Kryeministri Berisha pret Kryeministrin e Maqedonisë, Buçkovski

Kryeministri Sali Berisha priti të mërkurën Kryeministrin e Maqedonisë, Vlado Buçkovski dhe delegacionin qe e shoqëronte atë. Gjatë një konference për shtyp, pas takimit, Kryeministri Berisha u shpreh:
Kryeministri Berisha: Dje, sëbashku dhe me kryeministrin kroat Sanader, ne patëm një ditë atlantike. Sot, me kryeministrin dhe mikun tim, Vlado Buçkovski, ne jemi përqëndruar tërësisht në marrëdhëniet bilaterale. Sigurisht, kemi diskutuar edhe mbi pikpamjet tona për zhvillimet në rajon dhe më gjerë. Ne konstatojmë se marredhëniet politike midis dy vendeve tona janë të shkëlqyera. Shqipëria dhe Maqedonia janë dy vende që kanë pikëpamje të njëjta për zhvillimet në Ballkan. Kanë projekte të njëjta për të ardhmen e tyre në BE dhe NATO.
Ne diskutuam gjerësisht mbi intensifikimin e marrëdhenieve ekonomike, kulturore, marrëdhënieve në fushën e luftës kundër kriminialitetit. Ne shohim me kënaqësi dyfishimin e vëllimit të shkëmbimeve tregtare gjatë kësaj periudhe, por e konsiderojmë këtë vetëm një sukses fillestar. Jemi te bindur se potenciali i këtyre shkembimeve dhe i bashkëpunimit ekonomik, është shumë i madh. Me kryeministrin Buçkovski ramë dakort qe të bashkëpunojmë ngushtë për projekte te përbashkëta që i interesojnë të dy vendeve tona. Shqipëria do të konsiderojë shumë seriozisht një status të veçantë në Portin e Durrësit për Maqedoninë. Bashkërisht do të konsiderojmë lidhjen hekurudhore, sa më shpejt, si dhe përpjeke të përbashkëta për Korridorin 8. Një kërkesë të përbashkët do t'i paraqesim qeverisë ruse për gazin, në rajon. Sikundër, kemi ndërmend të konsiderojmë shumë seriozisht që, të dy vendet të jenë aksionere në termocentralet e medha që do të ndërtohen në Kosovë. Ne do të punojmë bashkërisht për linjën Tiranë- Shkup të transmetimit të energjisë.
Këto janë projekte të mëdha për vendet tona, që kërkojnë energji, përkushtim dhe ne jemi të vendosur t'i mobilizojmë këto energji dhe këtë përkushtim. Ne kemi rënë dakort të zgjerojmë bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar me "zero tolerancë" ndaj tij. Shërbimet tona të zbatimit të ligjit, të informacionit, doganat, policitë kufitare, do të punojnë ngushtësisht njëra me tjetrën, që dy vendet tona, të cilat aktualisht janë prodhues të stabilitetit dhe eksportues të sigurisë në pjesëmarrjen e tyre në operacionet e NATO-s, të jenë ndër zonat me të sigurta të Europës, për qytetarët e tyre dhe investitorët e huaj. Kemi rënë dakort që të takohemi më shpesh, privatisht dhe zyrtarisht. Vendosëm që të takohemi në Pogradec, por dhe në Sarandë, Vlorë e Durrës.