Fjala e kryeministrit Sali Berisha për rezultatet e punës së qeverisë gjatë 100 ditëve të para
Për qeverinë e një koalicioni forcash politike që vijnë në pushtet pas vitesh opozitë, 100 ditët e para të qeverisjes sonë janë një provë tejet e rëndësishme.
Së pari, në rrafshin moral, ato provojnë moralin në të cilën bazohet kjo qeveri në mbajtjen e fjalës së dhënë, shndërrimin e premtimeve në realitet.
Së dyti, 100 ditët e para janë përcaktuese për karakterin e qeverisjes, jo të jetë apo jo qeveri shërbimi dhe shërbesash që përpiqet me përkushtim t'ju shërbejë qytetarëve dhe që vendos në epiqendër qytetarin me problemet, interesat, shërbimet e tij.
Së treti, 100 ditët e para janë një provë e vërtetë e aftësive të ekipit të qeverisë, funksionimit të tij si ekip, qëndrimit ose jo të tij në lartësinë e detyës dhe misionit, fuqisë së tij vendimarrëse, përkushtimit dhe zotësisë së tij për të shndërruar në akte ligjore, nën ligjore dhe para së gjithash, për të zbatuar reformat e premtuara.
Unë vij sot këtu para jush, parlamentit të fjalës së lirë për të paraqitur së pari tek ju dhe nëpërmjet jush tek të gjithë shqiptarët bilancin e 100 ditëve që shkuan.
Unë kam përzgjedhur dhe preferuar ju të parët, sepse ju gjatë fushatës elektorale keni raportuar në media për publikun të gjitha premtimet e mia, i keni komentuar ato secili në mënyrën e tij dhe pas zgjedhjeve keni ndjekur me lupë dhe prozhektor mbajtjen e fjalës së dhënë. Për të gjitha këto unë mbetem shumë vlerësues dhe mirënjohës, prandaj dhe e nis me ju informimin për realizimin e premtimeve të 100 ditëve të para dhe bilancin e përgjithshëm të tyre.
Nuk dua ta fsheh se këto 100 ditë kanë qenë pas fushatës elektorale maratona e dytë e madhe për mua në vitin 2005 dhe dua t'ju siguroj se në mëngjesin e ditës së 101 të qeverisjes, kam përjetuar me të njejtën ndjenjë qetësie si dhe datën 2 korrik të përfundimit të fushatës elektorale. Unë dua t'ju rrëfej ju se me datën 2 korrik kam qenë plotësisht i bindur në fitoren tonë të merituar dhe po kështu ditën e 101 kam ndjerë kënaqësi të veçantë, mbasi nga analiza e veprimtarisë së 100 ditëve, rezulton se jo vetëm janë mbajtur një për një të gjitha premtimet, por, siç provojnë analizat e ministrive të linjës këto 100 ditë, janë realizuar së paku 30 përqind më shumë se çfarë ishte premtuar.
Le t'ju referohemi fakteve:
1.Reforma institucionale
Gjatë fushatës elektorale ne premtuam reformë të thellë të qeverisë dhe institucioneve të tjera. Koalicioni që fitoi zgjedhjet e tre korrikut premtoi :
- Qeveri të vogël – efiçiente – në dietë.
- Qeveri me 14 kabinete dhe pa bodiguardë
- Reduktim të menjëhershëm të shpenzimeve administrative qeveritare dhe alokim i tyre në sektorë prioritarë.
- Rishikim i objektivave afatmesme të strategjisë kombëtare të Zhvillimit Ekonomik e Social dhe i Programit afatmesëm Buxhetor, duke i përputhur ato me objektivat ambicioze të mazhorancës së re me këtë kuadër.
-Rishikimin nga çdo ministri të dokumentave bazë të strategjisë sektoriale, duke adoptuar objektiva më ambicioze, ose duke hartuar strategji të reja në përputhje me programin e qeverisë për të gjitha fushat dhe sektorët prioritarë të këtij programi.
-Një proces tërësisht të hapur për përfshirje në konsultime të shoqërisë civile dhe të komunitetit të biznesit.
-Përfshirjen e plotë të kuvendit në këtë proces.
Në përputhje me këto premtime gjatë 100 ditëve të para të qeverisjes sonë :
• U reduktua numri i kabineteve, nga 18 në 14;
• Ministritë u ndërtuan, bazuar në studimin ndërkombëtar të GOPPA, i cili përcaktonte si shtylla kryesore të ndërtimit të politikë-bërjes, vetë-rregullimin dhe vetë-mbështetjen. Ky studim faktonte absurditetin e ndërtimit të ministrive tona në të cilat gjendeshin dhjetra e dhjetra drejtori dhe sektorë me drejtorë dhe përgjegjës sektori, por pa asnjë vartës. Kështu, në Ministrinë e Financave ekzistonin 37 drejtorë dhe u zvogëlua me 11 drejtorë.
• Në dikasteret qendrore u zvogëlua me 40%-50% numri i punonjësve të administratës së stërfryrë, duke bërë kështu përpjestimin e saj në përputhje me numrin e popullatës.
• Në vendimarrje u emëruan personalitete dhe ekipe të kualifikuara dhe më mirë të shkolluara se në çdo qeveri të mëparshme. Vetëm në një institucion qendror ka sot zyrtarë me tituj dhe grada shkencore më shumë se ç'kishte para tre korrikut në të gjitha ministritë dhe institucionet e tjera qendrore të marra së bashku. Mbi 83% e të gjithë zyrtarëve të emëruar nga Kryeministri apo Këshilli i Ministrave, duke filluar nga ministrat janë shkolluar ose graduar në universitetet perëndimore.
• U miratua strategjia e sistemit të planifikimit të integruar dhe nisi zbatimi i saj.
• Është krijuar komiteti i reformës dhe medernizimit të qeverisë.
• Janë ngritur dy komisione që përfundojnë së shpejti studimet për reformat e institucioneve në vartësi të ministrive.
• U krijua Ministria e Brendshme me shtyllë kryesore administratën publike, pushtetin vendor, drejtorinë e përgjithshme të policisë, të tjera institucione do të bashkohen.
• Po përgatitet ligji për riorganizimin e sistemit të drejtësisë.
• Është shkurtuar rrjeti i institucioneve rreth Këshillit të Ministrave dhe ky proces po vazhdon.
