Fjalimet e Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli dhe Presidentit të Dhomës së Deputetëve të Italisë Gianfranco Fini
Topalli: Ta rindërtojmë edhe më të fortë, më të gjërë e më të bukur, Urën mbi Adriatik!
Fini: Parlamenti italian në mbështetje të aspiratave për integrim
Parlamente të forta dhe vendimarrëse, rol kyç në ruajtjen e stabilitetit dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli:
Më lejoni që, në emrin tuaj, zotërinj deputetë ti uroj mirëseardhjen Presidentit të Parlamentit Italian e mbi të gjitha mikut të veçantë, zotit Gianfranco Fini.
Vizita juaj, zoti President, vjen në një moment kur Kombi shqiptar po jeton kohë që do shënohen në histori. Na keni gjetur në prag të përmbylljes së ratifikimit të MSA-së, kemi marrë ftesën për anëtarësim në NATO dhe besojmë se do ta gëzojmë me të drejta të plota vitin e ardhshëm, kemi nënshkruar marrëveshjen për liberalizimin e vizave, Kosova është e pavarur!
Historia e progresit nuk do të ishte e tillë pa reformat e mëdha që kemi realizuar.
Gjatë bisedës që patëm sot paradite, President Fini, më thatë se Shqipëria është transformuar. Ne jemi krenarë për këtë. Jemi krenarë që imazhi ka ndryshuar sepse realiteti ka ndryshuar.
Shqipëria ka një rritje ekonomike të paprovuar ndonjëherë më parë, ofron një klimë të jashtëzakonshme dhe favorizuese për biznesin dhe, sigurisht për investitorët italianë, po punon fort për forcimin e mëtejshëm të shtetit të së drejtës, reflekton siguri në rajon, po ndërton historinë e zhvillimit.
Nga ana tjetër jam e bindur se ashtu si për ratifikimin e MSA-së edhe për ratifikimin e Protokollit të NATO-s, ne do të kemi mbështetjen e Italisë, këtij vendi mik, aq të dashur për shqiptarët. Ashtu siç besojmë se ky protokoll do të aprovohet nga 26 vendet anëtare me të drejta të plota, në mënyrë që në 2009-tën të bëhemi anëtarë të NATO-s.
I nderuar President Fini,
Marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Italisë janë tashmë një fakt. Italia është partneri dhe investitori më i rëndësishëm për Shqipërinë. Bashkëpunimi ynë ekonomik e politik, jam e bindur se do të njohë të tjera nivele të larta pas kësaj vizite tuaj në Shqipëri dhe më vjen mirë që së bashku me ju kanë ardhur edhe një grup gazetarësh, që do të përçojnë këtë realitet.
Një lidhje të fortë të popullit shqiptar me popullin italian e dëshmon edhe prezenca e mijëra shqiptarëve në Itali, të cilët janë integruar atje, punojnë dhe kanë investuar, jetojnë së bashku me familjet dhe fëmijët e tyre, studjojnë me rezultate të shkëlqyera, ndihen si në shtëpinë e tyre të dytë.
Mesazhi i pranisë suaj në këtë Parlament, i nderuar President Fini, është një mesazh i një rëndësie të veçantë, një mesazh mbështetjeje dhe, në emër të këtij Kuvendi, më lejoni tju shpreh mirënjohjen e thellë për gjithçka Italia ka bërë dhe do të bëjë për Shqipërinë.
Le ta rindërtojmë edhe më të fortë, më të gjerë e më të bukur Urën mbi Adriatik!
Faleminderit.
Presidenti i Dhomës së Deputetëve Gianfranco Fini
Zonja Kryetare, Të Nderuar Kolegë Deputetë,
Është vërtet një nder për mua të mund tu drejtohem përfaqësuesve të Kombit shqiptar, për të dëshmuar në radhë të parë lidhjet e forta të miqësisë dhe solidaritetit që lidhin historikisht dy Popujt tanë.
E gjithë historia e marrëdhënieve mes dy vendeve tona lind nga një afërsi shpirtërore dhe kulturore që, falë një gërshetimi të kulturave që kanë ditur të takohen dhe dialogojnë ndër shekuj, shkon përtej të dhënës së thjeshtë gjeografike.
Mrekullitë arkeologjike të Durrësit, kështjellat venedikase të Shkodrës, bashkësitë arbëreshe në Italinë e Jugut, vetë profili urbanistik i Kryeqytetit tuaj na flasin për një të kaluar të bashkëndarë që, u takon klasave politike të sotme, ta ripërtërijnë dhe aktualizojnë.
Në këto vite të fundit Kuvendet tona kanë ndihmuar ndjeshëm në rritjen e këtyre lidhjeve, duke vendosur themelet për një bashkëpunim të frytshëm politiko-institucional mes përfaqësive përkatëse parlamentare.
