E Diel, 1 Nëntor 2026

Parlamenti italian do të ratifikojë shumë shpejt Protokollin e NATO-s. Italia mbështetje për reformat e ndërmarra nga Shqipëria.

  Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli takon Kryetarin e Dhomës së Deputetëve të Italisë Gianfranco Fini

Integrimi i plotë i Shqipërisë në BE, nuk është vetëm objektiv i politikës suaj, por edhe i politikës italiane. Shqipëria ka bërë hapa gjigandë dhe këto janë të dukshme për të gjithë, theksoi në takimin me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, Kryetari i Parlamentit të Italisë Gianfranco Fini , i cili ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare me ftesë të Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë.

Pasi i uroi mirëseardhjen Kryetarit të Parlamentit të Italisë, Kryetarja e Kuvendit, shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Qeveria dhe Parlamenti italian i kane dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke qenë ndër vendet e para që ratifikoi MSA-në Shqipëri-BE, dhe që njohu pavarësinë e Kosovës.
Nga ana e tij, zoti Fini falënderoi zonjën Topalli për ftesën dhe për mundësinë për tju adresuar deputetëve dhe qytetarëve shqiptare në seancë plenare, duke e cilësua një nder të veçantë.

Marrëdhëniet historike dhe bashkëpunimi mes dy vendeve dhe dy popujve kanë njohur së fundmi një rritje të dukshme, tha ai, duke u shndërruar në model për marrëdheniet edhe me vendet e tjera

Italia, tha zonja Topalli është një partner strategjik i Shqipërisë. Jam shumë e kënaqur që përsa i përket bashkëpunimi ekonomik, Italia ze vendin e parë në volumin e shkëmbimeve tregëtare, volum që është rritur me rreth 10 përqind. Jam e bindur, se vizita juaj, zoti President, do të ketë një ndikim të madh në rritjen dhe forcimin e bashkëpunimit politik por dhe ekonomik.
Shqipëria ka tashmë një klimë ekonomike entuziaste dhe reformat fiskale bënë që në raportin e fundit të Bankës Botërore, Shqipëria të renditej e dyta në botë për ritmin e rritjes ekonomike dhe për mbrojtjen e investimeve.
"Kemi marrë ftesën për anëtarësim në NATO dhe  shpresojmë të përmbyllim sa më shpejt ratifikimin e protokollit të NATO-s, në mënyrë që të bëhemi anëtare me të drejta të plota në Samitin e ardhshëm".

Ju garantoj, tha zoti Fini se Parlamenti italian do ta ratifikojë menjëherë këtë protokoll. Unë personalisht do të nxis përshpejtimin e këtij rafifikimi.

Na vjen mirë, tha zonja Topalli, që shqiptarët që jetojnë në Itali janë integruar plotësisht. Ata jetojnë e punojnë së bashku me familjet e tyre. Por fakti që më bën të ndihem vërtet shumë mirë është se shumë studentë shqiptarë kryejnë studimet e tyre në Itali me rezultate të shkëlqyera.
Duke ndarë të njëjtin mendim me zonjën Topalli, zoti Fini u shpreh se: Komuniteti shqiptar në Itali përbën tashmë një burim vlerash.

Kryetarja e Kuvendin falënderoi zotin Fini për takimin mbi perspektivën Europiane të Ballkanit, zhvilluar para pak muajsh në Itali, duke e cilësuar këtë takim të një rëndësie të veçantë për të ardhmen e Ballkanit.
Duke u ndalur në çështjen e njohjes së Kosovës, Kryetarja e Kuvendit theksoi se Parlamenti shqiptar ka një ndër prioritet e tij lobimin për rritjen e numrit të vendeve që njohin shtetin e ri.

Është shumë i vlerësueshëm, tha zoti Fini, ekuilibri që   Shqipëria  tregoi lidhur me çështjen e Kosovës.

Bashkëbiseduesit ndanë mendimin se pas kësaj vizite shkëmbimet mes komisioneve Parlamentare do të jenë edhe më të shpeshta, veçanërisht ato të karakterit ekonomik e të veprimtarive prodhuese për nxitjen e bashkëpunimit kryesisht në fushën e energjisë.

   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›