Fjala e kryeministrit Fatos Nano në mbledhjen e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë Sot, në Ministrinë e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit, nen dre
Fjala e kryeministrit Fatos Nano në mbledhjen e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë
Sot, në Ministrinë e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit, nen drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, njekohesisht dhe Kryetar i KRRTRSh-se, u zhvillua mbledhja e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë. Në këtë mbledhje Kryeministri Fatos Nano, me cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Rregullimit të Territorit, mbajti një fjale. Kryeministrit Fatos Nano tha:
Të nderuar anëtarë të Këshillit të Rregullimit të Territorit, po e zhvillojmë këtë mbledhje për të miratuar disa akte të rëndësishme që i hapin rrugë zhvillimit të mëtejshëm të koncepteve dhe të realiteteve të përafrimit të modelit urban dhe të menaxhimit të territorit të vendit me standartet e Bashkimit Evropian, vazhdimin e modernizimit të infrastrukturave publike dhe për të programuar njëkohësisht ridimensionimin e nevojshëm të punës së vendimmarrjes së këtij këshilli në kryerjen e funksioneve ligjore që harmonizojnë më tej interesat publike me ato private, interesat nacionale dhe të gjitha pjesët e territorit kombëtar që qeverisen nga Pushteti Demokratik Vendor, për të harmonizuar strategjitë kombëtare me programet rajonale dhe vendore juridike, me ariktekturën e kohës, me ruajtjen dhe pasurimin e trashëgimisë kombëtare.
Normalisht, Këshilli ynë ka funksionin ligjor të miratojë lejet përkatëse edhe për vazhdimin e segmenteve të infrastrukturave rajonale që përshkojnë Shqipërinë, që nga segmenti rrugor Elbasan-Librazhd, që janë në fazën përfundimtare të ndërtimit të Korridorit të 8-të, duke plotësuar kështu kushtet për një lëvizje më të shpejtë dhe më ekonomike të shtetasve të Republikës, të mallrave, të shërbimeve, jo vetëm brenda vendit, por edhe në interkoneksionet me fqinjët, me rajonin, me tregun global që nis tashmë brenda kufijve tanë, pjesë e rëndësishme e Korridorit të 8-të.
Sot, gjithashtu, duke shqyrtuar, besoj dhe miratuar, lejet e ndërtimit për shoqërinë e naftës "Anglo-Albanian Petrolium", për hapjen e puseve të rinj në Marinës dhe Kumanë, ne rrisim shanset për të intesifikuar dhe ekonomizuar shfrytëzimin e burimeve energjitike të vendit, duke zgjeruar njëkohësisht hapësirat legale për shtimin e investimeve private të huaja, si një nga prioritetet e programit të qeverisë ku bëj pjesë.
Në rendin e ditës së kësaj mbledhjeje, më lejoni të vë theksin dhe tek rëndësia e shqyrtimit të projekteve urbanistike në qytetin e Vlorës, për t'i kthyer këtij qyteti përfundimisht normalitetin dhe sigurinë që jep ligji edhe në fushën e ndërtimeve, por dhe koncepti i hapjes dhe i përafrimit të zhvillimit tonë urban me qytetet e Evropës së Bashkuar.
Trafiku, si nocion, nuk zhvillohet vetëm me gomone dhe me skafe, por edhe duke neglizhuar apo abuzuar me urbanistikën e qyteteve apo të qendrave të tyre, duke mos lejuar të krijohen hapësirat për të shfrytëzuar maksimalisht potencialet humane dhe natyrore për zhvillim, mirëqënie dhe integrim që ka vendi, dhe veçanërisht pionierët e ritmeve të larta të zhvillimit që përfaqësohen nga qytetet e mëdha dhe sidomos bregdetare.
Duke analizuar 2 projektet që paraqiten për shqyrtim për qytetin e Vlorës, më lejoni që të shpreh vërejtjet e mija për mungesën e përgjegjësisë në hartimin e tyre. Në rastin e kërkesës për të kthyer në zonë të banuar sipërfaqen e aeroportit të qytetit, p.sh., nuk merren parasysh 2 elementë të rëndësishëm. Mundësia e rehabilitimit të pistës ekzistuese, pra nuk mund të legalizohen kaq në mënyrë fluturake ndërtimet pa leje që kryhen në infrastruktura me rëndësi nacionale dhe për zhvillimin prioritar të vendit.
