerësim pozitiv dhe stabël i riskut të vendit, është shumë i mirëpritur nga tregjet dhe pritet të gjeneroje një kërkesë të lartë për blerjen e instrumentit të eurobondit. Vlerësimi B+ vjen në një kohë kur rajoni dhe bota ende përballet me krizën ekonomike dhe financiare, dhe kur shumica e vendeve të rajonit kanë marrë vlerësime në zbritje (doëngrades) nga kompanitë e riskut. Ne vlerësimin e saj për riskun e vendit, kompania S&P citon si argumente kryesore rritjen solide të ekonomisë, potencialin e saj afatmesëm dhe afatgjate, prospektet për integrimin europian dhe kuadrin ligjor qe mbron investitorët dhe garanton me prioritet pagesat e huave. Gjithashtu S&P thekson se ekonomia shqiptare ishte nga të vetmet ekonomi europiane që nuk pësoi rënie ekonomike dhe recesion, por përkundrazi u rrit në mënyrë të qëndrueshme, në sajë të politikave të efektshme makro-ekonomike të qeverisë. S&P gjithashtu vlerëson se mbajtja nen kontroll e inflacionit ishte një faktor i rëndësishëm i qëndrueshmërisë ekonomike të vendit gjatë periudhës së krizës ndërkombëtare. Vlerësimi i S&P vjen vetëm disa ditë pasi Mood’y kishte ri-vlerësuar Shqipërinë me këndvështrim stable (outlook stable) në datën 15 Prill 2010.
Në raportin e vlerësimit, Moody’s citon progresin e konsiderueshëm të bërë nga Shqipëria në drejtim të zhvillimit të ekonomisë së tregut dhe të institucioneve demokratike, reformat e kryera për t’u përafruar me BE-në dhe stabilitetin e sektorit financiar në vend. Të dyja këto vlerësime vijnë në një moment shumë të përshtatshëm për Shqipërinë. Ato vijnë në një kohë kur vendi ynë po përgatit të dalë në treg me eurobondin e tij të parë dhe kur rajoni e bota ende po luftojnë për të dalë nga kriza. Të dyja kompanitë citojnë stabilitetin makro-ekonomik dhe financiar të vendit dhe potencialin e madh të ekonomisë sonë në të ardhmen. Së fundi, të dyja vlerësimet i shërbejnë pozitivisht suksesit të pritshëm të eurobondit dhe rrisin besimin e komunitetit ndërkombëtar të investitorëve ndaj vendit tonë.