Qeveria u vendos në dietë :
Shpenzimet operative për telefoni, bileta udhëtimi të klasit të parë, makina luksoze të modës së fundit, arranzhime luksoze zyrash e madje edhe prapazyrash me rreth 250 mijë dollarë, jo në një por në disa raste, pritjeje të pamotivuara, dieta abuzive u shkurtuan nga 45-71% në administratën qeveritare dhe me rreth 30% në të gjitha institucionet e tjera e tjera shtetërore.
Kështu në Këshillin e Ministrave, shpenzimet operative u ulën nga 220 milion që ishin në vitin 2005 në 70 milion për vitin 2006. Ndërsa në institucionet e tjera shtetërore jo qeveritare këto shpenzime janë shkurtuar vetëm 30-40%, duke mbetur gjithnjë më të larta se në vitet 2001-2002.
Këto shkurtime janë pritur shkëlqyeshëm nga qytetarët shqiptarë. Por nuk kanë munguar edhe reagimet madje, edhe nga ato që, qoftë dhe me indiferencën e tyre, kanë përgjegjësi direkte per vendosjen e sistemit të korrupsionit në Shqipëri.
Fonde të liruara nga shkurtimi i shpenzimeve abuzive u përdorën për rritjen e rrogave dhe të pensioneve. Dua t'ju siguroj se në të ardhmen shkurtime të tjera do të bëhen dhe se me lupën e ligjit do të kontrollohen të gjitha shpenzimet e zyrtarëve shqiptarë nga kryeministri dhe drejtuesit e institucioneve tjera dhe se me këto shkurtime të shpenzimeve nuk do të cënojmë aspak funksionimin normal të institucioneve tona.
Qeveria e koalicionit vjen në 100 ditët e saj si një qeveri pa badiguardë, shërbimet e gardës për ruajtjen e ministrave dhe zyrtarëve të tjerë janë reduktuar në 80%.
II. Vendosja e shtetit ligjor
Barazia para ligjit dhe sundimi i tij, Shqipëria nën ligje ishte premtimi ynë tjetër madhor.
Për këtë qëllim qeveria ka përcaktuar si detyrime të prera të saj respektimin dhe zbatimin e ligjit, dhe në këtë kontekst:
• Të gjitha vendimet e qeverisë janë marrë në përputhje me ligjet e vendit.
• Janë anulluar vendime ekzekutive që vinin në kundërshtim me ligjin.
• Janë ekzekutuar 90% e vendimeve të gjykatës nga vetëm 37% që ishin ekzekutuar para 10 shtatorit.
• Janë marrë masa ligjore për ndërtimet pa leje, duke shkatërruar me qindra objekte të ndërtuara në oborret e shkollave, spitaleve dhe mbi kolektorët e qyteteve.
• Janë goditur raste të shumta të trafiqeve, evazionit fiscal, kontrabandës.
• Mediat nuk kanë njoftuar gjer sot asnjë rast të favorizimit të ndokujt në kundërshtim me ligjet.
III. Lufta kundër korrupsionit
Lufta kundër korrupsionit do të nisë nga vetja - ishte motoja jonë.
Premtimet tona për luftën kundër korrupsionit dhe për të çmontuar sistemin e korupsionit për 100 ditët e para kanë qenë :
• Krijimi i Taske Forcës antikorrupsion nën drejtimin e kryeministrit
• Ngritja e komitetit të reformës dhe mirëqeverisjes.
• Adaptimi i planit të detajuar të masave antikorrupsion
• Aktivizimi i menjëhershëm i kontrollit të brendshëm
• Aktivizimi i linjës konfidenciale të ankimit për rastet e korrupsionit
• Lidhje e një marrëveshjeje bashkëpunimi me shoqërinë civile
• Ngritja e qendrave të informimit publik.
• Aplikimi i teknologjise së informimit për një komunikim aktiv me publikun në institucionet qëndrore të ekzekutivit.
• Zbatimi i ligjit për konfliktin e interesave.
• Amendimi i tij në pikat e dobëta
• Rishikimi dhe përshtatja e imunitetit të zyrtarëve sipas rekomandimeve dhe modeleve më të avancuara europiane.
• Rishikimi i ligjit të prokurimeve publike
• Adaptimi i institucionit të ombusmenit të prokurimeve
Në 100 ditët e para të qeverisjes sonë ne kemi realizuar :
• Ngritjen e Task-forcës Antikorrupsion të kryesuar nga kryeministri.
• Në përbërje të këtij organi janë ministrat dhe drejtorët e linjës së taksave, tatimeve, privatizimeve, lincensimeve, prokurimeve publike etj.
• Ne faktuam se luftën kundër korupsionit e nisëm nga vetja jonë.
Ju bëj thirrje të gjithë drejtuesve të institucioneve të tjera shtetërorë të ndjekin këtë praktikë, pra t'i shpallin luftë korrupsionit duke filluar nga vehtja e tyre, zyra e tyre, duke mos harruar se sistemi i korrupsionit nuk është vepër e qytetarëve, por e zyrtarëve dhe drejtuesve që mundësuan me qëndrimin e tyre vendosjen e tij.
• Amendimi i ligjit të konfliktit të interesit.
• Qeveria dhe administrata aktuale është ndërtuar duke përjashtuar konfliktin e interesit, pra mundësinë për të përdorur pushtetin për të ushqyer bizneset dhe kënaqur interesat private të tyre dhe familjarëve të tyre. Të gjithë emërimet janë bërë duke patur si kriter të prerë mospasjen e konfliktit të interesit. Rastet e emërimeve të gabuara janë anulluar dhe në çdo rast do të anullohen. Unë do t'ju jem mirënjohës të informoni publikun për të gjitha rastet e konfliktit të interesit që do të gjeni, si ekzistues apo të emëruar rishtaz, në administratën shtetërore. Ju garantoj se qëndrimi im do të jetë vetëm një largim i tyre nga administrata.
• Qindra, madje mijëra borde në mbarë vendin, që të gjitha të ndërtuara mbi bazën e konfliktit të interesit, mbasi anëtarët e bordit përcaktonin rrogën e drejtorit dhe vet shpërbleheshin bazuar në përqindjen e kësaj rroge, u nxorën jashtë konfliktit të interesit. Kritere të tjera ligjore të qarta u përcaktuan për rrogën e drejtorit ekzekutiv dhe një shumë jo më të lartë se 30 mijë lekë shpërblim për anëtarët e bordeve.
