Kryeministri Berisha pret Kryeministrin e Kroacisë, Sanader
Kryeministri Sali Berisha priti të hënën kryeministrin e Kroacisë, Ivo Sanader dhe delegacionin qe e shoqëronte atë. Gjatë një konference për shtyp pas takimit, Kryeministri Berisha u shpreh:
Kryeministri Berisha: Pata shumë nder dhe kënaqësi që prita sot, në një vizitë zyrtare dhe miqësore, Kryeministrin e një vendi dhe një kombi me të cilin shqiptarët dhe Shqipëria janë të lidhura me fije të panumërta miqësie. Shqipëria dhe Kroacia janë të bashkuara gjithashtu në përpjekje për një të ardhme të përbashkët. Kryeministri Sanader është mik e promotor i këtij bashkëpunimi që ekziston mes dy vendeve. Në diskutimet që patëm vetëm për vetëm dhe sëbashku me delegacionin, ne konstatojmë se marrëdhëniet shumë të gjera politike krijojnë mundësi të mëdha për zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në të gjitha fushata. Në fushën ekonomike, ku investitorët kroatë punojnë sot në Shqipëri, por hapësira është shumë më e madhe që të vijnë edhe të tjerë. Në fushën e turizmit Kroacia ka një eksperiencë të pasur dhe të çmuar, nga e cila Shqipëria mund dhe do të përfitojë, po ashtu edhe në drejtim të infrastrukturës. Vendet tona janë fqinjë. Ne diskutuam dhe ramë dakort të intensifikojmë përpjekjet për korridorin Adriatiko-Jonian, për të inkurajuar linjat ajrore për të filluar fluturimet Tiranë-Zagreb dhe anasjelltas, për të nisur transportin detar Durrës- Rjeka. Po ashtu, mendojmë se bashkëpunimi kulturor është i domosdoshëm dhe i frutshëm. Kombet fqinj, që në shekuj kanë krijuar vlerat e tyre kulturore, duhet të intensifikojnë bashkëpunimin në këtë fushë.
Me mikun tim Sanader diskutuam problemet e integrimit. Kroacia është vend kandidat për anëtarë të Bashkimit Europian. Shqipëria do të përfitojë nga eksperienca e saj e pasur në zbatimin e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Gjatë diskutimeve tona, ramë dakort se intensifikimi i bashkëpunimit rajonal është i domosdoshëm për të kapërcyer pasojat e 50 vjetëve ndarje. Ne vlerësojmë Paktin e Stabilitetit dhe besojmë se përmbajtja e tij duhet të shoqërohet me nisma të tjera të rëndësishme. Ne mbështesim plotësisht idenë e CEFTA (Central Europian Free Trade Agreement), si një bashkëpunim i rëndësishëm i shkëmbimeve tregtare dhe në tërësi. Ne kemi vendosur të bëjmë të gjithë bashkëpunimin tonë në kuadrin e nismës së Europës Juglindore.
Ne jemi shumë të vendosur të intensifikojmë bashkëpunimin tonë të gjithanshëm në kuadrin e Kartës së Adriatikut 3, në mënyrë që në Samitin e parë të zgjerimit, vendet tona të marrin ftesën që meritojnë.