Qeveria e vendosur t'i qëndrojë angazhimit për tolerancë zero ndaj korrupsionit

"Në ditën ndërkombëtare të luftës kundër korrupsionit ajo që na jep kurajon dhe mundësinë t’u komunikojmë qytetarëve është fakti i sigurt se arritjet e deritanishme në betejën kundër korrupsionit nuk do të ndalen me kaq.
Sot nuk ka më monopole qeveritare, nuk ka më zyrtarë në konflikt interesi në asnjë nivel të qeverisjes qëndrore dhe ka gjithnjë e më shumë para që shkojnë në arkën e shtetit dhe jo në xhepa zyrtarësh të korruptuar.
Si rezultat i përpjekjeve tona antikorrupsion,të ardhurat ne buxhetin e shtetit janë shtuar me 1.2 miliardë dollarë edhe pse qeveria ka bërë uljen më drastike të taksave në historinë e finacave publike të këtij vendi.
Administrimi i ndershëm në tatime dhe dogana u ka dhënë shqiptarëve buxhete suplementare në dy vitet e qeverisjes demokratike.
Kjo qeveri ka shkurtuar deri në 120 milionë euro shpenzimet operative, ka reduktuar deri në 20% koston e prokurimeve publike dhe ka siguruar një bashkëpunim të gjerë të qytetarëve të saj për denoncimin e korrupsionit.
Qeveria ka shpallur dhe do të vazhdojë t’i qëndrojë angazhimit të saj për zero tolerancë korrupsionit dhe vetëm në 6 muajt e fundit janë çuar para drejtësisë mbi 30 zyrtarë të lartë.
Janë këto arritje që kanë ndryshuar vlerësimin për Shqipërinë. Indeksi i perceptimit të korrupsionit që publikon organizata prestigjoze Transparency International, instrumenti i pranuar botërisht si matësi më i përafërt për nivelin e korrupsionit në një vend, në dy vitet e qeverisjes demokratike ka njohur një përmirësim të dukshëm.
Grafiku: Ndryshimi i Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit sipas TI
Por, ne jemi të ndërgjegjshëm se Shqipëria është vendi që përballet ende fuqishëm me ekzistencën e këtij porblemi madhor, por është edhe vendi i luftës së sigurt kundër korrupsionit.
Sondazhi më i fundit tregon se ka një rënie të ndjeshme të praktikës së rryshfetit në organet e policisë dhe veçanërisht në ato tatimore krahasuar me vitin 2006, por ai mbetet problem shqetësues në disa sektorë të tjerë sidomos në gjyqësor dhe në shëndetësi.
Tabela: Transparenca Ndërkombëtare e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit.
Qytetarët janë gjithnjë e më tepër të bindur se kjo qeveri do të vazhdojë luftën pa kompromis. Nga viti 2006 në vitin 2007 është përgjysmuar mosbesimi ndaj masave të qeverisë.
Grafiku: Niveli i rryshfetit sipas sektorëve 2006-2007
Të ndërgjegjshëm se lufta kundër korrupsionit do të vazhdojë të jetë prioriteti ynë kryesor, qeveria fton të gjithë qytetarët dhe institucionet e këtij vendi të bashkëpunojnë në zhdukjen e këtij fenomeni rrënues për të gjithë shoqërinë."
Pyetje: Zonja Bregu, opozita ka kritikuar qeverinë për nivel të lartë të korrupsionit, cili është komenti juaj për këto akuza?
Zonja Bregu: Ne i konsiderojme deklaratat e sotme të opozitës si shprehje e ndërgjegjësimit të të gjithëve për çështjen e korrupsionit.
Pyetje: Zonja Bregu, pse qeveria reagon sot për raportin e Transparency International ?
Zonja Bregu: Sepse sot është dita ndërkombëtare e luftës kundër korrupsionit.
Reagimi i sotëm nuk është nje reagim i drejtpërdrjetë për raportin e Transparency International, aq më tepër që dihet se sondazhet në Shqipëri kanë një perceptim të tillë, i cili jo gjithmonë është i përputhshëm me realitetin.Dua të kujtoj se ky është një ndër 6 sondazhet që përdor Transparency International për perceptimin e korrupsionit.