• Me VKM të veçantë u kufizua në jo më shumë se dy borde pjesëmarrja e të njejtit person, ndërkohë që para këtij vendimi kishte zyrtarë të lartë, antarë në 10, 15 e madje në 19 borde, të cilët merrnin një shpërblim mujor, vetëm nga bordet, prej 10-14 milionë lekë në muaj.
• Me amendimin që bëri parlamenti para ligjit të KLD-së ky institucion u nxorr jashtë konfliktit të interesit.
• Është dërguar në parlament ligji për kufizimin e imunitetit për korrupsionin dhe krimin e zakonshëm. Pas kundërshtimit nga opozita, parlamenti e dërgoi ligjin për opinion në Komisionin e Venecias.
• Është hartuar ligji për bashkëpunimin e publikut në luftën kundër korrupsionit, bazuar në konceptin se korrupsioni është krim, për shoqerinë shqiptare ai është një krim i rëndë ndaj dhe shpërblehen të gjithë ata që faktojnë këtë vepër penale.
• Është aktivizuar denoncimi konfidencial dhe është marrë vendim për vendosjen e linjave jeshile të denoncimit të korrupsionit. Në këto tre muaj, denoncimi konfidencial e madje edhe anonim, ka dhënë rezultate pozitive.
• Është aktivizuar kontrolli i brendshëm në të gjitha ministritë, janë përgatitur dhe po përgatiten dosje të shumta të aferave korruptive, dhjetra e dhjetra janë derguar dhe po dërgohen në prokurori.
• Është rënë dakord me shoqërinë civile për monitorimin e konfliktit të interesit dhe korrupsionit në administratën publike.
• Eshtë vendosur transparenca e plotë e punës së qeverisë, të gjitha dokumentet afishohen në sitin e saj në Internet.
• Janë ngritur qendrat e informimit publik, por nuk janë pajisur me teknologjinë e informacionit. Mediat dhe qytetarët mund të marrin çdo informacion që lidhet me veprimtarinë e organeve të administratës publike.
• Praktikat e babëzisë dhe ato korruptive u zëvendësuan me praktika korrekte, të bazuara në një kod etik perëndimor. Kështu që shpenzimet publike për telefonat, automjetet, udhëtimet nuk do të mund të përdoren për qëllime private apo të bëhen jashtë kritereve ligjore.
• Po përgatitet drafti i ri për ligjin për koncensionet.
• Janë përgatitur të gjitha udhëzimet e reja për prokurimet publike.
• Po përgatitet drafti i ri për ligjin për Prokurimet Publike dhe në bashkëpunim me ekspertë të huaj ligji i prokurimeve po përshtatet me ligjin e vendeve anëtare të BE-së..
• Është rënë dakord me USAID për ngritjen e ombudsmenit të prokurimeve publike me përbërje nga shoqëria civile.
• Mediave nuk u kërkohet burimi i informacionit, kur ato botojnë dokumente apo lajme për korrupsionin.
• Çmimet e referencës nuk caktohen më mbi bazën e praktikave korruptive nga doganierët, por nga një komitet i posaçëm dhe afishohen në faqen e drejtorisë së doganave dhe në të gjitha doganat e vendit.
• U miratua projektligji për ratifikimin e konventës së Kombeve të Bashkuara kundër korrupsionit.
• Ka nisur me vendosmëri dhe vazhdon beteja për çmontimin e monopoleve në ekonomi.
IV- Lufta kundër krimit të organizuar
Zero tolerancë ndaj krimit të organizuar - ishte premtimi ynë
Për arritjen e këtij qëllimi ne premtuam :
• Ristrukturimi i institucioneve kryesore në këtë fushë dhe largimi i bazuar nga puna i punonjësve të inkriminuar.
• Goditjen e shpejtë të grupeve të njohuar kriminale
• Vendosjen e menjëhershme të një bashkëpunimi kapilar me institucione të specializuara ndërkombëtare në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve.
• Ulje të ndjeshme të krimit ordiner
• Vendosje të disiplinës në qarkullimin rrugor dhe uljen e numrit të aksidenteve.
Për konkretizimin e këtyre objektivave që nuk mund të jenë asnjëherë vetëm afatshkurtër, gjatë këtyre 100 ditëve që lamë pas, janë realizuar:
• Reforma e studiuar e institucioneve të luftës kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve.
• Janë përgatitur dhe dërguar në prokurori dosje penale për persona të inkriminuar.
• Ka një ulje të ndjeshme të kriminalitetit në tërësi, vrasjeve dhe plagosjeve në veçanti. Kështu vrasjet dhe plagosjet këta tre muaj kanë një rënie prej 37%.
• Është rritur ndjeshëm forca zbuluese ndaj autorëve të krimit.
• Janë goditur dy klanet mafioze më të rrezikshme të vendit: klani KOKA dhe ai KULLA dhe një numër organizatash dhe grupesh kriminale trafiqesh, droge, vizash, armësh, makinash. Organizatat të tjera kriminale janë në darën që po ngushtohet çdo ditë të organeve të zbatimit të ligjit.
• U vendos moratorium për tre vjet për skafet në ujërat tona.
• Bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare është i frytshëm. Dëshmi e kësaj janë operacionet e përbashkëta kundër disa organizatave kriminale si ajo kundër grupit të trafikimit të vizave, operacioni Harem etj.
V- Objektivat makroekonomikë, fiskalë, buxhetorë
Në programin tonë të 100 ditëve ne kemi premtuar :
• Realizimin e objektivave makroekonomikë, fiskalë dhe buxhetorë të angazhuara edhe në marrëveshjen e FMN-së e Bankës Botërore nëpërmjet :
• Masave të menjëhershme të disiplinës fiskale
• Fillimin e ristrukturimit të organeve tatimore dhe doganore, largimin e punonjësve të korruptuar mbi bazën e provave.
• Përgjysmimin e menjëhershëm të tatimeve dhe taksave të biznesit të vogël
• Përshpejtimit të programeve të investimeve publike në sektorët prioritarë, ndjekje me përparësi e realizimit të tyre.
• Reduktimit të menjëhershëm të shpenzimeve administrative qeveritare dhe rishikimin e tyre me prioritetet e zhvillimit.