Kjo punë e përbashkët reflektimi, e thelluar më tej në tryezën e rrumbullakët mes Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve të rajonit, e organizuar në Romë nga Dhoma e Deputetëve, fiton një rëndësi të veçantë në një kohë kur të ndihet shpesh një lloj mosbesimi në metodën parlamentare që rrezikon të përkthehet në një demokraci pa popull, me institucione të dobësuara dhe të deligjitimuara.
Jetojmë në vite në të cilat ekziston dhe në njëfarë kuptimi i pashmangshëm një tension mes premtimeve dhe realitetit të jetës demokratike, mes legjitimitetit dhe mosbesimit në institutet e përfaqësisë politike, çështje të cilat, neve si ligjvënës na kërkohet ti marrim përsipër çdo ditë për të mos lejuar që ato të marrin tipare populiste dhe regresive.
Përballë këtyre rreziqeve, demokracia parlamentare shqiptare ka treguar konkretisht se ka aftësinë të menaxhojë ndërrimin e qeverisjes mes forcave të ndryshme politike dhe se ka ditur të qeverisë në këto muaj të fundit një proces të vështirë të reformës institucionale.
Udha e vështirë për demokratizimin e sistemit politik dhe të shoqërisë civile, e përshkuar nga Shqipëria dhe nga vende të tjera të rajonit të Ballkanit në këto vite, me ulje-ngritjet e veta, vështirësitë dhe sukseset e veta, përfaqëson ndoshta konfirmimin më emblematik të paradoksit të sjellë nga Aleksis de Tokevile (Alexis de Tocqueville) mbi thelbin e sistemeve demokratike: epërsia e tyre nuk qëndron në fakt në cilësinë e vendimeve të marra që ndonjëherë mund të shfaqen si të kritikueshme apo të jenë të tilla, ashtu si aktorët që i kanë miratuar ato por në të qenit të orientuar nga pikëpamja strukturore ndaj vetëkorrigjimit, pa rrezikuar me këtë bashkëjetesën civile dhe rendet institucionale.
Angazhimi për fuqizimin e demokracisë përmes mbrojtjes së vlerave të saj, të rregullave dhe të instituteve të saj, nuk mund të ndahet, sidomos nga ata që janë mbajtës të përgjegjësive politike, nga marrja përsipër e një angazhimi konkret për zhvillimin ekonomik civil.
Kjo presupozon se duhet të mbahet gjithnjë i hapur e madje i thelluar më tej dialogu mes kulturave të ndryshme të pranishme në Ballkanin perëndimor, duke u mbështetur në prirjen mesdhetare që përshkon shoqëritë e vendeve të këtij rajoni. Aftësia për të bashkëjetuar në larminë kulturore dhe për tu frymëzuar nga diversitetet përbën në fakt një pasuri të pamatë që klasat drejtuese duhet ta rivlerësojnë gjithnjë e më shumë.
Parlamente të forta dhe vendimarrëse mund të luajnë në Ballkanin perëndimor një rol kyç në ruajtjen e stabilitetit dhe të sigurisë. Si vende të përfaqësimit dhe të përballjes mes instancave të ndryshme të shoqërisë civile, Parlamentet përbëjnë në fakt selinë më të përshtatshme për drejtimin e proceseve të planifikimit dhe të pajtimit kombëtar, absolutisht të nevojshme me qëllim që plagët e viteve Nëntëdhjetë të mund të shërohen një herë e mirë.
Në këtë perspektivë, ndërtimi i një Shteti demokratik dhe pluralist në Kosovë përfaqëson një shtrat mbi të cilin do të matet jo vetëm autoriteti e besueshmëria e Bashkimit evropian, por edhe besueshmëria e klasave qeverisëse të vendeve të Ballkanit Perëndimor, aftësia e tyre për të qenë pjesë përbërëse e familjes së madhe evropiane.
Në këtë vizitë të shkurtër timen në Tiranë mbeta thellësisht i prekur nga kërkesa për Evropë që përshkon fjalët e bashkëbiseduesve të mi shqiptarë, që u përkasin të gjitha forcave politike.
Është një kërkesë për integrim që nuk brendashkruhet vetëm në mjediset politike, por që ndihet në opinionin publik, gjithnjë e më i vëmendshëm ndaj qëndrimeve të institucioneve komunitare, ashtu si dhe në qëndrimet e qytetarëve shqiptarë, sidomos të brezave të rinj, që dëshmojnë me vendimet e tyre se ndihen plotësisht qytetarë evropianë, për shembull duke zgjedhur të punojnë apo të studiojnë, gjithnjë e më të shumtë në numër, në vendet e Bashkimit evropian.
I takon klasës politike shqiptare të mos zhgënjejë këto pritshmëri, që shpesh kërkojnë sakrifica