E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjalët çelës

Pikërisht fjalët-çelës me zbërthim të jashtëm janë bërthama e grupit të elementeve që ndërtojnë konceptin e udhëtimit, si fati ekzistencial i njeriut dhe i kombit. Këtë bashkësi ne e shënojmë A¹ B¹ për shkak të lidhjes së dyanshme me dy bashkësitë e tjera, A dhe B. Këtu hyjnë dyzimi, ankthi, vetmia, boshi, drejtpeshimi, harresa etj. Këto elemente bashkëveprojnë edhe horizontalisht, pra me dy bashkësitë e tjera, por edhe vertikalisht, domethënë brendapërbrenda secilës bashkësi. Në mënyrë të përmbledhur elementet bërthamë të poezisë së Podrimjes si fjalë-çelës i kemi paraqitur më poshtë:

Njësia A e elementeve zinxhir A¹ B¹ Njësia B e elementeve zinxhir

Kulla Dyzimi Bregu

Hija Ankthi Varka

Guri Harresa Ishulli

Fyelli Boshi Uji i Madh

Shpata Vetmia Drejtpeshimi

Ishulli Shpata Ura e shenjtë

Ura e shenjtë Freri

Drejtpeshimi

Ishulli

Uji i madh

Ura e shenjtë

Fjala e parë çelës e ndër më të njohurat në poezinë e Podrimjes është Kulla. Ajo hyn në marrëdhënie vertikale me elementet e tjera të së njëjtës bashkësi, me Gurin, Hijen, Shpatën, Fyellin, Urën dhe Ishullin. Ato i bashkon mbijetesa e simbolizuar në forma të ndryshme dhe vetvetja në rrethanat e kërcënimit. Përmendim pranëvënien mes frengjisë së kullës dhe syrit, të cilët mund të vendosen lehtësisht në raport të ndërkëmbyer: sy i shkyer - frengji e nxirë dhe frengji e shkyer dhe sy i nxirë. Këtu kemi një pamje për veten dhe kombin dhe perspektivën e shikimit të realitetit jashtë kufijve të vetvetes.

Elementet e rëndësishëm të Ujit të madh, dhe ishullit, fitojnë vlerë të disafishtë dhe shtrirje të gjerë pasi u përkasin të tria bashkësive njëherësh. Ato janë edhe rrethanë edhe destinacion i Udhëtimit në fjalë. Pas tyre për nga pesha e madhe e mendimit vijnë drejtpeshimi e shpata.

Pikërisht mes dy bashkësive është kanali i lëvizjes që përbën Udhëtimin si fenomenin themelor të poezisë. Kjo do të thotë që vetë elementet e bashkësisë A, pra ato që kanë të bëjnë me etninë dhe krijojnë asociacionin e qëndrueshmërisë, ngulitjes, të palëvizshmes dhe asaj që është e rrënjosur në truall, në të vërtetë i japin fillimin lëvizjes, zhvendosjes për në Udhëtimin, gjatë të cilit individi do të kërkojë vendin e tij dhe të kombit në qenësi. Brenda po të njëjtës bashkësie gjendet dhe aspekti thelbësisht i brendshëm i të qenit, dhe simbolizohet nga hija, dhe Ura e Shenjtë. Hija është prani e përkohshme, por e pandashme nga objekti material dhe njëherësh e pakapshme. Në poezinë e Podrimjes ajo i përket sa kullës dhe gurit aq edhe heshtjes, emrit dhe përjetimeve të brendshme. Ndërsa toponimi me vlerë simbolike Ura e shenjtë, lexohet lehtësisht si ëndrra e hershme e lidhjes me qenësinë dhe me vet nocionin e kësaj të fundit.