• Rritjen e pagave dhe pensioneve
Në këto 100 ditë janë realizuar:
• Fillimi dhe thellimi i reformimit të institucioneve doganore dhe tatimeve të vendit, largimi dhe dhënia për ndjekje penale të shumë punonjësve të korruptuar të tyre.
• Konsolidimi i disiplinës fiskale.
• Katërfishim i numrit të VIP-ve të biznesit, zgjerim i klubit të tyre nga 200 në 800 biznesmenë.
• Identifikimi i rreth 5100 bizneseve të parregjistruara.
• Rritja e të ardhurave doganore dhe tatimore në 80 milion Euro në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
• U rritën më së paku 30% investimet publike për vitin 2006, në krahasim me mesataren e tre viteve të fundit.
• Janë siguruar, fondet dhe u shpejtuan investimet nga donatorët për rrugën Lushnje-Fier.
• U përcaktua si përparësi rruga Fier-Vlorë dhe është siguruar financimi i shpronësimeve dhe fillimit të punimeve në këtë rrugë gjatë muajve që vijnë.
Për çdo qeveri, buxheti dhe paketa e tij fiskale përbëjnë evenimentin më të rëndësishëm të vitit dhe kjo është akoma më madhore për një qeveri që i takon të përgatisë Buxhetin në 100 ditët e para të saj. Pas një pune të gjatë përgatitore, para zgjedhjeve, ne shpallëm në programin tonë të 100 ditëve të para:
• Programi buxhetor dhe fiskal i vitit 2006 do të jetë gati brenda muajit tetor.
• Projektbuxheti do të bazohet në prioritetet e qeverisë dhe strategjikë kombëtarë të zhvillimit ekonomik, procesin e integrimit dhe do të bëhet në konsultim të hapur, si asnjëherë më parë, me institucionet publike, qeverisjen vendore, shoqërinë civile.
• Mbledhja e qeverisë për projekt-buxhetin do të jetë e hapur për publikun.
• Procesi i buxhetimit do të bazohet në sistemin e planifikimit të integruar, që do të fillojë të zbatohet nga qeveria këtë vit.
• Diskutimi i programit buxhetor dhe fiskal të vitit 2006 do të fillojë më herët se kurrë në Kuvend, në mënyrë që t'i jepet mundësi të gjithë aktorëve të interesit që të përfshihen edhe në këtë stad të dytë.
Në përputhje me këto premtime, me gjithë tranzicionin 6 mujor të kërkuar nga FMN ne ia dolëm që:
• Projekt-buxheti i vitit 2006 të pasqyrojë qartësisht përparësitë e shpallura në fushatën elektorale në programin e qeverisë paraqitur në parlament dhe strategjinë kombëtare të zhvillimit si:
• Garantimin e stabilitetit makro-ekonomik, uljen e taksave (natyrisht jo në shkallën që kishim parashikuar)
• Rritjen e investimeve publike
• Shkurtimin e shpenzimeve abuzive
• Rritjen me 37% të grantit për qeverisjen vendore
• Rritjen e ndjeshme për shëndetësinë dhe arsimin
• Janë rritur me 20-25% pagat dhe pensionet nën mesataren e tyre dhe nën 15% pagat dhe pensionet mesatare dhe 5% pagat dhe pensionet e larta.
• U nënshkrua memorandumi i mirëkuptimit me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
• Ky buxhet vendos në epiqendër qytetarin, shërbimet, shqetësimet e tij.
• Ky buxhet përputhet plotësisht me kërkesat e procesit të integrimit. Ai është rezultat i konsultimeve të hapura me institucionet publike, qeverisjen vendore, biznesin, sindikatat dhe bazohet në sistemin e planifikimit të integruar, përshatet me strategjinë kombëtare të zhvillimit ekonomik, social të vendit.
• Janë marrë masa konkrete për sigurimin e financimit të rrugës Durrës-Prishtinë, nga institucione financiare ndërkombëtare.
II
Zonja dhe zotërinj,
VI- Problemi i furnizimit me energji përbën një problem themelor të vendit.
Gjatë 8 vjetëve qeverisje të dështuar socialiste, jo vetëm nuk u shtua asnjë burim i ri prodhim energjie, por përkundrazi, u degraduan dhe u mbyllën disa prej tyre. Qeveria që iku, nisi në vitin 2000, ndërtimin e linjës së transmetimit të tensionit të lartë Elbasan-Podgoricë dhe në pesë vjet u ndërtua vetëm segmenti Tiranë-Laç. Ajo dorëzoi detyrën më 10 shtator, pasi kishte shndërruar KESH-in në një piramidë të vërtetë dhe kishte përgatitur krizën më të rëndë energjitike. Kjo sepse ajo, për 8 muaj nuk kontraktoi asnjë kilovat orë energji elektrike dhe bëri zbrazjen thuaj të plotë të liqeneve të kaskadës së Drinit.
Premtimet tona të 100 ditëve të para për trajtimin e problemit të energjisë konsistojnë në:
• Rivendosjen e disiplinës financiare ne Koorporatën Elektro Energjitike Shqiptare.
• Ndryshimit të stafit të lartë drejtues të KESH-it.
• Largimit të punonjësve të korruptuar, bazuar në prova.
• Kryerjen e një kontrollit të thellë financiar në KESH.
• Fillimit të reduktimit progresit të faturimit aforfe dhe vazhdimi i përshpejtuar i vendosjes së matësave.
• Sigurimi i furnizimit me energji elektrike për dimrin 2005-2006 dhe zvogëlimi i ndërprerjeve të energjisë.
• Eleminimi i metodave diskriminuese në shpërndarjen rajonale të energjisë.
• Rritjes së arkëtimeve dhe ulja e ndjeshme e abuzimeve me energjinë elektrike të konsumatorëve të pandërgjegjshëm.
Në 100 ditët që lamë pas është realizuar:
• Ndryshimi i stafit të lartë drejtues të koorporatës. Janë vendosur në drejtim menaxherë dhe specialistë të aftë.
• U kapërcye kriza e rëndë energjitike, aktualisht importohet pothuaj gjysma e energjisë që konsumohet.
• Eshtë organizuar tenderi ndërkombëtar për blerjen e energjisë së nevojshme për të gjithë vitin që vjen. Për herë të parë dokumentat e tij u hapën para mediave dhe jo në kulisat e qeverisë.
• Po bëhen kontrolle për të zbardhur korrupsionin në këtë koorporatë.
