Shaqiri e do Realin

Pasi e eliminoi Manchester Unitedin me Baselin e tij, Xherdan Shaqiri nuk e fsheh dëshirën për të luajtur ndaj një gjiganti tjetër evropian, Real Madridit, në të tetën e finales së Ligës së Kampionëve.
Klubi zviceran bëri sensacion të mërkurën mbrëma, duke e eliminuar kampionin anglez. Ndërkaq, më 16 dhjetor do të dihet kundërshtari i radhës i kampionit zviceran, pas shortit që do të hidhet në Zvicër.
Do të jenë Barcelona, Bayern Munich, Inter, Real Madrid, Chelsea, Arsenal, Benfica ose APOEL Nicosia, ndërsa 20 vjeçari e preferon ekipin e Mourinhos ose atë qipriot.
“Do më pëlqente të luanim kundër Realit në të tetën e finales. Mirëpo, shpresoj që të na bie për kundërshtar edhe APOL-i”, ka thënë përfaqësuesi zviceran, i cili tash e tutje nuk ka frikë nga asnjë ekip.
Mesfushori i krahut po e shijon ende fitoren e madhe ndaj ‘Djajve të Kuq’. Para lojës ai thoshte se Baselit i nevojitet një mrekulli dhe një lojë perfekte për ta çuar në shtëpi Manchester Unitedin.
“Jemi të lumtur që e fituam ndeshjen në fund. Kemi luajtur më mirë, sidomos në pjesën e parë. Kah fundi vuajtëm nga presioni, mirëpo u mbajtëm mirë. Kemi gëzim të dyfishtë: që e mposhtëm Manchesterin dhe që kaluam në të tetën e finales”, vazhdoi Shaqiri pas ndeshjes.
Në fitoren e Baselit kontribut të madh dha edhe mesfushori tjetër kosovar, Granit Xhaka, i cili luajti me sukses për 83 minuta. Kjo ishte hera e dytë në histori të Baselit që ky ekip kualifikohet në të tetën e finales.
Gjithashtu, kjo është hera e parë që futbollistët shqiptarë luajnë në fazën eliminuese të evenimentit më prestigjioz të klubeve në Evropë. Përpos Shaqirit e Xhakës, edhe futbollisti tjetër shqiptar Blerim Xhemajli do të luajë në të tetën e finales me Napolin e tij.
Chipperfield: Shaqiri, sikur Messi
Xherdan Shaqiri është krahasuar me yllin e Barcelonës, Lionel Messi, nga shoku i tij i skuadrës, Scott Chipperfield.
Mesfushori kosovar po tregohet si njëri ndër talentët më të mëdhenj të futbollit sot, duke u rënë në sy shumë skuadrave të mëdha evropiane.
“Ai është i vogël, por mund të jetë vendimtar. Është solid dhe i fuqishëm. Ndonjëherë më ngjan në Messin, në mënyrën se si driblon. Ai është majtak natyral, por mund të luajë po ashtu me këmbën e djathtë dhe mund të pasojë saktë e të shutojë”, deklaroi mesfushori australian.
“Xherdani është lojtar mjaft i mirë dhe mendoj se ai do të shkojë për të luajtur në një klub të madh në të ardhmen. Ai është lojtar i madh për ne, por nuk e di se sa gjatë do të jetë në gjendje ta mbajë atë Baseli”, vazhdoi Chipperfield.
Mediat e ngrisin në qiell Shaqirin
Mediat zvicerane dhe ato angleze i kanë kushtuar theks të veçantë paraqitjes së Xherdan Shaqirit në fitoren e Baselit 2:1 ndaj Manchester Unitedit. Mesfushori kosovar ka qenë pjesëmarrës në të dyja golat, kështu që ai edhe një herë vërtetoi se është njëri prej talentëve më të mëdhenj të momentit.
“Shaqiri e vërtetoi edhe një herë kundër Manchester Unitedit se përse flitet se mund të shkojë për të luajtur në Old Trafford, apo në ndonjë klub të madh evropian”, shkruan ueb faqja britanike mirrorfootball.co.uk.
“Shaqiri me shokë e dërgojnë Baselin në të tetën e finales”. “I udhëhequr nga super Shaqiri, Baseli arrin rezultat historik ndaj Manchesterit”, ishin disa nga shkrimet e mediave zvicerane.