E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria mban qëndrim konfuz për ndryshimin e monedhës në euro

Bode sfumon deklaratën e bërë nga kryeministri Berisha. Deklarata e Berishës destabilizoi tregun e këmbimit valutor

Eljona Ballhysa
Qeveria shfaqet konfuze përsa i përket përdorimit të monedhës vendase, lekut. Pak ditë më parë, kryeministri Berisha u shpreh për ndryshimin e lekut në euro, ndërsa dje, gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend, ministri i Financave, Ridvan Bode, u përpoq ta sfumonte këtë deklaratë të shefit të kabinetit qeveritar. Bode tha se qarqe të caktuara kanë abuzuar me deklaratën e Berishës, me synim destabilizimin e tregut të këmbimit valutor. Ministri i Financave më tej u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë të besojnë te leku, pasi, sipas tij, kjo është monedha me e fortë dhe më e qëndrueshme në të gjithë rajonin dhe shpeshherë e mbivlerësuar ndaj euros dhe dollarit. Bode gjithashtu tha se procesi i ndryshimit të monedhës do të jetë një proces i gjatë deri në anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Këtë deklaratë, ministri i Financave e bëri gjatë seancës së djeshme parlamentare, ku u miratuan në parim ndryshimet në projektbuxhetin e vitit 2009.
Thirrja
“Procesi i adaptimit të euros është i gjatë dhe ka të bëjë me përpjekjet që bën Shqipëria dhe vendet e tjera për t’u integruar në Bashkimin Europian. Sigurisht, kur të jemi pjesë e Europës do të marrim dhe monedhë europiane. Tashmë ne jemi vend aspirant, por procesi i zëvendësimit me euro të lekut do të jetë shumë i gjatë. Dhe unë i ftoj të gjithë shqiptarët të besojnë te leku, sepse është monedha jonë dhe është monedhë e qëndrueshme. Më e qëndrueshmja në rajon prej një kohe shumë të gjatë. U bë një kohë më shumë se 10 vjet që dëshmon stabilitet, qëndrueshmëri në kohë, qoftë në raport me kursin e këmbimit të euros dhe dollarit. E dini që është mbivlerësuar dhe në raport me dollarin dhe, për një kohë, dhe në raport me euron”, - është shprehur Bode gjatë fjalës së tij. Duke iu referuar deklaratës së kryeministrit Berisha, i cili pak kohë më parë u shpreh pro ndryshimit të monedhës, Bode tha se deklarata e kreut të qeverisë është keqinterpretuar nga qarqe të caktuara që kërkojnë të destabilizojnë tregun.
Buxheti
Përsa u përket ndryshimeve në buxhetin e shtetit për vitin 2009, ministri i Financave, Ridvan Bode, shpjegoi se këto ndryshime do të sjellin përmirësime të dukshme në përdorimin më efektiv të shpenzimeve publike dhe në vetë cilësinë e jetës së qytetarëve shqiptarë. “Ky buxhet suplementar do t’i rrisë shpenzimet në 17 miliardë lekë, ose në 34,5% të GDP. Ne rrisim shpenzimet në një vit kur shumë vende të rajonit dhe më gjerë kanë bërë ulje të shpenzimeve publike, ulje të pagave, pensioneve dhe investimeve”, - tha ndër të tjera ministri i Financave. Sipas ministrit Bode, rritja ekonomike në 2009-n parashikohet të jetë rreth 5%, duke shënuar rritjen më të madhe ekonomike në Europë e më gjerë. “Projektligji është hartuar në zbatim të ligjit organik për buxhetin e shtetit dhe është në vazhdën e një tradite të qeverisë shqiptare për të sjellë një buxhet suplementar. Ky buxhet reflekton qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare edhe gjatë këtij viti, i cili shënoi një recension të rëndë ekonomik në vendet e Europës e më gjerë. Nëpërmjet këtij buxheti ne rrisim shpenzimet buxhetore për investimet publike me 17 miliardë lekë të reja”, - është shprehur Bode. Gjatë diskutimeve, kryetarja e Kuvendit e cilësoi seancën si një ditë të rëndësishme për parlamentarizmin shqiptar. “Në fakt, sot është një ditë e rëndësishme e parlamentarizmit, kur diskutohet për buxhetin e shtetit, në mënyrë të veçantë në një kohë kur pas 2-3 ditëve do të organizohet një samit ndërkombëtar ku do të shqyrtohet se cili do të jetë reagimi përballë krizës financiare botërore. Më lejoni të shpreh, edhe një herë, keqardhjen dhe pajustifikueshmërinë e mungesës së opozitës në këtë ditë jashtëzakonisht të rëndësishme. Votat e elektoratit socialist ishin për t’i parë deputetët socialistë këtu, për të folur në këto momente të rëndësishme të ekonomisë dhe për projektet e ardhshme të vendit”, - është shprehur Topalli. Ndërsa kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho, vlerësoi se projektligji për ndryshimet e buxhetit të vitit 2009 synon të rrisë shpenzimet kapitale në 8,5 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ndër të tjera, kryetari i komisionit vlerësoi se në këtë projektligj, "investimet për infrastrukturën rrugore parashikohen të rriten rreth 15, 5 miliardë lekë. Deficiti buxhetor parashikohet të jetë 6,4% e PBB-së, ndërsa huamarrja parashikohet të jetë 1,4% më e vogël se në 2008-n”. Më tej deputetët votuan me 72 vota në parim projektligjin "Për disa ndryshime në Ligjin Nr. 10025, datë 27.11.2008 ‘Për buxhetin e vitit 2009’”. Grupi parlamentar socialist sërish nuk mori pjesë në punimet e seancës. Në seancën e radhës, ditën e hënë, datë 28 shtator, deputetët do të diskutojnë dhe votojnë nen për nen ndryshimet në buxhetin e shtetit për vitin 2009.

25 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›