Dhe elementi i dytë, mungon një variant alternativ dhe i sigurtë që i garanton jo vetëm qytetit të Vlorës një aeroport të ri, por dhe integrimit të këtyre zonave me rëndësi të veçantë, të stimuluar madje nga ligji në zhvillimin modern kombëtar drejt një realiteti bashkëkohor. Ndërsa projekti i vijës bregdetare të qytetit dhe të portit dëshmon mungesë të theksuar të koordinimit të punëve dhe investimeve midis dikastereve, pra vazhdimin e rutinës së anashkalimit me pasoja të rënda që i bëhet dhe Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit.
Këtu normalisht ka, po të identifikohen, kontradikta të tjera të vendimmarrjes që burojnë edhe nga ligji i urbanistikës, por më në fund ne kemi përgjegjësinë jo vetëm të qeverisë, por edhe të një trupe vendimmarrëse kombëtare për të disiplinuar prirjet e zhvillimit kombëtar, të zhvillimit urban, të zhvillimit territorial, të zhvillimit prioritar në përputhje me tendencat globale të intengrimit të vendit në Evropën moderne.
Ekzistenca e dy projekteve për portin e qytetit, ku njëri prej tyre financohet nga partnerët ndërkombëtarë me shuma të konsiderueshme, për të denatyruar konceptin e portit të Vlorës nga turistik në komercial, ndërsa projekti tjetër, që shoqërohet sot për miratim, vijnë tek kërkesat për të ndërtuar një port turistik, si një precedent i pafalshëm për të cilin duhet të mbajnë përgjegjësinë si autoritetet vendore, ashtu edhe përfaqësuesit e dikastereve qëndrore.
Pra, ne nuk mund të vazhdojmë vendimmarrjen në kushtet e një spontaniteti konfliktual. Një fenomen i tillë ndodh pasi po konstatoj se institucioni i Këshillit Kombëtar i Rregullimit të Territorit është shmangur nga ushtrimi i detyrimit ligjor për të shqyrtuar dhe miratuar projekte urbanistike të kohës, për të kapërcyer spekullimin imobiliar me vijat e verdha të para 40 vjetëve, pra nuk mund të vazhdohet të tolerohet më ky fenomen, duke nisur që nga kjo mbledhje.
Të nderuar anëtarë të Këshillit të Kombëtar të Rregullimit të Terroritorit të Shqipërisë, më lejoni të ndaj me ju bindjen se qeveria që unë drejtoj ka marrë tashmë në analizë problemet e Urbanizimit dhe të ndërtimeve në tërësi dhe ka nisur të përpunojë në kuadrin e shtrirjes së programimit ekzekutiv në të gjithë sektorët dhe pjesët e territorit, zgjidhjet më të përshtatshme do t'i japin me vendosmëri abuzimeve apo shpërdorimeve në këtë sektor, si nga entet publike ashtu edhe të sipërmarrjes private.
Në këtë analizë të përgjegjshme na rezulton se mungon çertifikimi i projekteve dhe veçanërisht efektshmëria ekonomike e tyre përballë interesave publike afatgjata.
Konstatohet njëkohësisht, se mungojnë standartet që disiplinojnë cilësinë e veprave që ndërtohen, gjë që lë shtigje për vlerësime subjektive apo abuzime klienteliste dhe korruptive. Akoma më problematik paraqitet procesi i supervizimit të realizimit të projekteve në fushën e ndërtimeve, duke krijuar kushte që shmangia nga projektet dhe afatet ende të mos ndëshkohet as administrativisht dhe as në përputhje me ligjin.
Në përpjekjet që po bën qeveria për të krijuar interkoneksione të disiplinuara midis matricave për decentralizimin, për urbanizimin, integrimin dhe të reformave ekonomike dhe administrative, procesit të decentralizimit të pushtetit vendor, veçanërisht në fushën urbanistike është evidentuar që duhen hapur dyert në garantimin e ruajtjes së trashëgimisë kombëtare në këtë fushë, dhe mbi të gjitha, të zbatohet detyrimi ligjor për paraqitjen paraprake të projekteve për qytetet e mëdha me këtë organizim.
