E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e kryeministrit Berisha në 1 vjetorin e themelimit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare

“Së pari, dëshiroj të përshëndes të gjithë ekipin e AMF-së, në 1 vjetorin e themelimit te veprimtarisë suaj. Krijimi i këtij autoriteti të rëndësishëm erdhi si rezultat i kërkesave të mëdha në rritje të mbikëqyrjes dhe rregullimit të tregut financiar jobankar, një prej tregjeve apo fushave të tregut më të rëndësishme për zhvillimin e një vendi.

Tre autoritetet, i kompanive të sigurimit, i pensioneve dhe i letrave me vlerë u shkrinë në një, dhe në standardin më të mirë ekzistues u themelua AMF.

Në një vit, ky institucion ka dëshmuar qartë se po përmbush me përgjegjësi misionin e tij, mision jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendosjen e standardeve në tregun financiar jobankar, për nxitjen dhe zhvillimin e këtij tregu dhe, para së gjithash, për mbrojtjen e interesave të publikut dhe të konsumatorit. Në këtë drejtim, një meritë të madhe  kanë kompanitë e sigurimeve vendase, të cilat nisën veprimtarinë e tyre realisht në kushte ndër më të vështirat. Në bilancin që kemi bërë një vit më parë, Shqipëria rezultonte shumë larg standardeve të sigurimeve të vendeve të tjera të rajonit, si dhe ende më larg standardit mesatar të vendeve të BE-së. Ndaj jam i bindur se krijimi i Autoritetit Mbikëqyrës ka nxitur zhvillimin këtij tregu, pasi në bashkëpunim me qeverinë janë marrë dhe do të merren në mënyrë të pandërprerë masa që hapësirat e tregut financiar jobankar të zgjerohen progresivisht. Deri tani është rritur me 50 %. Por e vërteta është se nevojat janë për një rritje edhe më të shpejtë dhe, në këtë rast, do të ishte e domosdoshme të gjenim stimuj për të arritur edhe më shumë.

Shqipëria ka një ekonomi të re, dinamike dhe entuziaste, e cila duhet të ndjekë rregullat, ekonomi që duhet të shohë në rregullimin e biznesit, garancinë më të madhe dhe largimin nga rreziqet, gjë e cila është ende në nivele të papranueshme. Ndaj  unë do të ftoja biznesin shqiptar të garantojë biznesin e tyre në kompanitë e sigurimit, të cilat kanë bërë progres shumë të madh. Vetëm këtë vit, pas krijimit të autoritetit mbikëqyrës, por  edhe në sajë të disa faktorëve të tjerë, këtu janë instaluar kompani të mëdha sigurimesh si UNIKA, ASPI-s, Viena Insurance dhe të tjera, të cilat janë në negociata. Për këtë arsye, është jashtëzakonisht e rëndësishme që bizneset të shohin këtu një mundësi shumë të madhe të tyre për të funksionuar me rreziqe shumë më të ulëta, apo të garantuar në rast problemesh. Qeveria po shqyrton çdo sektor dhe nuk do të ngurojë të vendosë masa, ligje  apo vendime për të garantuar jetën e punonjësve shqiptarë, qoftë këto ndërmarrje publike apo private.

AMF gjatë këtij viti ka bërë përpjekjet më serioze në hartimin e akteve rregullatore, por duhet të kemi parasysh që Shqipëria është shumë më përpara asaj që ne mendojmë dhe nuk është ajo që tërheqim ne, por është ajo që na tërheq ne, prandaj duhet të nxitojmë . Kjo është e vërtetë për AMF-në, është e vërtetë për bankat, është e vërtetë për çdo sektor. Është e domosdoshme të nxitet shtrirja e këtij institucioni në sektorë të paeksploruar deri më sot, të cilët do të mbeten rudimentar dhe të pazhvilluar, pa ndërhyrjen tuaj. Një prej tyre është sektori i shëndetësisë. Nuk mund të kemi reforma të këtij sektori pa zgjidhur në mënyrën më të përshtatshme probleme të financimit të tij, si dhe problemet e sigurimeve. Qeveria është e hapur të bashkëpunojë, qoftë duke ndarë dhe përgjegjësitë për nxitjen dhe zhvillimet.

Reforma e pensioneve është një nga reformat më të mëdha të kohës, jo vetëm për Shqipërinë. Në këtë drejtim, nuk ka alternativë tjetër veç ligjit. Ju deklaroj se ne do të zhvillojmë një debat me opozitën për të gjetur mirëkuptimin, pasi kjo reformë nuk instalohet sot e për tetë vjet, por për 80 vjet, ndaj duhet të ketë mirëkuptimin më të gjerë. Por edhe shtyllat  e tjera janë jetike për këtë reformë. Fondet e pensioneve private janë kusht themelor që ne të ndërmarrim me guxim,  si domosdoshmëri absolute reformën e pensioneve.

Zonja kryetare, ju theksuat me të drejtë se një nga funksionet e AMF-se është dhe bashkëpunimi ndërkombëtar. Ky funksion është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Ajo çka do tu sugjeroj është që në këtë bashkëpunim të synoni së pari, lidhjet më të ngushta dhe eliminimin e të gjitha barrierave, duke bashkëpunuar me operatorët, në hapësirën e vendeve përreth, nga Sllovenia, Kroacia, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia, në mënyrë që lëvizja e lirë e qytetarëve, sidomos fluksi i turistëve të mos njohë asnjë pengesë. Le ti shohim të gjitha modalitetet që fluksi i lëvizjes të jetë i pandërprerë në të gjithë këtë hapësirë. Me Kosovën, pas disa ndërhyrjeve që u bënë dhe me autoritet ndërkombëtare në këtë fushë, problemet janë zgjidhur, por këtë duhet t’ia ofrojmë edhe Malit të Zi, në rast se është dakord me këtë standard, Kroacisë, etj.. Duhet të bëjmë çdo përpjekje për të zgjeruar hapësirën e lëvizjes së sigurtë të lirë.

Ju keni ngritur një seri problemesh si një institucion i ri dhe unë ju siguroj se qeveria do të bëjë përpjekje dhe do të bashkëpunojë që ti zgjidhni ato sa më shpejt, por, natyrisht, është e domosdoshme që monitorimi të konsolidohet me shpejtësi, sepse e tillë është shpejtësia e zhvillimit të këtij tregu, të tilla janë fushat që me padurim presin të shohin të shtrirë dhe në funksion këtë treg.

Ndaj sot dua tju uroj suksese dhe të shpreh bindjen se ky Autoritet e drejtoi plotësisht misionin që ndërmori, e justifikoi plotësisht veten dhe ne vimë në një vit veprimtarie të suksesshme. Edhe njëherë urimet më të mira."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›