• Ka filluar reduktimi i faturave aforfe.
• Janë eleminuar metodat diskrimunuese të mëparshme të furnizimit me energji të ndëshkimit politik.
• Ka një rritje të arkëtimit, të të ardhurave nga 50% që ishte në shtator në 83%.
• Është zhbllokuar financimi i linjës së transmetimit të tensionit të lartë Elbasan-Podgoricë.
• Është vendosur në përparësi me BERZH lidhja e rrjetit tonë me Maqedoninë.
• Është miratuar në parlament ligji për privatizimin e hidrocentraleve të vogla.
VII- Biznesi dhe përmirësimi i klimës ndaj tij
Shqipëria vendi më atraktiv për investimet e huaja është motoja jonë. Natyrisht, që për Shqipërinë, e cila në tetë vjet të marra së bashku ka thithur investime të huaja vetëm 28 dollarë për frymë kundrejt 68 që ka thithur Maqedonia, ky objektiv, ndonëse tejet jetik, mbetet një objektiv afatmesëm. Prandaj dhe në kuadrin e 100 ditëve, përveç përgjysmimit të taksave të biznesit të vogël, nuk ka patur ndonjë premtim tjetër konkret. Megjithkëtë, përmirësimi i klimës së biznesit ka qenë në fokusin e 100 ditëve të para të qeverisë së koalicionit.
Për të shndërruar Shqipërinë në vendin më tërheqës për investimet e huaja gjatë 100 ditëve që lamë është:
• Ngritur Task Force nën drejtimin e kryeministrit me 7 grupe teknike për lehtesimin e klimës dhe për përmirësimin e të gjithë legjislacionit në të gjitha aspektet për biznesin.
• Përgatitur paketa ligjore për shkurtimin e kohës së regjistrimit të biznesit nga 30 në 10 ditë dhe uljen e kostos së regjistrimit të tij.
• Përgatitur udhëzimi për krijimin e zyrave të informimit të publikut për t'u aplikuar nga të gjithë ministritë dhe zyrat e administrative
• Përgatitur projekt-propozimi për mbështetje financiare pranë MCA për krijimin dhe fillimin nga puna të one stop shop per regjistrimin e bizneseve.
• U përgjysmuan taksat e biznesit të vogël
• U vendos transparenca për çmimet e referencës.
• U hoq TVSH për shitjen e banesave.
• U organizua në Romë, me shumë sukses, konferenca për investimet në Shqipëri, me pjesëmarrjen e qindra sipërmarrësve italianë dhe shqiptarë.
• Po behen pergatitje serioze dhe janë arritur marrveshje per organizimin e dy konferencave te rendesishme nderkombetare per investime ne Shqiperi (Crans Montanes dhe The Economist Conference)
VIII - Mediat
Ne premtuam gjatë fushatës elektorale qëndrim të hapur, korrekt ndaj medjave, denoncuam farsën e pafundme të proceseve gjyqësore ndaj tyre nga qeveritarët dhe premtuam se pas zgjedhjeve nuk do të lejojmë paditë civile apo penale ndaj gazetarëve nga qeveritarët dhe punonjësit e administrates sonë.
Ne kemi mbajtur premtimet tona :
• Këto 100 ditë për herë të parë, në 15 vjet, nuk është bërë asnjë padi civile apo penale nga punonjës të administratës ndaj gazetarëve dhe mediave në tërësi.
• U vendos të konsiderohet kapje shteti çdo përpjekje për të ndihmuar në vendim-marrje në mënyrë të paligjshme nga mediat dhe qëndrim i papranueshëm i çdo përpjekje e zyrtarëve për të ndërhyrë në pavarësinë e mediave.
• Nuk është njoftuar asnjë përpjekje për të blerë mediat nga qeveria apo ushtruar presion ndaj tyre.
• Nuk është bllokuar asnjë informacion dhe nuk ka patur ndonjë njoftim në media për këtë.
• U hoq TVSH për të gjitha botimet, gazetat, revistat, librat, si dhe për reklamat në të gjitha mediat, përfshirë edhe elektronike.
IX- Arsimi
Reforma dhe modernizimi i sistemit arsimor dhe kërkimor shkencor përbëjnë një nga përparësitë më madhore të programit të qeverisë sonë. Këto përparësi nuk mund të jenë veçse afatmesme dhe afatgjata.
Gjatë fushatës elektorale ne premtuam si vendime të 100 ditëve të para:
• Liberalizimin e universiteteve tona me datë 1 tetor dhe përgatitjen serioze për vitin shkollor 2005-2006.
• Hapjen e universitetit të Durrësit vitin e ardhshëm.
• Rritjen e rrogave për arsimtarët si dhe rritjen e buxhetit për arsimin.
Sot, pas 100 ditëve, pohoj me kënaqësi se këto premtime janë përmbushur plotësisht, sikundër është bërë një progres real dhe në disa drejtime themelore të alternativës sonë për reformën dhe modernizimin e sistemit arsimor. Le t'ju referohemi arritjeve të këtyre 100 ditëve:
• U liberalizuan pranimet në Universitete. Për vitin 2005-2006 numri i studentëve që u regjistruan për të ndjekur uinversitetet me kohë të plotë ose të pjesëshme arrin në rreth 25 mijë pra 8 mijë më shumë se një vit më parë.
• U vendos hapja e Universitetit të Durrësit.
• Në arsimin e mesëm dhe atë profesional këtë vit u regjistruan rreth 600 mijë nxënës më shumë. Ky përbën një zhvillim pozitiv po të kemi parasysh faktin se gjatë tetë viteve të shkuara vitet e arsimit mesatar ranë nga 11.3 në 9.1.
• Në përputhje me vendimin tonë për shtrirjen e anglishtes dhe internetit në të gjitha shkollat gjatë këtij katër vjeçari, këtë vit shkollor në fakultetet e anglishtes dhe informatikës u pranuan të gjithë studentët që dëshironin të ndjekin këto degë.
• Strategjia kombëtare e zhvillimit të Arsimit parauniversitar u krahasua me objektivat e qeverisë dhe u paraqit para donatorëve.
• Ministria e Arsimit në bashkëpunim me PNUD-in hartoi dhe paraqiti para donatorëve Master-Planin për E-Shkolla, programin për shtrirjen e internetit në shkolla gjer në fund të vitit 2008.
