E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministrat e Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kroacisë takohen në Durrës në kuadër të Kartës Adrtiatik 3

Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, Kryeministri i Kroacisë Ivo Sanader dhe Kryeministri i Maqedonisë Vlado Buçkovski zhvilluan të martën në Durrës, një takim tripalësh në kuadër të Kartës Adriatik 3.

"Jemi të vendosur të punojmë së bashku për një të ardhme të sigurt, që është anëtarësimi në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Vendet tona po punojnë për konsolidimin e shtetit ligjor, tregtinë e lirë, institucionet demokratike. NATO mbi të gjitha është një aleancë politike. Vendet tona janë të vendosura dhe po punojnë së bashku, për reformën ushtarake dhe bashkëpunimin ushtarak. Prandaj jemi së bashku në Afganistan, në Bosnjë dhe jemi shumë të vendosur që të jemi aty ku NATO do ketë nevojë për ne. Kombet tona janë duke punuar seriozisht në Planin e Veprimit të Anëtarësimit", tha Kryeministri Berisha, gjatë prononcimit të përbashkët për shtyp, në përfundim të takimit tripalësh.

Kryeministri Berisha u shpreh se, gjatë takimit, të tre homologët kishin shprehur të njëjtin mendim për të mbështetur plotësisht komunitetin ndërkombëtar në përpjekjet e tyre për të bërë zgjedhjen e duhur dhe për të marrë vendime të drejta për çështjen e Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës.

"Ne e konsideruam çdo hap të secilit prej vendeve tona për në BE dhe NATO si një kontribut të vërtetë për të gjithë rajonin. Për këtë arsye ne jemi krenarë që Kroacia ka marrë dritën jeshile për anëtarësim, Maqedonia ka fituar të drejtën e vendit kandidat, dhe Shqipëria ka sigluar Marrveshjen e Stabilizim Asociimit. Ne mirëpresim që Serbia, Bosnja, Mali i Zi të bëjnë progres drejt BE-së dhe të ecin përpara drejt intregrimit në përgjithësi", tha z.Berisha.

Ndërsa Kryeministri kroat Ivo Sanader deklaroi se bashkëpunimi euro-atlantik është e vetmja alternativë. "Ne besojmë tek një bashkëpunim i fortë dhe i vazhdueshëm ndër-atlantik. Të tre vendet do të donin të bashkoheshin me NATO-n dhe BE-në. Në lidhje me BE-në ne jemi në faza të ndryshme, Kroacia është më përpara dhe ne jemi gati të ndajmë eksperiencën tonë me vendet partnere dhe mike, Shqipërinë dhe Maqedoninë. Më lejoni të përgëzoj Shqipërinë për siglimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me 18 shkurt. Ky është një hap përpara në rrugën tuaj drejt Europës", u shpreh z.Sanader.

Kryeministri kroat bëri me dije se në takimin tripalësh është disktuar edhe në kuadër të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Jug-Lindore, Kroacia në maj të këtij do të marrë për një vit presidencën e SEECP. "Ne do të jemi shumë aktivë dhe unë u jam shumë mirënjohës kolegëve të mi të cilët i kanë mbështetur të gjitha idetë", tha ai.

Përsa i përket NATO-s, kryeministri Sanader u shpreh se Samiti i Rigas është shumë i rëndësishëm. "Ne do ta vazhdojmë bashkëpunimin tonë dhe mbështetjen e fortë për njeri tjetrin në drejtim të NATO-s. Pra ne besojmë dhe do të punojmë sëbashku në mënyrë që që verdikti i Samitit të Rigës të jetë pozitiv për tre vendet tona", u shpreh z.Sanader.

Me 9 dhe 10 Korrik do të mbahet një konferencë e NATO-s në Dubrovnik dhe Kryeministri kroat ka ftuar z.Berisha dhe z.Buçkovski të marrin pjesë në këtë konferencë, ndërkohë që po në prag të kësaj konference do të jetë edhe takimi i ardhshëm tripalësh në kuadër të Kartës Adriatik 3.

Kryeministri maqedonas Buçkovski deklaroi se sot është një ditë shumë e rëndësishme për rajonin, pasi sot po nisim fushatën tonë për procesin e integrimit në NATO. "Slogani ynë do të jetë "Ftesa për anëtarësim, jo më vonë se në vitin 2008"", tha ai.

Kryeministri maqedonas u shpreh se ne do të vazhdojmë të promovojmë solidaritetin, miqësinë dhe mirëkuptimin në rajon. "Do të mbështesim fqinjët tanë, Rumaninë dhe Bullgarinë që në vitin 2007 të bëhen anëtare të BE, po ashtu siç do të vazhdojmë të mbështesim Kroacinë që të vazhdojë të udhëheqë në rajon në procesin e integrimit në BE. Unë jam optimist për të ardhmen e rajonit. Sigurisht, përsa i përket bashkëpunimit me Kroacinë dhe Shqipërinë ne do të vazhdojmë të promovojmë klimën pozitive në rajon", deklaroi në prononcimin e përbashkët për shtyp Kryeministri maqedonas Vlado Buçkovski.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›