E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbretëria e Bashkuar, përgëzon dhe mbështet Shqipërinë për reformat e realizuara.

     Shqipëria ka bërë transformime të mëdha në një kohë shumë të shkurtër dhe kjo motivon edhe mbështetjen e vendeve të tjera për reformat që ju keni bërë, u shpreh Zëvendëspresidentja e Dhomës së Komuneve në Mbretërinë e Bashkuar, Silvia Hill, në takimin me Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli.
 

Zëvendëspresidentja Hill ndodhet në Shqipëri me ftesë të Kryetares së Kuvendit në vizitën e saj të parë në Tiranë.

Duke i uruar mirëseardhjen përfaqësueses së lartë në Mbretërinë e Bashkuar, Kryetarja Topalli tha se kjo vizitë është e një rëndësie të veçantë në  marrëdhëniet dypalëshe dhe do ti japë një shtysë më të madhe bashkëpunimit, jo vetëm politik, por edhe në fusha të tjera.

Shqipëria, tha zonja Topalli i është mirënjohëse vendit tuaj për gjithë mbështetjen e dhënë në proceset e integrimit, veçanërisht për rolin kyç në  marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. Pas kësaj ftese, që për shqipëtarët ishte një nga ngjarjet më të mëdha e të rëndësishme, besojmë se do të arrijmë të përmbyllim fazën e ratifkimit të protokollit të NATO-s, në mënyrë që të bëhemi anëtarë me të drejta të plota në Samitin e ardhshëm.

Duke shprehur mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar, vend i cili pritet të ratifikojë së shpejti Protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Zëvendëspresidentja Hill nënvizoi:

Reformat që ju keni realizuar janë reforma të vështira edhe për vende më të zhvilluara. Ajo çka ju keni bërë është për tu përgëzuar dhe mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar vjen pikërisht për gjithçka ju keni arritur. Realizimi i këtyre reformave tregon se ju keni vullnetin  dhe vendosmërinë e  duhur për të vijuar me të tjera reforma. Objektivat tuaja, BE-ja dhe NATO-ja janë një motivim për të ecur përpara. Anëtarësimi juaj në NATO, sigurisht do të sjellë përfitime të mëdha.

Kemi realizuar reforma të mëdha, tha zonja Topalli, por jemi të ndërgjegjshëm se të tjera sfida na presin, sfida që jemi të vendosur ti përballojmë me sukses. Shqipëria sot ofron një klimë shumë të favorshme për biznesin dhe investimet, ka një rritje solide ekonomike dhe reflekton siguri.

Duke u ndalur në çështjen e Kosovës, Kryetarja e Kuvendit falënderoi Zëvendëspresidenten Hill për mbështetjen e madhe që Mbretëria e Bashkuara ka dhënë gjatë gjithë procesit të krijimit të shtetit të ri.

Më tej bashkëbisedueset diskutuan mbi rritjen dhe forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe dy parlamenteve, duke nënvizuar rëndësinë e diplomacisë parlamentare dhe shkëmbimit të përfaqësuesve të parlamenteve reciproke.

   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›