• Është përgatitur dhe është gati për miratim baza ligjore për krijimin e Këshillit Kombëtar të Arsimit.
• Po përgatitet ligji për arsimin e lartë dhe në bashkëpunim me Këshillin e Europës është vendosur hartimi i masterplanit për arsimin e lartë.
• U rritën 20% rrogat e arsimtarëve
• U rrit 18% buxheti për arsimin.
X- Reforma e Shëndetësisë
Reforma e sistemit të shëndetësisë, mbrojtja dhe zhvillimi i shëndetësisë, dhe rritja e cilësisë së shërbimit mjekësor përbëjnë objektivat më madhore të qeverisjes së koalicionit që unë kryesoj. Në programin tonë 100 ditor ne jemi zotuar për:
• Rishikimin e reformës në sektorin e shëndetësisë në përputhje me programin e qeverisë.
• Garantimin e kryerjes së investimeve dhe furnizimit me mjete, duke akorduar më shumë fonde nga buxheti, pas rishikimit të tij për periudhën e mbetur të vitit 2005.
Unë mund të pohoj me kënaqësi se premtimet për 100 ditët e para janë mbajtur plotësisht. Kështu:
• U rishqyrtua në bashkëpunim me OBSH-në strategjia e sistemit shëndetësor.
• Është në përfundim e sipër riorganizimi i institucioneve shëndetësore të vendit.
• U alokuan fondet rreth 700 milion lekë për të nxjerrë nga falimentimi ISKSH.
• U vendos rritja e rrogave të punonjësve të shëndetësisë: infermierët 25%, mjekët 20%
• U rrit me 15% fondi i investimeve në buxhetin e vitit 2006 për shëndetësinë. Sistemi po nxirret jashtë konfliktit të interesit.
• U miratua projekt ligji për rimbursimin e plotë të ilaçeve dhe mjeteve të tjera shëndetësore për paraplegjitët.
XI- Zhvillimi rural
Zhvillimi i qëndrueshëm rural, është një objektiv madhor afatgjatë i programit të qeverisë së koalicionit të qendrës së djathtë. Gjatë fushatës elektorale, si masa immediate për realizimin e këtij objektivi ne premtuam:
• Shitjen e naftës për përdorim në bujqësi me 40 lekë litrin për të gjithë fermerët e vendit.
• Marrjen e masave të menjëhershme për parandalimin dhe zvogëlimin më të madh të pasojave të përmbytjes.
• Dorëzimin në prokurori të dosjeve të korrupsionit te zyrtarëve të ketij dikasteri.
• Rritjen pa diskriminim si në qytet të pensioneve të fermerëve.
Pas 100 ditëve qeverisje mund të faktojmë se këto premtime janë përmbushur plotësisht dhe se arritje të tjera të rëndësishme përveç tyre janë njoftuar nga ministria e linjës. Kështu në 100 ditët që shkuan:
• është vendosur shitja e naftës fermerëve me 40 lekë dhe tanimë jo vetëm në zonat pilote, por në të gjithë vendin dhe jo sipas sistemit paraelektoral të korruptuar që bën që qindra miliona lekë të përfundojnë për fushatat elektorale të qeveritarëve .
• Ndër vendimet e para të qeverisë ishin masat për parandalimin dhe zvogëlimin e përmasave të përmbytjeve. Ju jeni dëshmitarë se ndërhyrjet emergjente të bëra dhanë frutet e tyre në mbrojtjen e zonave të rrezikuara në Lezhë dhe Shkodër.
• Një numër dosjesh korrupsioni në projektet e kullimit, vaditjes është dërguar në prokurori.
• Ka filluar puna për herë të parë, për krijimin e regjistrit të fermerëve dhe pasurive të tyre.
• Ministria e linjës dhe institucionet e varura prej saj po i nënshtrohen një reforme serioze.
• Mbrojtja e konsumatorit po shndërrohet në drejtim tepër të rëndësishëm të punës së Ministrisë.
XII- Administrin e territorit. Reforma e pronësisë. Transporti dhe telekomunikacioni.
Gjatë fushatës elektorale dhe në programin tonë të 100 ditëve paraqitur në parlament, për reformën e pronësisë ne kemi premtuar:
• Amendimin e ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave, bazuar në një qëndrim miqësor dhe respekt ndaj pronarëve.
• Ligjin e ri për legalizimin, bazuar jo në parimin e ndëshkimit financiar, por pagesa simbolike për të fituar të drejtën e pronësisë nga zotërit e ndërtimeve pa leje.
• Shpallëm përparësi në fushën e ndërtimit rrugor transportit rrugën Fier-Vlorë dhe Durrës-Prishtinë.
• Rivlerësimin e kontratës së shit-blerjes së Albtelekomit me ekspertizë ndërkombëtare.
• Vendosjen e disiplinës financiare në këtë shoqëri. Ndryshim i stafit të lartë drejtues dhe largim i punonjësve të korruptuar mbi bazën e provave.
• Anullimin e të gjitha kontratave korruptive në konflikt interesi dhe eleminimin e trajtimeve diskriminuese të operatorëve roral dhe të shërbimeve të informacionit.
• Përgatitjen e plotë për hapjen e tregut të telekomunikacionit në vitin 2006.
• Rritje e kërkesës për funksionimin efektiv të entit rregullator, nëpërmjet monitorimit parlamentar.
Këto premtime gjatë këtyre 100 ditëve janë përmbushur plotësisht. Le t'u referohemi fakteve:
• Rruga Fier-Vlorë që ishte spostuar, u vendos në përparësi ashtu siç e kishte plani kombëtar i rrugëve hartuar me ndihmën e BE dhe janë siguruar një pjesë e mirë e fondeve për këtë rrugë, punimet fillojnë gjatë vitit që vjen.
• U zhbllokua financimi për rrugën Lushnje-Fier dhe së shpejti nisin punimet.
• Po sigurohen kredi të buta për rrugën Durrës-Prishtinë. Punimet do të nisin muajt e parë të vitit të ardhshëm.
• U amendua dhe u dërgua në parlament ligji për kthimin dhe kompensimin e pronave.
• Në bashkëpunim me PNUD-in po hartohet platforma për t'i dhënë fund ekstralegalitetit dhe informalitetit në Shqipëri, duke patur ndihmë teknike të zotit Hernado De Soto dhe institucionit që ai drejton si dhe institucione të tjera.
