E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pushimet e kësaj vere: Drejt Majorkës e larg Durrësit

Në plazhet e mirëpunuara të Turqisë apo në piramidat antike të Egjiptit? Apo, akoma më mirë, në infrastrukturën dhe “zhurmën melodioze” të Palma de Majorkës? Medoemos shumë shqiptarë i kanë vendosur këto pyetje në kalendar, pasi zgjedhjet e tyre për sezonin veror nuk kanë ndryshuar shumë. Megjithatë, përpara se të shihnin kalendarin, duket se kanë parë portofolin, e si pasojë, sipas agjencive turistike edhe këtë vit Turqia ka qenë destinacioni kryesor i bashkatdhetarëve. Ndërkohë, surpriza më e madhe duket se vjen nga turistët e huaj që vijnë të organizuar në Shqipëri. Durrësi? Jo! Të interesuar, në agjencitë e udhëtimit, na thanë se nuk është Durrësi destinacioni kryesor, por janë Saranda dhe Vlora, qytetet që kryesojnë listën.

“Do të shkojmë në Turqi”, – u shprehën dy të rinj rreth të 25-tave, teksa po prenotonin paketën e udhëtimit në një nga agjencitë turistike të kryeqytetit. “Paketa turistike është më me leverdi se të vizitosh një zonë turistike të vendit, e për më shumë këtu mungojnë elementet bazë si infrastruktura dhe higjiena”.

Drejt Palma de Majorkës

Pak vite më parë destinacioni më i largët turistik i shqiptarëve do të ishte bregu i Malit të Zi ose po të ishe me pak fat, e mundësisht me ndonjë mik në ambasadën greke, një qëndrim (pune dhe) pushimesh në plazhet e Greqisë. Por gjërat kanë ndryshuar dhe tashmë destinacionet janë shumëfishuar, ashtu sikurse edhe ofertat dhe paketat që shoqërojnë udhëtimet e pushimeve verore.

Vendosëm të kryejmë një sondazh në agjencitë turistike të kryeqytetit për të parë se ku janë shpenzuar lekët e konvertuara në euro dhe dollarë gjatë dy muajve të fundit. Në krye të listës është (si gjithnjë vitet e fundit) Turqia, ku duket se çmimet e lira, por edhe reklama jo fort e vogël, sipas specialistëve, e kanë kthyer vendin mik (ku mbi të gjitha mund të hyjmë pa viza) në destinacionin kryesor turistik.

Në vend të dytë të klasifikimit të prenotimeve vjen Egjipti. Ndoshta nga piramidat, apo nga ndonjë legjendë e lumit Nil, shqiptarët kanë preferuar këtë vit që të shkojnë në masë në shtetin e themeluar nga Muhamed Aliu (shqiptar edhe ky, por që nuk ishte për pushime në Kajro).

Në vend të tretë të listës renditet destinacioni surprizë i këtij viti: Palma de Majorka. Duket se Spanja çdo vit grumbullon sasi më të madhe turistësh e, nuk kishte si të ndodhte ndryshe, shqiptarët kanë ndjekur trendin botëror. Ajo çka mund të cilësohet si veçori e këtij viti, është që numri i prenotimeve për në Kinë, vendin nga ku ka kthyer sytë e gjithë bota, nuk ndodhet, jo në vend të katërt, por as në dhjetë destinacionet më të preferuara të vitit.

Jo më në Durrës (?)

Duket se tabela “Welcome to Vlora” apo ajo e “Beach of Çuka” nuk kanë shërbyer keq për sarandjotët dhe vlonjatët. “Ia kanë marrë Durrësit në kthesë”, – thotë me të qeshur një prej punonjëseve të agjencive të udhëtimit që pyetëm. Këtë vit, turistët e huaj që vijnë të organizuar në Shqipëri, nuk shkojnë në Durrës. Përveç udhëtimeve dy deri në treditore, kur ata vizitojnë thuajse të gjithë vendin nga plazhet e Velipojës në kalatë e Krujës, Beratit e Gjirokastrës, për të arritur në destinacionin e tyre të radhës (që në shumicën e rasteve është Greqia), udhëtimet më të preferuara të turistëve janë Saranda dhe Vlora.

E në krye të listës së turistëve të huaj ishin fqinjët tanë të izoluar, Maqedonasit, të cilët për herë të parë vizitojnë pasivisht vendin tonë.

“Nganjëherë ikin të pakënaqur për shkak të infrastrukturës dhe higjienës”, – thotë një prej agjenteve të udhëtimit, por sipas saj, “këto janë raste të veçanta”.

Nga Majorka, në Turqi e nga Egjipti në Rivierë. Kjo duket se është parulla e pushimeve vjetore të këtij viti. Ndoshta në axhendën e vitit që vjen, listës së mësipërme do t`i shtohen edhe shtete e popuj të tjerë, por deri atëherë, do të duhet që të rimblidhen lekët e pushimeve të shqiptarëve, që sipas agjencive, u harxhuan në masë jashtë vendit tonë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›