E Diel, 1 Nëntor 2026

Legalizimet, hapet fondi për 900 pronarë

 

Fabiola Çela

Brenda një muaji do të nisë ndarja e fondit për ish-pronarët. Sipas kreut të Agjencisë së Legalizimit, Shaban Memia, deri më tani nga procesi i legalizimit janë mbledhur 2 miliardë lekë.Nga kjo shumë 1 miliard lekë do të përdoret për kompensimin e ish-pronarëve, trojet e të cilëve janë zënë nga ndërtimet informale. Janë gati 900 ish-pronarë që do të përfitojnë nga ky fond. Ndërsa pjesa tjetër e parave do të shkojë për pushtetin lokal, ashtu siç e parashikon edhe ligji i legalizimeve të ndërtimeve informale. Ekspertët e Agjencisë janë duke përgatitur dosjet edhe për 10 mijë pasuri të tjera, dokumentacioni i të cilave së shpejti do të shkojë për miratim në qeveri.
Procedurat
Për të gjitha ndërtimet informale që janë ndërtuar në tokë shtetërore apo në tokën e pronarëve të ligjshëm, ekspertët e ALUIZNI-t kryejnë matjet në terren dhe pas kësaj përgatisin dosjet përkatëse. Pas kësaj dosjet e hartuara nga ALUIZNI dërgohen për miratim në qeveri. Në këtë moment fillon e përgatitet vendimi i Këshillit të Ministrave, i cili konsiston në kalimin e pronësisë, pra kjo sipërfaqe toke i kalohet në pronësi ndërtuesit të ndërtimit informal, për t’u bërë e gatshme për të plotësuar lejen e legalizimit dhe më pas kartelën e pronësisë. Me daljen e vendimit përgatitet fatura sipas sipërfaqes. Çdo qytetar duhet ta likuidojë atë pranë sporteleve të bankës. Pas likuidimit të kësaj fature paraqitet te noteri përfaqësuesi i ALUIZNI-t dhe qytetari që ka ndërtuar. Bëhet akti noterial dhe pas kësaj mbyllet i gjithë cikli. Pra, Agjencia e Legalizimit pasi jep lejen e legalizimit, kryen edhe plotësimin e kartelës së pronësisë, kartelë e cila dërgohet edhe në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. “Pra në momentin që qytetarit i publikohet emri në listat e miratuara nga qeveria, atëherë ai shkon e merr faturën e vlerës së truallit pranë zyrave të ALUIZNI-t, dhe pasi kryen pagesën ai duhet të nënshkruajë aktin noterial. Pas kësaj ALUIZNI i dorëzon lejen e legalizimit dhe në të njëjtën kohë që merret leja e legalizimit agjencia dërgon edhe dokumentet pranë hipotekës”, shprehen drejtuesit e Agjencisë.
Pagesa
Të gjithë ata që janë në proces privatizimi mund të paguajnë deri në 80 për qind të shumës së detyrimit me letra me vlerë. Pjesa tjetër, 20 për qind e shumës do të duhet të paguhet me para. Kjo është pjesa që i shkon pushtetit vendor për urbanizimin e këtyre zonave informale. Sipas vendimit të miratuar nga qeveria, vendimi parashikon që edhe ata që kanë bërë tashmë pagesën, mund të bëjnë një kërkesë me shkrim pranë ALUIZNI-t, duke dorëzuar kundërvlerën e pagesës me bono privatizimi apo letra me vlerë, do të marrin mbrapsht paratë e paguara. Ndërsa për të gjithë ata që janë në proces, do të duhet të përcaktojnë në dokumentacionin e tyre edhe mënyrën e pagesës, pra me para apo me letra me vlerë. Gjithmonë deri në 80 për qind të vlerës.

Kompetencat vetëm të Agjencisë
Të gjitha kompetencat për legalizimin e ndërtimeve informale i ka Agjencia e Legalizimit. Duke qenë se njësitë e qeverisjes vendore i kanë shkelur të gjitha afatet ligjore, të parashikuara për kryerjen e procedurave të legalizimit të ndërtimeve informale, qeveria vendosi që ALUIZNI do të kryejë të gjitha procedurat e evidentimit në terren dhe do të përgatisë raportin e gjendjes faktike dhe shqyrtimin për legalizim të ndërtimeve informale.

Letrat me vlerë
Letrat me vlerë janë futur sërish në treg, këtë herë për legalizimin e ndërtimeve informale. Bëhet fjalë për pagesën e truallit, i cili përbëhet nga dy pjesë. Nga trualli minimal i detyrueshëm për të shoqëruar legalizimin e ndërtesës, sipas të cilit 80 për qind e vlerës së truallit do të paguhet me lekë dhe për çdo metër katrorë ekstra përtej këtij niveli do të paguhet 50 për qind me letra me vlerë dhe 50 për qind me para në dorë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›