• U dërgua në parlament ligji për legalizimin e ndërtimeve pa leje, duke përcaktuar si shuma që duhet të paguajnë zotërit e ndërtimeve, shumë 100-400 mijë lekë për ndërtimet në zonat informale dhe 4% të vlerës për shtesat e pallateve në qytetet.
• Është ndryshuar ekipi drejtues i telekomit shqiptar. Në drejtim të tij janë vendosur menaxherë dhe ekspertë të telekomunikacionit.
• Tregu i telekomunikacionit në përputhje me ligjin po hapet plotësisht.
• Është vendosur rivlerësimi i kontratës së shitjes së Albtelekomit nga konsulentë ndërkombëtarë të përzgjedhur me tender të hapur
• Janë përgatitur dosjet e korrupsionit për kompanitë e favorizuara në mënyrë të paligjshme dhe do dërgohen në prokurori, si dhe do të anullohen kontratat e tyre korruptive.
XIII- Turizimi
Projekti ynë i ndryshimit ka shpallur turizmin si njërën nga dy degët me përparësi madhore të zhvillimit të ekonomisë së vendit.
Gjatë fushatës elektorale dhe në programin e qeverisë të paraqitur në parlament për 100 ditët e para ne kemi premtuar:
• Nisjen e përgatitjeve për vitin turistik 2006 që në vitin 2005
• Konsiderimin me prioritet dhe programimin e ndërhyrjeve kryesore në infrastrukturë dhe shërbime bazë.
• Prishja e ndërtimeve abuzive që kanë patur zonat turistike dhe largimi i mbeturinave të prishjeve.
• Përgatitja e programit të punës për zhvillimin e turizmit.
• Rishikimi i paketës ligjore për turizmin.
• Hartimi dhe zhvillimi i zbatimit të planit të punës për 24 orë furnizim me ujë dhe energji elektrike për zonat turistike në verën e vitit 2006.
Për konkretizimin e këtyre premtimeve gjatë 100 ditëve të para të qeverisjes sonë:
• Kanë filluar përgatitjet serioze që në Nëntor-Dhjetor 2005 për sezonin turistik të vitit 2006.
• U hartua strategjia e zhvillimit te turizmit kulturor dhe ekollogjik.
• U krijuan parqet kombëtare arkeologjike në funksion të turizmit kulturor.
• Jane organizuar aktivitete kombetare dhe nderkombetare per promovimin e turizmit në Shqiperi.
• Janë denoncuar një seri shoqërish që kanë shkelur ligjin dhe rregullta ne investime ne fushen e turizmit.
• U vendos në përparësi rruga Fier-Vlorë
• Po merren masa për furnizimin me ujë dhe energji të qyteteve turistike gjer në fund të vitit 2006.
• Nuk janë prishur, por një qëndrim i qartë do të mbahet ndaj të gjitha ndërtimeve pa leje në zonat turistike.
• Paketa ligjore për turizmin dhe planet janë në rishqyrtim.
XIV- Mjedisi
Mbrojtja dhe zhvillimi i mjedisit përbëjnë një përparësi madhore për qeverinë e koalicionit të qendrës së djathtë. Në programin tonë të 100 ditëve të para, ne premtuam:
• Vendosjen e disiplinës në sektorin e ndërtimeve dhe cilësinë e karburanteve për të filluar uljen e ndotjes së ajrit në qytetet kryesore të vendit.
• Ndërprerjen e shfrytëzimit shkatërrimtar të shtretërve të lumenjve
• Ndërprerjen e prerjeve, shfrytëzimit, dëmtimit të pyjeve, dëmtimin e kullotave dhe prerje e dëmtime të tjera që krijojnë risk të lartë evazioni.
• Ndërprerjen e gjuetisë së peshkimit illegal me mjete shkatërrimtare.
Për realizimin e këtyre objektivave gjatë 100 ditëve:
• Janë marrë masa serioze për uljen e ndotjes nga karburanti, janë kthyer mbrapsht anije me karburant ndotës të theksuar për mjedisin.
• Janë kontrolluar shtretërit e lumenjve kryesorë dhe janë marrë masa serioze ndaj kompanive që kanë shkelur ligjin në shfrytëzimin e inerteve.
• Është përgatitur platforma për bllokimin përfundimtar të dëmtimit të shtretërve të lumenjve nga marrja e inerteve.
• Janë ushtruar kontrolle në shfrytëzimin e pyjeve dhe janë marra masa konkrete ndaj kompanive që kanë shkelur ligjet dhe janë dhënë për ndjekje penale tetë kompani
• Është hartuar platforma dhe plani i masave për pyllëzimin.
• Është ushtruar kontroll dhe vendosur sekuestro për mjete peshkimi në ujrat e buta të vendit.
• Po hartohet rregullorja për kompanitë e ndërtimit për kushtet që duhet të zbatojnë në ndërtime, për të zvogëluar ndotjen e mjedisit.
• Janë zgjeruar ndjeshëm sipërfaqet e mbrojtura në Shkodër, Bunë, Butrint, si pasojë sipërfaqet e mbrojtura janë rritur nga 5.2 në 6.6%.
XV- Antarësimi i Shqipërisë ne BE dhe NATO përbëjnë yllin polar të programit të qeverisë së koalcionit të qeverisë së djtathtë.
Në premtimet tona për 100 ditët e para ne jemi zotëruar për :
• Përmbylljen e fazës negociuese të marrëveshjes se Stabilizim Asocijimit, marrja e anagazhimeve të qarta të përmbushjes së detyrimeve të ndërmarra para Komisionit Europian dhe pergatitja e kushteve për nënshkrimin e marrëveshjes.
• Vazhdimi i reformes në forcat e armatosura dhe kryerja e detyrimeve që lidhen me antarësimin në NATO.
Puna serioze dhe arritjet e qarta të qeverisë këto 100 ditë bënë të mundur që:
• Komisioni Europian të vendosë përfundimin e negociatave për marrëveshjen e Stabilizim Asocimit në Shqipëri dhe të rekomandojë firmosjen e saj vitin e ardhshëm.
• Këshilli Evropian më datë 17 dhjetor vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria dhe mbështeti propozimin e KE-së.
• Qeveria gjithashtu miratoi strategjinë e reformimit të Forcave te Armatosura në përputhje me strukturat e NATO-s.
