E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha: Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare po përmbush me përgjegjësi misionin e rëndësishëm, për vendosjen e standardeve ne tregun financiar jobankar

- Kryeministri Berisha: Qeveria do të bëjë çdo përpjekje dhe do të bashkëpunojë me AMF-në për garantimin e funksionimit sa më efikas të këtij Institucioni

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në Konferencën  e organizuar nga AMF (Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare) me rastin  e 1 vjetorit të themelimit të këtij institucioni, me temë “Zhvillimet dhe sfidat e tregjeve financiare, jo bankare.”

Duke përshëndetur të pranishmit, Kryeministri Berisha u shpreh se krijimi i këtij autoriteti erdhi si rezultat i kërkesave të mëdha në rritje të mbikëqyrjes dhe rregullimit të tregut financiar jobankar, një prej tregjeve më të rëndësishme për zhvillimin e një vendi.

Kryeministri theksoi se brenda një viti AMF-ja ka dëshmuar qartë se po për përmbush me përgjegjësi misionin e tij të rëndësishëm, për vendosjen e standardeve ne tregun financiar jobankar, për nxitjen dhe zhvillimin e këtij tregu, duke mbrojtur para së gjithash interesat e publikut dhe konsumatorit.

Duke vlerësuar meritën e dhënë në këtë drejtim të kompanive vendase të sigurimeve, të cilat e nisën punë  e tyre në kushte të vështira,  Kryeministri vuri në dukje se në bilancin e bërë një vit më parë, Shqipëria rezultonte shumë larg standardeve të sigurimeve të vendeve të rajonit dhe akoma më larg vendeve të BE-së.

Duke theksuar se krijimi i autoritetit mbikëqyrës ka nxitur zhvillimin këtij tregu, Kryeministri nënvizoi se në bashkëpunim me qeverinë janë marrë dhe do të merren pandërprerë masa që hapësirat e tregut financiar jobankar të zgjerohen në mënyrë progresive.

Kryeministri tha se është shumë e rëndësishme që ekonomia shqiptare të ndjekë rregullat dhe të shohë në rregullimin e biznesit garancinë më të madhe dhe largimin nga rreziqet. “Shqipëria ka një ekonomi të re, dinamike dhe entuziaste, por një ekonomi e cila duhet të ndjekë rregullat dhe të shohë në rregullimin e biznesit, garancinë më të madhe dhe largimin nga rreziqet, gjë e cila është ende në nivele të papranueshme."

Në këtë kontekst, Kryeministri ftoi biznesin shqiptar të garantojë bizneset e tyre në kompanitë e sigurimit, të cilat kanë bërë progres shumë të madh. “Vetëm këtë vit, pas krijimit të autoritetit mbikëqyrës, por, natyrisht, edhe pas disa faktorëve të tjerë, këtu kanë zbritur dhe janë instaluar kompani të mëdha sigurimesh. Ndaj është jashtëzakonisht e rëndësishme që bizneset të shohin këtu një mundësi shumë të madhe të tyre për të funksionuar me rreziqe shumë më të ulëta, apo të garantuar në rast problemesh”, u shpreh Kryeministri.

Kryeministri u shpreh se qeveria po shqyrton çdo sektor dhe do të vendosë pa hezitim masa, ligje apo vendime për të garantuar jetën e punonjësve shqiptarë, qoftë këto ndërmarrje publike apo private.

Kryeministri vuri në dukje së është e domosdoshme që të mirëmenaxhohen problemet financiare dhe ato të sigurimeve në  sektorë  të rëndësishëm si ai i shëndetësisë. “Është e domosdoshme të nxitet shtrirja e këtij institucioni në sektorë të paeksploruar deri më sot, të cilët pa ndërhyrjen tuaj, do të mbeten rudimentar dhe të pazhvilluar. Një prej tyre është sektori i shëndetësisë. Nuk mund kemi reforma të këtij sektori pa zgjidhur në mënyrën më të përshtatshme probleme të financimit të tij, problemet e sigurimeve.” u shpreh Kryeministri.

Duke u ndalur në një prej funksioneve të AMF-së, atë të bashkëpunimit ndërkombëtar, Kryeministri u shpreh se është shumë e rëndësishme krijimi i lidhjeve të ngushta me operatorët në hapësirën e vendeve përreth, Sllovenisë, Kroacisë, Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë, etj., si dhe eliminimi i të gjitha barrierave, në mënyrë që lëvizja e lirë e qytetarëve dhe sidomos e turistëve, të mos njohë asnjë pengesë.

Duke vlerësuar konsolidimin e procesit të monitorimit të tregut si vendimtar në zhvillimin  e tregut, Kryeministri siguroi se qeveria do të bëjë çdo përpjekje dhe do të bashkëpunojë me AMF-në për zgjidhjen sa më të shpejtë dhe efikase të problemeve që has ky institucion i ri.

Së bashku me Kryeministrin në takim merrnin pjesë Ministri i Financave, zoti Ridvan Bode, Guvernatori i Bankës Shqiptare, zoti Adrian Fullani, drejtues të AMF-së si dhe përfaqsues dhe drejtues të institucioneve financiare ndërkombëtare dhe të bankave të vendit.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare zhvillon funksionet e tij të Mbikëqyrjes së tregjeve financiare jo bankare përmes monitorimit të tregjeve në tërësi dhe të performancës së aktorëve të tregut në veçanti. AMF synon rritjen e efektivitetit të proceseve të mbikëqyrjes së këtyre tregjeve nëpërmjet përqasjes me modelin bashkohor “të mbikëqyrjes me bazë risku”. Për realizmin e këtij projekti të rëndësishëm, AMF-ja po bashkëpunon ngushtësisht me Bankën Botërore dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›