Kryeministri Berisha viziton katedralen e "Shën Palit" dhe uron besimtarët katolikë për krishtlindjen
Kryeministri Sali Berisha uron besimtarët katolikë dhe të gjithë besimtarët e krishterë për ditën e lindjes së Krishtit. Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja, vizitoi të dielën në mesditë edhe Katedralen e "Shën Palit", në Tiranë, ku uroi Imzot Rrok Mirditën, Kryetar i Arqipeshkvisë së Tiranës dhe Durrësit, besimtarët katolikë, besimtarët në tërësi dhe të gjithë shqiptarët, që, "bashkohen në këtë ditë rreth shpresës, dashurisë, besimit tek zoti, vlerave hyjnore më të çmuara të njeriut". Po ashtu, z.Berisha vlerësoi kontributin historik të komuniteteve fetare në ngritjen e infrastrukturës shpirtërore. "Në rast se Shqipëria arriti të ketë rotacion politik në mënyrë paqësore, në mënyrë të pamohueshme, është dhe ndihmesa e çmuar në infrastrukturën morale, shpirtërore kombëtare që institucionet e kultit, udhëheqësit fetarë kanë dhënë gjatë këtyre 15 viteve".