E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjala e Kryeministrit Sali Berisha në Forumin e Biznesit Shqipëri-Kroaci

Dua t'ju përshëndes ju z.President i Dhomës së Tregtisë dhe kolegun tuaj të Dhomës së Tregtisë së Kroacisë dhe shpresoj se ndaj me Kryeministrin Sanader kënaqësinë e madhe që kemi t'ju adresojmë ju këtu, ambasadorë të shkëlqyer të konkretizimit të projekteve të përbashkëta midis dy kombeve dhe vendeve tona, tradicionalisht mike të vërteta, mike të sinqerta të njëra-tjetrës. Ne kemi një histori shumë të çmuar respekti ndërmjet dy kombeve dhe kjo përbën një bazë që të zgjerojmë në mënyrë intensive bashkëpunimin në të gjitha fushat. Dua t'ju pohoj se bashkëpunimi politik është i shkëlqyer midis dy vendeve, çka duhet që të ndiqet me intensitet nga bashkëpunimi ekonomik në të gjitha fushat. Në këtë kontekst, ne mbetemi të vendosur në shërbimin tuaj që të lehtësojmë këtë bashkëpunim tepër të rëndësishëm për Shqipërinë, por edhe për Kroacinë.

Shqipëria është në një proces të tërë rishqyrtimi të të gjithë legjislacionit të saj me një qëllim unik dhe të vetëm që të zgjerojë hapësirat, të lehtësojë barrierat për investitorët shqiptarë dhe të huaj. Në këtë kontekst unë kam kënaqësinë t'u informoj se produktet e para të kësaj përpjekje janë një ndryshim thelbësor i ligjit dhe ligjeve për rregjistrimin e bizneseve dhe koston e këtij rregjistrimi, e cila është përgjysmuar sikundër koha e regjistrimit, dhe të gjitha problemet e tjera të lidhura me rregjistrin tregtar, janë reduktuar nga 42 në 8 ditë. Këtë e konsiderojmë vetëm një hap të parë. Ne po bëjmë përpjekje të mëdha që të lehtësojmë barrën fiskale. Të dy partitë tona në pushtet janë parti të taksave të ulëta kështu që ne mund t'i përmbahemi kësaj politike dhe progresivisht do të thjeshtojmë paketën fiskale, do ta lehtësojmë atë, do ta bëjmë atë vërtet një paketë favorizuese për investimet në tërësi dhe investimet e huaja në veçanti. Shqipëria nuk është një vend i madh, por Shqipëria është një vend me mundësi të mëdha dhe në këtë kontekst unë kam bindjen se investitori kroat që vendos të investojë në Shqipëri nuk ka shanse të tjera përveç suksesit.

Fusha të rëndësishme ku ne do të inkurajonim janë një infrastrukturë e tërë, si në Korridorin Adriatik-Jonian, ashtu edhe në akse të tjera, në Korridorin Durrës-Prishtinë. Janë projekte të këtij viti, pra përbëjnë vërtet një oportunitet të madh që kompani të tjera kroate nga ato që ekzistojnë dhe që me sukses real punojnë në porte, në naftë dhe në fusha të tjera, mund t'i bashkëngjiten.

Një fushë tjetër e rendësishme ku Shqipëria paraqet një interes të veçantë është energjitika. Vendi ka të pashfrytëzuar rreth 70% të potencialit hidrik, sikundër përgatit të çojë drejt privatizimit koorporatën më të madhe energjitike. Dua t'ju informoj ju të nderuar investitorë kroatë se ne po riorganizojmë një njësi kombëtare për konçesionet dhe jemi të vendosur ta adaptojmë konçesionin si një nga format më të shpejta. Duke qenë një vend me resurse financiare të kufizuara ne do t'i adresohemi konçesionit, si një nga format më të shpeshta për të përshpejtuar zhvillimin tonë ekonomik. Po kështu materialet e ndërtimit, Shqipëria për pozicionin e saj paraqet një interes të veçantë për prodhimin e këtyre materialeve. Në rast se Shqipëria ka një rritje ekonomike prej mbi 5%, është në radhë të parë në saj të sektorit të ndërtimit që është dhe promotori kryesor i kësaj rritjeje. Pra ky sektor është një konsumator i madh i materialeve të ndërtimit dhe nuk është për t'u neglizhuar sepse mund t'ju them se çmimet këtu janë të krahasueshme me çmimet e vendeve të shtrenjta të Europës.

Industria farmaceutike, në të cilën Kroacia ka një traditë të mirë, mund të bashkëpunojë me sektrorë përkatës në Shqipëri dhe në këtë mënyrë themi se është një fushë e sigurtë bashkëpunimi. Por do të theksoja se turizmi mbetet një fushë në të cilën të dy vendet për shkak afrisë gjeografike, të eksperiencës, mund të bashkëpunojnë ngushtë njëra me tjetrën. Me Kryeministrin Sanader ne ramë dakort të inkurajojmë zhvillimin e linjës Durrës-Rjeka dhe të linjës ajrore Tiranë-Zagreb. Natryisht shumë më tepër mund të kontribuoni ju me nismat tuaja private. Ne po përgatitemi që të krijojmë një kuadër nxitës, për ta përmirësuar kuadrin ekzistues, për investimet në turizëm.

Rritja ekonomike ekzistuese mund të jetë realisht mjaft më e madhe ndaj dhe jemi të vendosur të operojmë me zona industriale, parqe industriale, porte të lira, zona të lira. Në këtë kontekst, po qe se do të ndaleni gjatë kësaj vizite të shkurtër, në luginën Tiranë-Durrës, ju gjeni këtu me të vërtetë një nga vendet më tërheqëse për investime, është infrastruktura e gatshme, është një krah pune dinamik, i ri, i kualifikuar, por edhe me çmim të leverdisshëm. Ndaj dhe ne synojmë që këtë zonë ta shndërrojmë në një zonë të fuqishme manifakture, prodhimi, sikundër jemi të vendosur edhe në qytete të tjera të zhvillojmë konceptin e parqeve industriale.

Shkurtimisht këto desha të theksoj sot përpara jush duke ju siguruar se në përpjekjen tuaj për të investuar në Shqipëri ju gjeni një klimë miqësore, sepse të dy popujt janë miq, por ju gjeni edhe një qeveri mike e cila është shumë e angazhuar t'ju mbështesë dhe të lehtësojë maksimalisht, brenda kuadrit ligjor, përpjekjet tuaja dhe t'i kontribuojë suksesit të investimeve tuaja në Shqipëri.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›