• Në përshtatje me standartet e NATO-s u shkurtua shërbimi rezervist, u hoq shërbimi ushtarak për studentët dhe u nxorën jashtë përdorimit aeroplanët Mig.
• U rrit 0,1% të GDP buxheti për forcat e armatosura.
XVI- Sociale
Në programin e 100 ditëve të paraqitura në parlament qeveria premtoi :
• Llogaritjen e saktë dhe transparente e kostos dhe hartimi i programit të kompesimit të ish të përndjekurve politikë, në bashkëpunim me shoqatat e ish të përndjekurve politikë. Fillimi i zbatimit që në fillim të vitit 2006.
• Hartimin e një programi të veçantë të mbështetjes dhe përkrahjes së komunitetit rom dhe egjiptian, në bashkëpunim me shoqatat e tyre dhe me organizatat ndërkombëtare.
• Hartimin e një programi emergjent për shkollimin e fëmijëve që punojnë në rrugë dhe mbështetje e familjeve të tyre.
• Nisjen e procesit përgatitor për zgjedhjet vendore të vitit 2006 sipas një procesi të hapur e konsultimi me të gjitha forcat politike, i qeverisjes vendore, partnereve ndërkombëtarë.
• Diskutimin dhe gjetjen e rrugëve të përshtatshme për përfshirjen e emigrantëve në votime.
Gjatë fushatës elektorale ne premtuam, gjithashtu, se qeveria do të lehtësojë shërbimin konsullor për emigrantët, se do të ndërmerret një program për thithjen e trurit shqiptar kudo që ndodhet, investimet e tyre në Shqipëri do të jenë 3 vjet pa taksa dhe se do të ngrihet komiteti kombëtar për emigracionin dhe diasporën.
Në përmbushje të këtyre premtimeve qeveria gjatë 100 ditëve që shkuan ka vendosur :
• Trefishimin nga buxheti i shtetit të fondit për dëmshpërblimin sipas dispozitave të Kodit penal të Shqipërisë të të përndjekurve politikë.
• U vendos shërbimi në fundjavë në të gjitha zyrat konsullore të Shqipërisë jashtë shtetit.
• Në bashkëpunim me PNUD-in po punohet për hartimin e një programi të thithjes së trurit, që synon të sjellë në Shqipëri të gjitha celebritetet dhe ekselencat shqiptare.
• Po përgatitet kuadri ligjor që ju mundëson emigrantëve të investojnë në Shqipëri tre vjet pa taksa.
• Po shqyrtohen mundësitë e pjesëmarrjes së emigrantëve në votime.
• Hartimin e një programi të veçantë për fëmijët, trajtimin, shkollimin e fëmijëve që punojnë në rrugë.
• Eshtë vendosur një bashkëpunim me shoqatat kombëtare dhe organizata ndërkombëtare për hartimin e një projekti të qeverisë në mbështetje të mësimit, shkollimit, strehimit, të komunitetit të romëve dhe egjiptian në Shqipëri.
Zonja dhe zotërinj,
Gjatë këtyre 100 ditëve kemi zhvilluar një veprimtari intensive ndërkombëtare. Kam vizituar kryeqytetet e vendeve fqinje dhe kam zhvilluar takime të nivelit më të lartë me Kryeministrin Silvio Berluskoni në Romë, me Shenjtërinë e Tij Papa Benedikt XVI në Vatikan, me Kryeministrin Karamanlis në Athinë, në Nju Jork jam takuar me zyrtarë të lartë të administratës së Presidentit Bush, në Shkup jam takuar me Kryeministrin Bushkovski dhe Presidentin e vendit, në Podgoricë me Kryeministrin Gjukanovic. Gjatë 100 ditë që shkuan kam vizituar Selitë e institucioneve kryesore ndërkombëtare OKB, BE, PE, NATO ku jam pritur nga Presidenti Barroso dhe përfaqësuesi i BE për Politikën e Jashtme Solana, Presidenti i Parlamentit Europian Borrel, Sekretari i Pëegjithshëm i NATO-s, Scheffer. Gjithashtu kam marrë pjesë në Samitin e Nismës së Europës Qendrore në Bratislavë dhe Samitin e EPP në Bruksel. Në këto Samite kam takuar dhe zvilluar bisedime me kryeministra, presidentë të vendeve Europiane të pranishëm aty. Ditëne 100 bëra një vizitë tek trupat tona në Mosul dhe u takova me Kryeministrin e vendit në Bagdad. Në të gjitha këto takime çështje kryesore të bisedimeve kanë qenë bashkëpunimi bilateral rajonal dhe integrimi i Shqipërisë në BE dhe NATO.
Ky ishte në tërësi bilanci i 100 ditëve të para, ballafaqimi me premtimet e bëra gjatë fushatës elektorale dhe të paraqitura në parlament në programin e qeverisë. Siç e shihni, ato janë mbajtur plotësisht dhe janë realizuar shumë të tjera që nuk ishin parashikuar 100 ditët e para.
Për këtë unë dua të falenderoj me mirënjohje ekipin qeveritar, këshilltarët dhe stafin tim më të afërt, ekspertët e të gjitha fushave të ministrive dhe institucioneve të varura prej tyre, punonjësit e administratës që me përkushtimin, ekspertizën e tyre bënë të mundur shndërrimin e premtimeve në akte normative, ligje, udhëzime të shumta.
Më tre korrik jo të pakët ishin qytetarët shqiptarë që nuk votuan për këto premtime dhe kjo jo se ata nuk i pëlqenin, por thjesht për faktin se nuk besonin se ato do të mbaheshin dhe shndërroheshin në realitet. Kam kënaqësi që unë dhe qeveria që kryesoj, dalim para tyre si njerëz të fjalës së dhënë, që kemi punuar edhe shndërruar në realitet ato që ata nuk kanë besuar. Ne u shërbejmë të gjithëve.
Duke përfunduar dua t'ju siguroj, ju dhe qytatrët shqiptarë, se në rast se këto 100 ditë me ekipin qeveritar ne hodhëm me shpejtësi themelet e ndryshimit të madh të Shqipërisë, për të cilën votuan shqiptarët, ne me përkushtim të madh do punojmë për të ndërtuar ndërtesën e këtij ndryshimi, Shqipërinë si shtëpinë e bukur të shqiptarëve.
Gëzuar Vitin e Ri ju, familjet tuaja dhe të gjithë shqiptarët!