E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjalë e bojë kot për një bojkot

Edmond Tupja 

Të kërcënosh (të gjithë e asnjë në të njëjtën kohë) me bojkot të Kuvendit për arsye të paarsyeshme, subjektive e subversive, siç po vepron Kryetari i palavdishëm i së palavdishmes Parti Socialiste të Shqipërisë, më nxjerr mallin negativ të kohës së revolucioneve proletare që u rrokullisën tatëpjetave të Historisë nën shembullin e ...përgjakshëm të Revolucionit të Madh Socialist të Tetorit në Rusinë e fillimshekullit XX.
Në Librat e Shenjtë të teorisë marksiste-leniniste të zhvilluar më tej, d.m.th. deri në absurdin më të përbindshëm, nga Enver Hoxha, një nga pikat themelore ka qenë edhe bojkoti i parlamenteve borgjeze nga partitë marksiste-leniniste të dhunës revolucionare të ngritur në sistem. Pikërisht këtu këmbëngul e i bie gozhdës edhe Edi Rama dhe kjo nuk më habit fare: fill pas 28 qershorit, kur analistë e opinionistë, si edhe disa agjenci të ndryshme sondazhesh, parashikonin me argumente aspak “masturbuese” që e djathta do t’i fitonte zgjedhjet e përgjithshme, zëdhënësja e Selisë rozë (Roza, Rozina, na sill ca trëndafila) deklaroi, pa iu dridhur qerpiku, se Partia Socialiste do t’i mbronte votat e saj “me çdo mjet dhe me çdo çmim”; nuk ka asnjë dyshim se zonja në fjalë vetëm se papagalloi me një teatralitet të admirueshëm çka kishte konceptuar e shkruar vetë Kryetari i saj, gjë që ma tendosi e forcoi bindjen se, në mos doktrinën, të paktën metodologjinë për marrjen dhe mbajtjen e pushtetit, PSSH-ja e ka trashëguar të pandryshueshme nga PPSH-ja.
Pikërisht ky togfjalësh, “me çdo mjet dhe me çdo çmim”, bënte pjesë dikur në frazeologjinë e frikshme të marksizëm-leninizmit përzier me salcë aziatike të PPSH-së, ndërsa zbatimi i tij në terren ishte një praktikë sistematike, falë së cilës kjo parti qëndroi me dhunë në pushtet për gati gjysmë shekulli. Në kontekstin e sotëm politik shqiptar, togfjalëshi “me çdo mjet dhe me çdo çmim” lë shteg për interpretime që të kallin datën sapo orvatesh të imagjinosh se cilat mund të jenë ato mjete dhe ai çmim në mendjen e atyre që, brenda një nate, e transformuan PPSH-në në PSSH.
Rrjedhimisht, nuk është rastësi që bojkoti i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë po zbatohet për herë të dytë nga e palavdishmja PSSH: herën e parë kjo ndodhi më 1996, së dyti tani, më 2009, pra, pas 13 vjetësh (13-a, numër fatal!). Po të vazhdojë PSSH-ja me këtë logjikë të mbrapshtë bojkotesh, i takon ta bojkotojë për të tretën herë Kuvendin në vitin 2022: ndoshta atëherë mund t’i dalë për mbarë: Jamais deux sans trois, siç thonë francezët (E treta, e vërteta).
Duke qenë se Kryetari i palavdishëm i së palavdishmes PSSH, që po i vetimponohet kësaj të fundit, ka një kulturë të gjerë frankofone – ashtu si dikur Sekretari i Parë i KQ të PPSH-së –, me siguri, në mënyrë të vetëdijshme ose të pavetëdijshme – ashtu si pararendësi i tij –, ai e ka bërë të tijën batutën e famshme të Luigjit XIV, Mbretit-Diell të Francës në shekullin XVII, “Après moi, le Déluge!” (Pas meje, u bëftë Kiameti!). Mjerisht, realiteti i këtyre ditëve të fundit tregon qartë se ku po shpie një logjikë e tillë: në debilizimin e PSSH-së, në copëzimin e së majtës shqiptare, çka e dëshmojnë, ndër të tjera, si bashkëqeverisja PD-LSI, ashtu edhe prirjet divergjente në gjirin e PBDNJ-së.
Në këto rrethana, me siguri do t’ia vlente që PSSH-ja e sotme, në vend që të harxhonte fjalë e bojë kot për një bojkot, të bënte më në fund atë që duhej të kishte bërë në kongresin e saj të fundit mjerania dhe e neveritshmja PPSH: të shpërbëhej si parti, të vetëvritej e të vetëvarrosej me kurajo e dinjitet (nëse, gjithsesi, i ka mbetur ndonjë pikë kurajoje e dinjiteti) për t’u dhënë të majtëve shqiptarë jo marksistë-leninistë mundësinë të themelojnë mirëfilli një parti socialiste të standardeve europerëndimore bashkëkohore. Sikur të ndodhte kjo mrekulli, vetë unë, bashkë me miqtë e mi të djathtë ose të majtë si Aqif Qifa, Françesk Armadhi dhe Vangjel Lezeti, do të brohorisja, në stilin francez, pa m’u dridhur as qerpiku, as floku e as ndonjë qime tjetër e dukshme apo e fshehur, “PSSH-ja vdiq, rroftë PSSH-ja!”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›