Interesat e komuniteteve dhe të sipërmarrjeve pra, do të bëhen të garantuara, kur përmbushen vetëm rregullat dhe standartet unike që respektojë parimet e vetëqeverisjes, por dhe projektet dhe strategjitë kombëtare të zhvillimit. Mbi këtë analizë është detyrë ekskluzive e këtij organizimi që po rimbledhim sot, që për sa kohë të vazhdojë zbatimi dhe miratimi i strategjisë kombëtare për urbanizimin, i cili do të atakohet nga lart dhe nga poshtë, me koncepte nacionale dhe me modele dhe projekte pilot të zhvillimeve prioritare, ne duhet të mos e lëshojmë autoritetin e harmonizimit të intersave publike me ato të sipërmarrjes private, të projekteve të zhvillimit qeveritar me ato të autoriteteve vendore, të strategjive sektoriale të zhvillimit ekonomik dhe disiplinën urbanistike dhe në përputhje me domosdoshmërinë e rujajtes së një mjedisi të pastër. Ne na duhet madje të rekuperojmë në të gjitha këto drejtime, jo vetëm duke ndalur abuzimin, dhe cënimin e parametrave ekologjikë dhe të zhvillimit urban, por edhe të korrigjojmë me ndërhyrjet e mëvonshme gjithcka që deri më sot nuk përputhet me standartet e kohës. Të gjithë ne si anëtarë të Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territoriit, do të përfshihemi pra, në procesin e përmirësimeve dhe plotësimeve që duhen bërë në kuadrin ligjor gjithashtu, për të përshpejtuar procesin e përafrimit të standarteve dhe institucioneve tona të administrimit të pushtetit publik në funksione urbanizimi dhe ndërtimi me ato të BE-së.
Paralelisht me këtë, qeveria është angazhuar në hartimin brenda dy vjetësh të një Strategjie Kombëtare të Urbanizimit, e cila synon shfrytëzimin e resurseve potenciale të vendit, për të garantuar investime dhe projekte atraktive private dhe publike, brenda saj dhe të huaja. Deri tani mbi këtë koncept ne jemi të vendosur të zhvillojmë, të konsolidojmë dhe ta bëjmë efikas partneritetin e shtetit, administratës, qeverisë, të KKRTSH-së, në se dëshironi, me komunitetet sipërmarrëse vendase dhe të huaja, me projektuesit vendas dhe të huaj, ekspertë të vendit dhe të vendeve të tjera me komunitetet e shtetasve të vendit dhe të shtetasve të tjerë që po hulumtojnë shanset për sipërmarrje për turizëm, apo për interesa të tjera në Shqipëri në kuadrin e proceseve të hapjes dhe të integrimit të saj në botën moderne.
Kjo stategji, pra në thelb synon t`u ofrojë të gjithë shtetasve të vendit shanset e sipërmarrjes atje ku ato ekzistojnë për të shfrytëzuar më mirë shërbimet publike dhe private. Kjo stategji nuk do të nxisë braktisjen e dirigjuar të zonave që sot konsideriohen të varfëra, por do të sigurojë përdorimin më me objekivitet të potencialeve natyrore dhe humane të shpërndara natyrshëm në të gjithë territorin e vendit.
Ky projekt i madh që na angazhon të gjithëve do të jetë shtrati më i mirë për të harmonizuar në tërësi stratëgjitë kombëtare të zhvillimit dhe integrimit, përfshirë edhe ato të urbanizimit me programet rajonale. Ne si qeveri nuk mund të qëndrojmë në pritje dhe si KKRTSH nuk mund të qëndrojmë në pritje të hartimit dhe të miratimit të kësaj strategjie, por do të angazhohemi për të siguruar në proces zhvillimin e një ose në disa projekte dhe zona pilot që garantojnë me sukses stimul dhe model të zhvillimit dhe integrimit të faktorëve natyrore, ekonomik, social, infrastrukturor, arsimor dhe kulturor në procesin e hapjes së integrimit dhe kompetitivitetit shqiptar në tregjet globale.
Më parë se sa të mendojmë për zonat që po braktisen, ne duhet të programojnë krijimin e shanseve që migrimi të mos vazhdojë në kaos duke sjellë jo rrallë dëme dhe në patrimonin kombëtar dhe në të drejtën e pronësive në shpërpjesëtimin e infrastrukturave, madje dhe në dizekuilibret e tregut të punës.
Në sintezë, pra, deri edhe në projektet që do të vazhdojmë të shqyrtojnë dhe miratojmë në KKRTSH nuk do t`i lihen më spontanitetit apo plotësimit të intersave të castit dhe të emergjencave, por ne të gjithë së bashku do të strukturojmë vendime dhe angazhime edhe të qeverisë si trup vendimarrës, që ky proces t`i paraprijë një urbanizimi modern në shkallë kombëtare dhe në përputhje me integrimin rajonal dhe atë global të vendit dhe të Ballkanit në Evropë.
Ju uroj punë të mbarë!