Kryeministri Berisha viziton ekspozitën fotografike me temë “Atje isha edhe unë”

Kryeministri Berisha vizitoi sot ekspozitën fotografike me temë “Atje isha edhe unë”, e hapur me rastin e 8 dhjetorit, “Ditës së Rinisë”, e cila shënon fillimin e Lëvizjes Studentore të Dhjetorit për rrëzimin e regjimit diktatorial komunist.
Gjatë fjalës së tij Kryeministri Berisha u shpreh se 8 dhjetori mishëron ditën në të cilën rinia shqiptare nisi betejën për çlirimin e vendit nga tirania më e egër që shqiptarët kishin njohur në të gjithë ekzistencën e tyre.
“8 dhjetori i vitit `90 shënon përballjen e parë të fuqishme në rrugët e Tiranës të studentëve, të udhëhequr nga lideri i tyre legjendar, Azem Hajdari , me diktaturën orvelliane hoxhiste në një betejë tmerrësisht të rrezikshme dhe tërësisht të pabarabartë, por me një vendosmëri që me shpejtësi të madhe do të krijonte në vend uraganin popullor më të paparë në historinë e tij”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Në këtë kontekst Kryeministri theksoi se 8 dhjetori çeli për Shqipërinë dhe shqiptarët dyert e lirisë, dhe rrugën drejt dinjitetit të munguar njerëzor për çdo qytetar.
Ishte lëvizja studentore shqiptare, ishin të rinjtë e Universiteteve të Tiranës dhe më pas të universiteteve të tjera të vendit që morën në duart e tyre flamurin e lirisë, të cilin do ta shëtisnin në qindra e qindra takime në të katër anët e një vendi tmerrësisht të rraskapitur, një populli që luhatej në skajet e ekzistencës së tij, për ta zgjuar dhe për ta ngritur e inkurajuar atë”, vijoi Kryeministri Berisha.
Në historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve, vlerësoi më tej Kryeministri, Lëvizja Studentore e vitit `90 është lëvizja më e lavdishme, më idealiste dhe më madhështore që kombi shqiptar ka njohur në tërë historinë e tij.
“Studentët kishin një ëndërr; Shqipërinë demokratike, Shqipërinë si Europa. Ëndrra e tyre sot nuk është realizuar ende, por është më afër realizimit se kurrë më parë. Secili prej atyre që u përball në rrugët e Tiranës me tanket, shkopinjtë e gomës me gazin lotsjellës, por edhe me plumbat , sot gjen një vend shumë afër idealeve dhe aspiratave për të cilat luftuan. Ata gjejnë një Shqipëri krejtësisht tjetër, një Shqipëri të qytetarëve të lirë, që ecën me besim të plotë drejt integrimit në BE dhe NATO”, nënvizoi Kryeministri Berisha.
Kryeministri shprehu nderimet më të thella për studentët e Lëvizjes së Dhjetorit, ndaj liderit të tyre legjendar, Azem Hajdari dhe grupit të intelektualëve që u bashkuan në orët e para me ta.
Gjithashtu Kryeministri shprehu nderimet për qytetarët e Tiranës që u bënë mburojë njerëzore për engjëjt e demokracisë në përballjen me diktaturën më të egër të Europës pas Luftës së Dytë Botërore.
Duke iu përgjigjur interesit të medias si një nga protagonistët e Lëvizjes së Dhjetorit, Kryeministri Berisha ka risjellë në vëmendje momentet e vështira të dhunës fizike e psikologjike të diktaturës ndaj studentëve dhe organizatorëve të kësaj lëvizjeje.
“Nga Lëvizja e Dhjetorit kam shumë momente, por meqenëse pyet për një moment do të flas për momentin e parë. Momenti i parë: Unë bashkë me dy miq të mi më 8 dhjetor pasi morëm vesh se studentët janë në demonstratë kemi mundur që nëpërmjet rrugicave, vendi ishte krejt i rrethuar me një prani ushtarake dhe policore të jashtëzakonshme, por ne ia dolëm që të gjendemi vetëm pak metra nga studentët që demonstronin. Ata ishin të vendosur në rrugën e Elbasanit, mund të them 15-20 metra mbi rezidencën e ambasadorit italian. Në atë kohë ishte muzeu Lenin-Stalin, dhe ata po hidhnin parulla: Liri Demokraci, Poshtë Dinastia”, rikujtoi Kryeministri Berisha.
Aty kam parë për herë të parë liderin e tyre Azem Hajdarin, vijoi më tej Kryeministri, duke shtuar se brenda një kohe të shkurtër është bërë një ndërhyrje brutale kundër tyre, një ndërhyrje ç`njerëzore, ku forca të panumërta janë vërsulur nga të dyja anët e rrugës dhe i kanë goditur në mënyrë barbare.
Kryeministri theksoi se ëndrra e tyre ishte integrimi europian i Shqipërisë duke shtuar se realizimi i kësaj ëndrre është më afër se kurrë jo vetëm si aspiratë, por ndodhet afër si proces i garantuar nga një seri marrëveshjesh në zbatim e sipër.