E Shtunë, 31 Tetor 2026

Placido Domingo në Tiranë?! I propozon Elsa

Rikthim zyrtar dhe befasues i këngëtares Elsa Lila, duke justifikuar titullin “Ambasadore e Kulturës Shqiptare në Botë”. Në një takim të posaçëm me Kryeministrin Sali Berisha, Elsa Lila i ka kërkuar ndihmë për realizmin e projekteve të saj në Shqipëri. Një ndër këto projekte të rëndësishme ishte mbështetja e ftesës për ardhjen e Placido Domingo-s në Shqipërisë, si artist i përmasave botërore dhe kontribuues i njohur i promovimit të artistëve shqiptarë në skenat më të famshme të botës. Atë që nuk arriti ta realizonte si ëndërr sopranoja Inva Mula, duket se po ia del Lila

Placido Domingo në Tiranë?! I propozon Elsa

Ka qenë një takim krejt zyrtar me Kryeministrin Sali Berisha, pa ndonjë rëndësi artistike personale, siç jemi mësuar ta përcjellim gjithnjë ardhjen e këngëtares Elsa Lila në Shqipëri. Me një famë aspak të çuditshme, por e rritur në një tis misteri dhe habie të përhershme, Elsa Lila ka nisur të hyjë në mjedise më të largëta se shteti fqinj, Italia. Po ndjek konjukturën e njerëzve të famshëm, se si mund të lançohesh në skena me përmasa evropiane, apo botërore. Ndaj propozimi që i ka bërë dje këngëtarja Kryeministrit Sali Berisha duhet thënë se ka qenë një befasi. Njohja me artistin e madh të muzikës klasike, Placido Domingo, u njoftua papritur, bashkë me interesin që këngëtari lirik ka shfaqur për të ardhur në Shqipëri. Por se të ishte këngëtarja Elsa Lila që ardhjen e tij, do t’ia besonte direkt Kryeministrit, si mbështetje për pritjen, kjo duket se i ka kaluar caqet e një këngëtareje.

E shoqëruar nga drejtori i Përgjithshëm i Radiotelevizionit Publik Shqiptar, Petrit Beci, nga zyra e shtypit të Kryeministrit bëhet e ditur se këngëtarja së bashku me projektet e saj i ka paraqitur kreut të qeverisë edhe propozimin që ajo i ka bërë tenorit të famshëm për të kënduar në Tiranë. Duket se ky ka qenë qëllimi kryesor i takimit të djeshëm, ku bëhet e ditur se Kryeministri është shprehur pozitivisht, duke pohuar se qeveria do të mbështesë projektet dhe nismat për promovimin e artistëve shqiptarë dhe të kulturës. Në këtë listë ka qenë dhe artisti me famë, Domingo.

Mësohet se këngëtarja së fundi është vendosur në Amerikë, pikërisht në Los Angelos, pa thënë shumë detaje, ka takuar artistin me famë botërore, Placido Domingon. Lila në takimin me Kryeministrin i ka bërë të ditur interesin që ka shprehur edhe tenori, për të ardhur në vendin tonë, që njihet si përkrahës dhe promovues i artistëve shqiptarë të muzikës, duke identifikuar vendin e tyre në skenat e mëdha të botës. Mënyra se si ka depërtuar këngëtarja Elsa Lila në botën jashtë kufijve shqiptare duket si sublime, duke shfaqur ngulm dhe egoizëm për të përcjellë emri i saj vetëm famë. Ishte viti 1996, kur Elsa Lila, atëherë 14-vjeçare, fitoi çmimin e parë në Festivalin e Këngës në Radiotelevizion me këngën "Pyes lotin", me muzikë të Valentin Veizit, ndërsa në dhjetor të vitit 1997 fitoi sërish për të dytin vit radhazi me "Larg urrejtjes", shkruar nga Alqi Boshnjaku dhe muzikë të Valentin Veizit. Një vit më pas, në 1998, Lila fitoi vendin e dytë në "Discovery ‘98 Festival" në Varna, ndërsa u nderua me çmim të dytë në konkursin "Voice of Asia". Emri i saj u radhit ndër finalistët edhe në "Fidof for Peace and Friendship International Festival", që mbahet në Los Anxhelos në Kaliforni. Në vitin 1999, nga një sondazh i Televizionit Shqiptar, ajo "ishte këngëtarja shqiptare e shekullit, ndërsa mori pjesë në çmimin "Skanderbeg" në Zvicër, ku u shfaq pranë këngëtares Ana Oxa me ftesë të Bexhet Pacollit. Në vitin 2001, Presidenti i Republikës, Rexhep Meidani, i dha Elsa Lilës, titullin "Ambasadore e Muzikës Shqiptare në Botë". Provon skenën e festivalit si prezantuese, duke u shprehur me dyshim për nivelin e konkurrimit, ndërsa mjaft kolegë të saj e kanë parë me skepticizëm distancimin prej kësaj skene. Franca është vendi që i ka ngjitur përfundimisht, pasi është ndjerë e lodhur deri në rraskapitje nga vendi fqinj, Italia. Dy përpjekjet për t’ia dalë suksesshëm në San Remo, i kanë thyer hovin se mund të integrohej e të bëhej tepër e famshme në këtë vend.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›