Bashkësitë e përmendura më sipër janë edhe pikat orientuese, për të kuptuar nocionin e kohë-hapësirës në këtë poezi, pasi shënojnë koordinata të ndryshme të kohës. Kur i referohet të ardhmes, poeti dallon pamjen e saj të dyfishtë si e ardhmja në lëvizje ose fati dhe e pashmangshmja, vdekja. Po ashtu kjo përmasë e kohës shfaqet edhe si e ardhme e kërcënuar që të mos lindë kurrë, çka vërehet përmes shprehjesh metaforike si: më vjedh ëndrrën. Dukuria që bie më shumë në sy gjatë kalimit nga njëra bashkësi në tjetrën është se gjatë udhëtimit të shprehur skematikisht me anë të bashkësive A e B ndodh fenomeni i zbrazjes së kohës nga lëvizja. Niveli i abstragimit rritet sidomos në konceptimin e kohës që e bën udhëtimin të ngecë në pikën e zbrazjes nga lëvizjet dhe në një pikë pamundësie. Udhëtimi që në vetvete është i vazhdueshëm duket sikur qëndron mbi kohën dhe gjatë tij njeriu përjeton përvojën e dhimbshme të mosgjetjes së vendit të tij. Pra kohë-hapësira, drejtpeshimi, Kulla dhe Bregu mbeten koordinatat e këtij udhëtimi të pashmangshëm që del nga terreni natyral drejt së panjohurës si një krijim i gjymtuar i rrethanave. Edhe ky fakt na çon të mendojmë se poezia e Podrimjes vendos një raport të qartë mes tri çasteve thelbësore të përvojës së njeriut, pra çastit zanafillor ose nisjen e ekzistencës në të cilin ai shquan dhe formëson nocionin e njeriut dhe kombit në mënyrë të veçantë, përcaktimit të identitetit të tij brenda kësaj njohjeje dhe niveli tjetër është koordinimi në kohë- hapësirën ku të çon nocioni i drejtpeshimit dhe i peshës. Në këtë kuptim, çasti zanafillor merr vlerën e një njohjeje pothuaj të brendshme tejshqisore që ka lindur para vetë njeriut dhe i caktohet atij që para se të vijë në jetë. Si rezultat pesha e gurit, pra mosqenia në pikën e peshës e entitetit të kombit dhe e origjinës kolektive shkakton një shpërfytyrim të skajshëm e tragjik tek qenia njerëzore. Që këtej dilet në pikëmbërritjen e synuar, e cila është Bregu. Kjo vijë është një udhëtim drejt gjetjes së asaj që është sublime dhe tërësisht e plotë në vetvete, kuptimi i të qenit. Një përmasë e tillë e lidhjes së individit me kombin është realizuar tek poezia e Ali Podrimjes në një formë kaq të dallueshme sa praktikisht ka ndërtuar një model të vetin në letërsinë shqipe.

Udhëtimi që ravijëzohet tek kjo poezi është njëherësh kalim i njeriut shqiptar në fazat e historisë së kombit, por edhe i njeriut në përgjithësi në gjendjet e ndryshme ekzistenciale. Ky Udhëtim shpjegon ekzistencën e përjetimeve tipike, të cilat gjenden gjithandej në poezinë e Podrimjes si pamundësia, dyzimi, vetmia etj. Këto gjendje shfaqen kur individi ndodhet nën trysninë tjetërsuese, që vjen nga veprues të ndryshëm dhe kur kombi është nën kërcënimin e tkurrjes apo zhdukjes. Poezia e Podrimjes është e gjitha një udhëtim i ngelur në fazën e dytë që ne e kemi konfiguruar me anë të bashkësisë A¹B¹. Kështu, gjendja fikse që duket se paralizon çdo lloj veprimi është heshtja, e simbolizuar shpesh nga ngjyra e bardhë. Heshtja del si pasojë e tjetërsimit, si formë deri diku e zgjedhur e njeriut nën trysni, por edhe kthehet në sindromë. Këtu ndihmon edhe këmbimi i stilit verbal dhe nominal që bën kalimet nga veprimi në gjendje. Shpeshherë duke mos përdorur folje, poezia shpreh paralizimin e veprimit për t’i lënë vendin krijimit të një gjendjeje trazimi, por edhe të amullt në sipërfaqe.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›